Menopauza përfaqëson insuficiencën e përhershme të funksionit ovarian, me rënie të estrogjenit dhe progesteronit dhe ndërprerje të menstruacioneve. Këto ndryshime ndikojnë në aksin hipotalamus hipofizë – ovare, metabolizimin e glukozës dhe lipideve, densitetin kockor, riskun kardiovaskular dhe mirëqenien neuro-psikike. Vlerësimi laboratorik i strukturuar është thelbësor për konfirmim diagnostik (sidomos në peri-menopauzë dhe insuficiencë ovariane të parakohshme), stratifikim të rrezikut kardiometabolik, monitorim të terapisë hormonale dhe jo-hormonale.

1.Biomarkerët endokrinë për diagnozë dhe stadifikim
1.1 FSH, LH dhe estradioli (E2)
Në tranzicionin menopauzal, rënia e estradiolit çon në rritje kompensuese të FSH dhe LH nga hipofiza. Tipikisht, FSH më e lartë se 30-40 IU/L është shumë e zakonshme në menopauzē. Diagnoza në këlë grup bazohet kryesisht në anamnezë dhe klinikë. LH rritet paralelisht, por ka vlerë më të kufizuar diagnostike. Estradioli (E2) bie ndjeshëm, duke u lidhur me simptomat vazomotore, atrofinë urogenitale dhe rritjen e riskut kockor e kardiometabolik. FSH rekomandohet më shumë tek gratënë moshën 40-45 vjeç me simptoma dhe ndryshime të ciklit dhe tek gratë më pak se 40 vjeç, kur dyshohet insuficiencë ovariane e parakohshme (POI).
1.2 AMH (Anti-Müllerian Hormone)
AMH reflekton rezervën ovariale. Vlerat shumë të ulëta ose të padetektueshme janë konsistente me furnizim të shteruar folikular. Ka rol më shumë parashikues (kohëzgjatja e peri-menopauzës) sesa diagnostikues strikt, dhe nuk përdoret ende rutinë në udhëzimet kryesore.
1.3 Profili i tiroides (TSH, fT4, fT3, antitrupat)
Çrregullimet e tiroides (veçanërisht hipotiroidizmi) mund të imitojnë ose përkeqësojnë simptomat e menopauzës (lodhje, shtim në peshë, luhatje humori, çrregullim cikli). Për këtë arsve udhëzimet ndërkombëtare sugjerojnë vlerësim selektiv të funksionit të tiroides kur klinika është jo tipike ose simptomat janë disproporcionale me moshën dhe fazën ciklike.
2.Biomarkerët metabolikë dhe risku kardiometabolik
Rënia e estrogjenit shoqërohet me rritje të rezistencës ndaj insulinës dhe përkeqësim të profilit lipidik, rritje graduale të riskut për sëmundje kardiovaskulare (CVD).
2.1 Metabolizmi i glukozës
Analizat që rekomandohen tek gratë në menopauzë janë Glukoza esëll, HbA1c, Insulina esëll dhe, sipas rastit, llogaritja e HOMA-IR. Studime të fundit vënë në dukje lidhjen midis deficitit të vitaminës D, inflamacionit kronik dhe zhvillimit të rezistencës ndaj insulinës dhe diabetit të tipit 2 tek gratë postmenopauzale.
2.2 Profili lipidik
Ai përfshin Kolesterolin total, LDL-C, HDL-C dhe Trigliceridet. Pas menopauzës, LDL (i njohur si kolesteroli i keq) dhe trigliceridet rriten ndërsa HDL (i njohur si kolesteroli i mirë) tenton të ulet, duke kontribuar në risk më të lartë për sindromë metabolike dhe CVD, sëmundje kardiovaskulare.

3.Shëndeti kockor dhe biomarkerët pēr osteoporozën
Deficiti estrogjenik rrit aktivitetin e osteoklasteve dhe përshpejton humbjen e masës kockore, veçanërisht në 5-10 vitet e para pas menopauzës. Analizat laboratorike tipike në rast janë Vitamina D (25-OH), Kalciumi, Fosfori, PTH, Fosfataza Alkaline (fraksioni kockor, nëse disponohet). Këto plotësohen nga densitometria kockore (DXA), standardi i artë për vlerësim të densitetit mineral kockor. Në studime të caktuara, markerët e inflamacionit, vitamina B12, acidi folik dhe biomarkerë të tjerë metabolikë rezultojnë të lidhur me ndryshimet e densitetit kockor në gratë postmenopauzale.
4.VIerësimi hepatik dhe renal para terapisë hormonale
Udhëzimet e shoqatave të menopauzës dhe endokrinologjisë theksojnë rëndësinë e individualizimit të terapisë hormonale, duke marrë në konsideratë funksionin hepatik dhe renal, faktorët e koagulimit dhe riskun kardiovaskular. Në këtë rast, analizat bazë të rekomanduara janë AST, ALT, GGT, Urea, Kreatininë, si dhe profil koagulimi nëse ka risk trombotik. Ky është veçanërisht i rëndësishëm kur përdoren estrogjenet orale, të cilat kanë rrezik më të lartë për ngjarje tromboembolike krahasuar me rrugën transdermale.
5.Biomarkerët inflamatorë dhe statusi imunitar
Inflamacioni është i shpeshtë në perimenopauzë dhe postmenopauzë, dhe lidhet si me rezistencën ndaj insulinës, ashtu edhe me humbjen e masës kockore. Ndaj mjekët specialistë rekomandojnë analizat ndihmëse si CRP-hs, Hemogramë komplet, Ferritinë (si rezervë hekuri + marker inflamacioni), Vitamina B12 dhe Acidi Folik. Studimet tregojnë se kombinimi i këtyre faktorëve mund të lidhet me ndryshime në densitetin kockor dhe riskun për fraktura.
6.Roli i analizave laboratorike në vendimmarrjen terapeutike
Rekomandimet theksojnë se terapia hormonale është trajtimi më efektiv për simptomat vazomotore dhe atrofinë urogjenitale, si dhe kontribuon në parandalimin e humbjes kockore, kur zgjidhet në mënyrë të individualizuar. Ndaj, vlerësimi laboratorik duhet të përdoret për të dalluar menopauzën nga patologjitë endokrine (p.sh. tiroidja, hiperprolaktinemia), për të identifikuar gratë me risk të lartë kardiometabolik para fillimit të HRT, për të monitoruar efektet e terapisë dhe sigurinë afatgjatë.
7.Nisur nga një praktikë klinike, kur duhen kërkuar analizat?
Bazuar në udhëzimet aktuale tek gratë mbi moshën 45 vjeç dhe me simptoma tipike, diagnoza bazohet kryesisht në klinikë dhe testet hormonale rutinë nuk janë të nevojshme. Tek gratë e moshës 40-45 vjeç me simptoma dhe ndryshim të ciklit, FSH dhe analiza e AMH mund të ndihmojnë në konfirmim të diagnozës, duke u vlerësuar në kombinim me anamnezën. Ndërkaq, tek gratë më pak se 40 vjeç me amenorre / oligomenorre kërkohet vlerësim i plotë për ovarin policistik (FSH i përsëritur, E2, AMH, autoantitrupa, kariotip, etj,.).
***
Dëshmi
Elda – 39 vjeç: “Mendova se ishte stres, por ishte menopauzë e hershme”
Simptomat e saj ishin, cikël i çrregullt, humbje e libidos dhe thatësi vaginale. Mjeku specialist i kërkoi të bënte analizat hormonale, të cilat treguan FSH shumë të lartë dhe estradiol të ulët. Mjekja i bëri edhe AMH, autoantitrupa dhe diagnoza ishte insuficiencë ovariane e parakohshme. Analizat nuk ndryshuan vetëm diagnozën, por edhe jetën, sepse ajo nisi terapi zëvendësuese, ndryshime ushqimore, planifikim familjar.
Anjeza – 47 vjeç: “S’u ndjeva më vetja”
Anjeza nisi të kishte djersitje gjatë natës, bezdi gjatë gjumit dhe ankth. Mendoi se i shkaktohej nga stresi në punë. Kur u konsultua, mjekja i shpjegoi se FSH nuk ishte i nevojshëm për diagnozë, pasi ajo ishte mbi 45 vjeç. Por ishte e rëndësishme të kontrollohej glukoza, kolesteroli dhe vitamina D. Më tej ishin analizat ato që treguan se kishte glukozë në kufirin e lartë, trigliceride të larta dhe vitaminë D të ulët. Me ndryshim ushqimi, aktivitet fizik dhe suplementim, simptomat iu lehtësuan ndjeshëm. Mësimi që mori ishte se, menopauza nuk është vetëm hormon. Është trup i tërë që ndryshon.
Mira – 51 vjeç: “U shtova në peshë pa kuptuar”
Mira ushqehej njësoj si gjithmonë. Por shtoi 6 kg në gjashtë muaj. Ndjente lodhje dhe kishte fryrje barku. Pas konsultës me mjekun specialist, iu nënshtrua analizave përkatëse, të cilat treguan se kishte në nivele të larta insulinën, rrezikonte për diabet të tipit 2, dhe vitaminë D shumë të ulët. Vetëm kur pa analizat kuptoi se problemi nuk ishte “mungesë e vullnetit”, por ndryshimi metabolik i menopauzës. Dhe, faji nuk është tek gruaja, por trupi që ka ndryshuar biologjikisht.
Konkluzion
Analizat laboratorike në menopauzë nuk kufizohen thjesht në matjen e FSH-së, por përfshijnë një panel të gjerë biomarkerësh endokrinë, metabolikë, kardiovaskularë dhe kockorë. Integrimi i tyre me klinikën lejon në një diagnozë më të saktë dhe të diferencuar, parandalimi të hershëm të komplikacioneve (CVD, osteoporozë, diabet) si dhe personalizim të terapisë hormonale dhe jo-hormonale në përputhje me udhëzimet më të fundit ndërkombëtare.
Referencat kryesore
- Stuenkel CA et al. Treatment of Symptoms of the Menopause: An Endocrine Society Clinical Practice Guideline. J Clin Endocrinol Metab. 2015.
- The North American Menopause Society (NAMS). 2022 Hormone Therapy Position Statement. Menopause. 2022.
- NICE Guideline NG23. Menopause: Identification and Management. Updated 2024.
- El Khoudary SR et al. Menopause Transition and Cardiovascular Disease Risk: Implications for Timing of Prevention. Circulation. 2020.
- López-Baena MT et al.; Hao L et al. Artikuj mbi rolin e vitaminës D, inflamacionit dhe metabolizmit të glukozës në gratë postmenopauzale.
Klinika Mjekësore Vera – VIRHOV
Adresa: Rruga “Islam Alla”, Tiranë
Tel: 04-222 6 441 | Cel: 0686064320 / 0682031903
Email: [email protected]
Facebook: Dr.Genta Dedej/Dr.Edi Tushe/Klinika Vera-VIRHOV
Instagram: @klinika_vera_virhov
email:
web: Klinika Vera-Virhov
Botuar në Revista Psikologjia – Janar – nr.223, viti 2026
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

