Covid-19 mund të infektojë trupin, por ne s’duhet të lejojmë të na infektojë mendjen.

Dr.Klaudia Stajka, Mjeke e Pergjithshme
U desh një armik fare i vogël, i padukshëm për të ngrirë një botë të tërë, për të futur në mendime mendjet më të ditura, për të kuptuar se jemi të gjithë të barabartë në një botë të pabarabartë dhe për t‘u ndjerë të vegjël sa një pikë në oqean!
Coronavirus është kryefjala e çdo rubrike në ditët e sotme. Masat parandaluese, statistikat, kronikat e zeza, izolimi, rradhët e gjata në market, pasiguria ekonomike, ngrirja e të përditshmes, përqindjet e mortalitetit duken se nuk do të mbarojnë për muaj; dhe të gjitha këto e kanë çuar virusin në avantazh kundrejt rracës njerëzore duke na pushtuar jo vetëm fizikisht por edhe mendërisht. E panjohura është normale të na frikësojë, por a duhet të lejojmë të na mposhtë?
Në më pak se dy javë izolim duket se po na soset durimi, jo të gjithë kanë kushtet optimale për të jetuar, disa mund të kenë marrëdhënie toksike në familje apo mjaftueshëm sëmundje për t’u shqetësuar, disa janë mësuar me ditë dinamike dhe me orë që kalojnë shpejt, disa të tjerë kanë një tavan të krisur e disa kanë dhoma të mbipopulluara. Në gjendje si këto niveli i mërzitjes, stresit, nervozizmit rritet dhe kur këtyre i bashkohet frika dhe pasiguria për jetën, pasojat në shoqëri mund të bëhen të parikuperueshme. A nuk është ky një alarm i fortë të cilin duket se askush nuk po e dëgjon?
Njerëzit përballen me stresin, frikën, ankthin në mënyra të ndryshme duke filluar nga shtimi i rehatisë personale, të ngrënit e tepruar, alkooli deri në nevojën për medikamente; dhe të gjitha këto kanë vetëm një të përbashkët: përpjekjen për të fshehur ankthin. Të qenurit në ankth para një rreziku apo kërcënimi, sidomos kur ai është i padukshëm, është një ndjesi normale dhe hapi i parë për të dalë të shëndetshëm është të pranojmë ankthin si një gërshetim normal emocionesh e mendimesh që shkojnë e vijnë, por që nuk mund të definojnë kurrsesi të ardhmen tonë.
Sot po flitet në çdo sekondë të ditës për kujdesin shëndetësor sikur ai të kishte të bënte vetëm me aspektin fizik, kur pasojat më të rënda janë në fakt ato psikike, në një popull që duket se nuk po arrin të gjejë paqe shpirtërore dhe që për këto të fundit nuk mund të gjendet asnjë vaksinë.
Në një kohë si kjo, unë e ndiej detyrim profesional dhe shpirtëror përveçse t’i bëj thirrje të gjithë psikologëve të ngrihen e të flasin, të jap disa këshilla për të ruajtur një mendje sa më të shëndetshme kur e gjithë kjo të marrë fund.
Mos klikoni mbi çdo gjë që del në mediat sociale. Informimi është i domosdoshëm por mbiinformimi është i dëmshëm. Sigurohuni të klikoni mbi burime të sigurta dhe mos humbisni mbi portale jo zyrtare.
Limitoni navigimin në rrjetet sociale në dy orë në ditë. Kaq mjafton për të marrë të gjithë informacionin e nevojshëm pa u mbingarkuar mendërisht.
Fokusohuni në gjëra që i keni nën kontroll. Këtu nënkuptoj të bëni çfarë mundeni per ta parandaluar ju sëmundjen, si psh: larja e shpeshtë e duarve (higjenizimi i tyre në rast se nuk keni sapun), ruani distancën e ndërveprimit me personat e tjerë, mbuloni me një shami gojën teksa tështiteni apo kolliteni (ideale do të ishte ta hidhnit në koshin e mbeturinave pas përdorimit), shmangni prekjen e fytyrës me duar, lërjani përdorimin e maskave dhe dorezave stafit mjekësor, evitoni daljet apo udhëtimet e panevojshme, kujdesuni për sistemin imunitar me dietë të shëndetshme, ushtrime fizike në kushte shtëpie, orë të plota gjumi. Stresi i zgjatur gjithashtu dëmton imunitetin.
Mbajeni veten të zënë me aktivitete brenda shtëpise. Taktika më e mirë për ta mbajtur stresin nën kontroll është të mos kesh kohë të stresohesh. Kjo mund të realizohet duke shpenzuar kohë me fëmijët dhe lojërat e tyre, vizatoni, pikturoni, dëgjoni muzikën tuaj të preferuar, shikoni filma (fituesit e Oscarit do të ishin një zgjedhje e mirë), lexoni librat për të cilët nuk keni pasur asnjëherë kohë, eksperimentoni në kuzhinë, mësoni të bëni diçka që nuk keni ditur deri tani (qepje, qëndisje, lojëra, youtube është plot DIY tutorials) bëni një riarredim të shtëpisë suaj (ku i dihet disa gjërave mund t’i ketë ardhur koha për t’i ndryshuar vendin), risistemoni sirtarët e dollapet, flisni në telefon me të afërm e miq që keni kohë pa u dëgjuar sikur të mos ishim në kohën e koronavirusit. Distancimi mund të jetë fizik por nuk ka pse të jetë dhe social.
Mos arrini në konkluzione të parakohshme. Fakti që në vendin tonë ka një numër të caktuar të infektuarish kjo nuk do të thotë që do të infektoheni dhe ju apo të afërmit tuaj ose akoma më keq, ta rindërtoni të ardhmen rreth këtij mendimi. Në vend të kësaj mendoni se nesër izolimi mbaron dhe shfrytëzoni qëndrimin në shtëpi si të ishte një moment për të cilin do t’ju marrë malli.
Ka shumë gjëra në këtë jetë mbi të cilat ne nuk kemi kontroll siç janë fatkeqësitë natyrore, sëmundjet kongenitale, autoimune, kronike dhe Covid-19 nuk përbën ndonjë diference.
Le të jetë kjo një ftesë të përqendrohemi në gjërat që na gëzojnë më shumë, të falim dashuri çdo ditë sikur të ishte e fundit dhe të kujtojmë se sa e mërzitshme do të ishte jeta sikur çdo gjë të ishte e parashikueshme.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.