Mirëqenie

September 15, 2018 | 8:10

Dr. Kleida Bita: 80% e sëmundjeve shenjën e parë e japin në gojë! Dentisti ka rol kyç në depistimin e tyre

Të tregosh kujdes për dhëmbët do të thotë të jesh kujdesur për shëndetin dhe estetikën, jo vetëm të gojës, por të gjithë trupit tënd. Këtë mesazh më dha fare të qartë mjekja me përvojë 17-vjeçare, Dr.Kleida Bita. Ajo e vuri theksin në dy problematika: kultura e pakët e një kontrolli (check-up) periodik te dentisti dhe moskurimi i hershëm i mikrobeve të gojës me impakt mbi gjithë shëndetin, siç është streptokoku beta hemolitik.

kleidaPër këto dhe të tjera problematika, ajo pohon se është detyrë dhe përgjegjësi qytetare për destistët dhe komunitetin më të gjerë të mjekëve që të informojnë opinionin publik. Sipas saj, fillesat e dëmtimit të indeve që do të çojnë më vonë në sëmundjet e zemrës (kardiovaskulare, të kyçeve reumatizmale) dhe të veshkave shfaqen së pari në gojë (infeksione fokale), hemorragji nga gingiva, etj. Kjo do të thotë që një raport cilësor dentist-pacient mund të parandalojë situata të vështira për t’u trajtuar në të ardhmen. Në fillim të vitit të ri shkollor, por jo vetëm, për të gjithë fëmijët, të rinjtë dhe të moshuarit, ajo përcjell mesazhe të veçanta dhe plot interes që duhen mbajtur parasysh për një shëndet të mirë.

Si ju ka rezultuar kjo përvojë?

Të jesh dentist është një përvojë sa e bukur, dhe e vështirë. Duhet të kesh aftësi të menaxhosh jo vetëm anën shëndetësore të pacientit, por edhe psikologjinë e tij. Fobia nga dentisti është akoma shkak për t’i lënë gjërat deri në komplikacione. Të fitosh besimin e pacientit, është një “art” më vete. Me shumë durim dhe profesionalizëm mund të krijohet një raport i rëndësishëm në funksion të shëndetit oral dhe atij të të gjithë trupit, sepse gati 80% e patologjive, shenjën e parë ose shkakun e kanë në gojë.

Keni raste kur trajtoni pacientë që kanë sëmundje të tjera?

Pacientët me patologjike kronike janë pjesë normale e praktikës në klinikë. Të sëmurë me zemër, me hipertension, pacientë me kimioterapi apo me patologji të tjera, kërkojnë shpesh trajtime dentare. Është shumë e rëndësishme t’i dimë paraprakisht këto gjendje shëndetësore për të dhënë shërbimin optimal. Prandaj plotësimi i sinqertë i kartelës nga ana e pacientit, ndihmon mjekun dhe ruan jetën e pacientit. Këto gjendje kërkojnë gjithmonë bashkëpunim mes mjekut ndjekës dhe dentistit. Për shkak të mungesës së protokolleve të mirëcaktuara ky bashkëpunim është i vështirë, duke i detyruar pacientët të mos tregojnë të vërtetën, duke rrezikuar dhe jetën. Për shembull: një pacient kardiopati që merr hollues gjaku, për të ardhur te dentisti për ekstraksion, duhet të marrë nga kardiologu një letër informuese mbi tensionin arterial dhe gjendjen e koagulimit (INR) dhe duhet të njoftohet prej dentistit që kontrollet dentare duhet të jenë të shpeshta, sepse streptokoku beta hemolitik ka një ndikim të madh në muskulin e zemrës.

1

Cilat janë sëmundjet më të shpeshta dhe si punoni për t’i imponuar pacientët mbi to?

Në fakt, patologjia më e shpeshtë me të cilën ndeshem është parodontoza (sëmundje e mishit të dhëmbëve), duke lënë në vend të dytë kariesin dhe keqvendosjen e dhëmbëve, ndryshe nga tendencat botërore. Gati 70-80% e pacientëve shfaqin stade të ndryshme të sëmundjeve të mishit të dhëmbëve, gingivit deri në parodontoza të rënda me lëvizje të theksuara të dhëmbëve. Për fat të keq, mosha nuk është një tregues, sepse e gjej shumë shpesh edhe në mosha fare të reja. Higjiena e mangët, ushqimi i varfër në vitamina, ushqimet e fast-food, stili jo i shëndetshëm i jetës (alkool, cigare) bëjnë që rastet ndër të rinjtë të jenë alarmante. Gjithashtu, mungesa e depistimit të streptokokut beta hemolitik patogjen, që në moshat e hershme (kopshte, shkolla) sjell jo vetëm gingivite infantile të kurueshme me antibiotikë, por edhe dëme të përhershme të indit lidhor në kyçe, zemër e veshka, që më vonë do të zhvillojnë sëmundje kronike. Përpiqem të imponoj individualisht çdo pacient për higjienën, për kujdesin ushqimor, për ndryshimet e nevojshme në stilin e jetesës dhe sidomos, për një rutinë të rregullt kontrollesh dentare. Ndërkohë do të ishte i nevojshëm dhe një ndërgjegjësim i strukturave shtetërore të shëndetit publik, sepse dikur, depistimet dhe ndjekja e mjekimit bëheshin me grafik deri shtëpi më shtëpi.

kleida1

Sa të ndërgjegjësuar janë pacientët që te dentisti shkohet edhe pa arsye, në varësi edhe të grupmoshave?

Vetëdija shëndetësore ka ardhur duke u përmirësuar nga viti në vit. Tani, përveç një shëndet më i mirë për dhëmbët kërkohet dhe një estetikë e arritur. Në sajë të informimit, prindërit janë shumë të kujdesshëm për fëmijët. Edhe moshat e treta janë shumë rigorozë në ndjekjen e trajtimit dhe kujdesit për shëndetin. Problematike mbetet grupmosha aktive, nga 18-20 vjeç deri në 50-60 vjeç, të cilët për shkak të kohës së munguar prej angazhimeve të shumta të jetës më pak të shëndetshme, apo pamundësisë ekonomike, abuzojnë shpesh. Gjithashtu edhe gratë kujdesen më pak se pjesa tjetër, sepse sakrifikojnë duke vendosur nevojat e familjes të parat. S’ka rëndësi mosha, nëse je fëmijë apo i rritur, pasi një buzëqeshje e shëndetshme është çelësi i një trupi të shëndetshëm dhe i një prezantimi të denjë në shoqëri. Ne ju mirëpresim në klinikën tonë, duke ju ofruar një shërbim sa më të denjë, me profesionalizëm dhe përkushtim.

 

Adresa: Pranë gjykatës së

Shkallës së Parë, përballë

Shkollës “Pjetër Budi”, Tiranë

Cel: +355 069 40 84 885,

E-mail: [email protected]

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top