FB

March 4, 2024 | 7:56

Dr. Laerta Pupo: Vaksinimi, alternativa më e mirë për alergjikët

 

Si të mbrohemi në pranverë ndaj sëmundjeve alergjike të frymëmarrjes dhe lëkurës?

Pranvera jo për të gjithë konsiderohet si stina më e preferuar. Sepse përveç bukurisë, gjelbërimit dhe çlirimit të aromave të këndshme, mund të shkaktojë një sërë problemesh serioze për jetën. Personat alergjikë janë ata që preken më shumë, ndërsa risku bëhet më shumë i pranishëm nëse nuk merr trajtimin e duhur.

 

laerta

Dr. Laerta Pupo, Alergologe – Imunologe Klinike për Fëmijë dhe të Rritur

 

Simptomat që kanë personat që vuajnë nga alergjitë janë: Teshtima në grup, rrjedhje e hundëve dhe bllokim i tyre, lotim dhe kruajtje e syve, rrathë të zinj poshtë syve, kruajtje e qiellzës, veshëve dhe lodhja, simptoma të shpeshta klinike që shkaktohen nga polenet dhe ndikojnë në cilësinë e jetës së këtyre pacientëve.

Riniti alergjik është sëmundja alergjike me shpeshtësinë më të lartë. Mund të konsiderohet si epidemi botërore, e pranishme në 500 milionë individë në të gjithë botën. Prek shumë edhe fëmijët, mbi 40% e tyre vuajnë prej rrufës alergjike. Alergjia nga polenet ka ndikim shumë të madh edhe tek fëmijët, duke u shoqëruar me çrregullime të sjelljes, vëmendjes, ulje të performancës dhe shtim të mungesave në shkollë. Studimet tregojnë se ndryshimet klimatike dhe rritja e ekspozimit ndaj ndotësve atmosferikë, po e zgjasin më tepër sezonin e alergjive ndaj poleneve, duke shtuar edhe më shumë simptomat e alergjisë tek këta pacientë. Është shumë e rëndësishme të bëhet diagnoza e saktë nga mjeku specialist alergolog, duke bërë provat e alergjisë për të gjetur shkaktarin e alergjisë tek këta individë. Pas vendosjes së diagnozës, mjeku alergolog i paraqet pacientit alternativat e trajtimit. 

screenshot-2024-02-25-8-06-05-pm   screenshot-2024-02-25-8-05-44-pm

Vaksinimi 

Një nga alternativat më të mira të trajtimit të rrufës alergjike është imunoterapia specifike ose e emërtuar ndryshe vaksina e alergjisë. Është mjekim i provuar në të gjithë botën për më shumë se 100 vite. Vaksinimi është i vetmi mjekim sot që mund të ndihmojë përmirësimin afatgjatë të simptomave dhe ul nevojën për medikamente. Gjithashtu vaksinimi parandalon avancimin e rrufës alergjike në astmën bronkiale. Vaksina ekziston në dy forma, me injeksione dhe orale në formën e pikave ose tableta.

 

Masa parandaluese

Të rëndësishme janë edhe masat parandaluese dhe kujdesi që duhet të ketë vetë pacienti në këtë periudhë, duke evituar shëtitjet e zgjatura në natyrë, duke u këshilluar që ajrosja e shtëpisë me dritare të hapura të bëhet herët në mëngjes ose vonë në mbrëmje. Gjithashtu rekomandohet ndërrim i rrobave dhe dush pasi kthehen në shtëpi për të larguar polenet e mbetura në to apo edhe në flokë tek këta individë alergjikë nga polenet. 

screenshot-2024-02-25-8-04-12-pm   screenshot-2024-02-25-8-04-54-pm

Sëmundje të tjera alergjike që përkeqësohen në pranverë

Astma bronkiale është një sëmundje kronike e rrugëve të poshtme të frymëmarrjes, që sidomos tek fëmijët në të shumtën e rasteve është e lidhur me alergjinë. Simptomat shoqëruese më të zakonshme të astmës janë vështirësia në frymëmarrje, shtrëngim dhe fishkëllima në gjoks. Në pacientë alergjikë nga polenet simptoma të tilla klinike acarohen më shumë në këtë stinë. Risk më të lartë për t’u prekur nga astma kanë individët me rrufë alergjike, ekzemë apo dermatit atopik si dhe ata me histori familjare. 

Dermatiti atopik ose ekzema është një sëmundje inflamatore e lëkurës që manifestohet me lëkurë të thatë dhe të skuqur, dhe që zakonisht shfaqet që në vitin e parë të jetës. Ekzemat mund të jenë irritative por edhe alergjike. Përgjatë sezonit polenik, vërehet një riakutizim i ekzemave alergjike në individë alergjikë ndaj poleneve.

 

Adresa: Rruga “Njazi Demi” nr. 4, Tiranë

Cel: +355 69 357 4851

Email: [email protected]

Instagram: klinika_dr_laerta_pupo

 

Publikuar në Revistën Psikologjia Mars 2023

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top