Dr.med.Aurora Dollenberg1,2
1School of Medicine and Health Sciences, Medical Campus, University of Oldenburg, Oldenburg, Germany
2 Witten/Herdecke University, Faculty of Health/School of Medicine, Chair of Integrative Psychiatry and Psychotherapy
Ne jemi një ndër popujt më te rinj në Evropë me moshë mesatare 33 vjeç. Për fatin e keq, mosha e re nuk rezulton të jetë faktor mbrojtës në përhapjen e pandemisë, pasi pikërisht sjellja neglizhente e të rinjve në javët e fundit e ka rritur numrin e të infektuarve në Shqipëri. Pavarësisht se pandemia nuk është zhdukur, në javët e fundit u neglizhua shumë higjiena apo mbajtja e maskave udhëtimet me autobus. Shoqëria shqiptare, veçanërisht të rinjtë duket se nuk e ka marr seriozisht rrezikun e koronavirusit.
Shkaqet e sjelljes së pakujdesshme të të rinjve janë nga njëra anë mungesa e eksperiencës në menaxhimin e situatave kritike dhe nga ana tjetër gatishmëria e të rinjve për të rrezikuar, pa konsideruar pasojat e sjelljes së tyre.
Por edhe një pacient i ri nuk është imun ndaj një ecurie të vështirë të COVID-19 apo edhe komplikacioneve vdekjeprurëse. Ky fakt duhet të na tronditë të gjithëve dhe të na ndërgjegjësojë në respektimin e distancimit social, mbajtjes së maskave dhe rregullave të higjienës.
Ju bëj thirrje të rinjve që t’u përmbahen kufizimeve të rrepta të krizës së koronës dhe kam një mesazh për të rinjtë “Ju nuk jeni i pathyeshëm nga COVID-19”. Rreziku më i madh është që të moshuarit të infektohen me koronavirusin Sars-CoV-2 dhe të zhvillojnë sëmundjen e mushkërive Covid-19. “Ky virus mund të nënkuptojë një javë në spital për ju, ose mund t’ju vrasë”.
Studimet e fundit në shkencën e psikologjisë kanë identifikuar tri arsye pse është kaq e vështirë të ndryshojnë sjelljen tonë për t’u mbrojtur prej COVID-19.
1-Humbja e kontrollit: Ne humbëm liritë përmes pandemisë që më parë ishin marrë si të mirëqena. Kjo shkakton pakënaqësi dhe zhgënjim.
2-Frika nga ndryshimi: Ne nuk na pëlqen ndryshimi sepse shoqërohet me pasiguri. Shtrëngimi i duarve ose pirja e kafesë së bashku janë pjesë e pandashme e mirëqenies shpirtërore dhe sociale në shoqërinë shqiptare. Ndalimi i këtij stili jetese nënkupton për shumë individ një kolaps psikik, deri në shfaqje të depresionit apo ankthit.
3-Optimizëm i rremë: “Me siguri mua personalisht nuk do të më prekë Koronavirusi”. Ne si shqiptarë me një histori vendi ish-komunist dhe propagande 50-vjeçare, kemi një traditë të gjatë në përgënjeshtrimin e realitetit dhe kemi mësuar ndër vite të injorojmë faktet. Kjo thekson prirjen e Shqipërisë, në krahasim me vendet e tjera të Evropës, ta nënvlerësojë rrezikun e një vale të dytë pandemie.
Rezultatet e deritanishme tregojnë se Vaksina e prodhuar në Gjermani është me efikasitet të sigurt dhe tolerohet mirë nga popullata e testuar. Vaksinimi në Shqipëri parashikohet te jetë në vjeshtë të 2020, prandaj shoqëria shqiptare duhet të qëndrojë optimiste dhe të tregohet e aftë t’ia përshtati jetën sociale masave mbrojtëse.
Të gjithë shqiptarët të rinj apo të vjetër së bashku duhet të kontribuojnë në parandalimin e një vale të dytë, e cila mund të jetë edhe më rëndë se e para.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.