FB

March 1, 2024 | 18:58

Dr. Meri Papajani: Vëmendja ndaj sëmundjeve neurologjike tek gratë e moshës riprodhuese

 

 

Nëse jeni një grua në moshën riprodhuese është i rëndësishëm kujdesi që duhet të tregoni për shëndetin tuaj. Ndryshimet hormonale dhe fiziologjike të tilla si: menarka, shtatzënia, periudha post partum, laktacioni e përdorimi i hormoneve ekzogjene, ndikojnë në sëmundjet neurologjike dhe kanë ndikim të drejtpërdrejtë në strategjitë e trajtimit. Komplikacionet neurologjike në çrregullimet obstetrik-gjinekologjike mund të shfaqen gjatë të gjithë jetës së pacienteve. Çrregullimet neurologjike dhe trajtimi i tyre gjithashtu ndikojnë në mënyrën e menaxhimit të sëmundjeve obstetrike e gjinekologjike.

 

428509841_706286574998912_3458414552322318521_n

Dr. Meri Papajani, Neurologe

Për pacientet me sëmundje neurologjike duhet këshillim e vëmendje e veçantë në lidhje me kontracepsionin, fertilitetin, konceptimin dhe shtatzëninë. Ndaj njohja e tyre, monitorimi, këshillimi e trajtimi në kohë e në mënyrën e duhur mund të realizohet vetëm nga një staf multidisiplinar si me mjek obstetër – gjinekolog ashtu dhe me mjek neurolog, vëmendje e cila mundësohet në Klinikën Vera-Virhov.

Ekziston një marrëdhënie e dyanshme midis çrregullimeve neurologjike dhe fiziologjisë normale e asaj patologjike obstetrikale e gjinekologjike. Hulumtimi i literaturës mbi sëmundjet neurologjike, të cilat bashkëshoqërojnë ose janë pasojë e gjendjeve fiziologjike të ciklit të jetës së gruas ose çrregullimeve obstetrik-gjinekologjike që ajo mund të kalojë, nxjerr në pah rëndësinë e monitorimit të vazhdueshëm, hartimit të rekomandimeve specifike dhe trajtimeve të reja e të personalizuara në këtë fushë.

Studimet e fundit tregojnë se komplikacionet neurologjike në çrregullimet obstetrik-gjinekologjike mund të shfaqen gjatë të gjithë jetës së pacienteve. Në mbarë botën gati 50% e shtatzënive janë të paplanifikuara. Për shkak të rreziqeve të mundshme të efekteve anësore të medikamenteve neurologjike është shumë i rëndësishëm këshillimi i metodave efektive të kontrollit të lindjes.

dhimbje

Sëmundjet neurologjike me vëmendje të veçantë për këtë grup janë: Skeleroza Multiple, Epilepsia, Dhimbjet e kokës dhe Çrregullimet Cerebrovaskulare.

Skleroza Multiple është një sëmundje demielinizante autoimune kronike, e cila prek gati 1 milion pacientë në SHBA e rreth 950 pacientë në vendin tonë. Femrat (64%), Meshkujt (36%), me fillim të shenjave klinike kryesisht në moshën 20-40-vjeçare. Në ditët tona studime të shumta e terapi të ndryshme kanë bërë të mundur rritjen e numrit të pacienteve me MS që kanë fëmijë. Këshillimi para shtatzënisë për gratë me MS fillon që në vizitën e parë e vazhdon në çdo ndjekje.

Metodat kontraceptive rekomandohen, sepse nuk ndryshojnë efektin e Terapisë Modifikuese të Sëmundjes. Disa preparate zakonisht ndërpriten gjatë shtatzënisë, të tjera duhet të ndërpriten përpara konceptimit sipas rekomandimit të mjekut, i cili gjykon për terapinë e duhur dhe kohën përshtatshme të plotësimit me analizat përkatëse, në varësi të gjendjes dhe periudhës së ciklit jetësor në të cilën gjendet pacientja.

Për pacientet me Epilepsi këshillimi para shtatzënisë, në shtatzëni dhe në periudhën e paslindjes është shumë i rëndësishëm. Mjekimet antiepileptike dhe kontraceptivët oralë kanë ndërveprim të dyanshëm, ndaj nuk duhen marrë pa rekomandimin e mjekut. Gratë me epilepsi në moshë riprodhuese duhet të marrin suplemente me acid folik.

Disa preparate duhen evituar në gratë e moshës riprodhuese për shkak të rreziqeve të mëdha të keqformimeve kongenitale, konjicionit dhe neurozhvillimit të fëmijës, të tjera preparate janë të zgjedhur për t’u përdorur, për sigurinë e vërtetuar në studimet e bëra ndër vite. Në këtë grup pacientesh nëse është i domosdoshëm përdorimi i kontraceptivëve, preferohet të rekomandohen ato jo hormonalë.

Dhimbjet e kokës janë një tjetër grup i gjerë sëmundjesh, të cilat i drejtojnë pacientet tek mjeku neurolog. Ai i paraqet grave me cefale rrisqet dhe përfitimet e trajtimeve, kontracepsionit, modifikimin e stilit të jetesës dhe kontrollin e rregullt për faktorët erriskut për sëmundje të enëve të gjakut në sistemin nervor. Konsulta e përbashkët midis neurologut e obsetër-gjinekologut duhet realizuar për gratë shtatzëna, në laktacion ose që trajtohen me kontraceptivë hormonalë.

Gratë me dhimbje primare të kokës të tillë si Migrena me shenja paralajmëruese të krizave, kanë risk më të lartë për të bërë dëmtime të enëve të gjakut të sistemit nervor. Migrena është një nga dhimbjet primare të kokës, e cila përsëritet me episode që zgjasin 4-72 orë e mund të shoqërohet me ndjesi të vjellash, bezdi ndaj dritës e zhurmave. Femrat, kryesisht ato në moshë riprodhuese, preken 3 herë më shumë se meshkuj. Trajtimi bëhet gjithnjë sipas rekomandimit të mjekut i cili bazohet në llojin e dhimbjes, gjendjes fiziologjike të pacientes e sëmundjeve bashkëshoqëruese të saj. Marrja e kujdesshme e mënyrës së fillimit të ankesave dhe vizita neurologjike ndihmojnë në diferencimin e dhimbjeve primare nga ato sekondare.

Dhimbjet sekondare duhen dyshuar në shtatzëni, periudhën e paslindjes dhe tek pacientet që përdorin kontraceptivë hormonalë kur: dhimbjet janë shumë të forta, ndryshon karakteri i tyre, shoqërohet me shenja patologjike në vizitën neurologjike e kur kanë vlera të larta të tensionit arterial.

Aksidentet cerebrovaskulare janë grupi i katërt i patologjive më të shpeshta tek femrat. Rrisku për të bërë aksidente vaskulare cerebrale lidhet me përdorimin e kontraceptivëve hormonalë si dhe me praninë e faktorëve të tjerë predispozues si: duhani, HTA, obeziteti, hiperlipidemia e migrena. Hipertensioni arterial prek 5-10% të shtatzënive në botë. Vetë shtatzënia është një stres test për organizmin. Faktor specifik me ndikim në rriskun për të bërë sëmundje cerebrovaskulare janë: menarka, përdorimi i kontraceptiveve hormonalë, shtatzënia, periudha pas lindjes dhe menopauza. Incidenca për aksidente vaskulare në tru është 2-3 herë më e lartë për gratë shtatzëna në krahasim me gratë jo shtatzëna në moshë riprodhuese. Ndryshimet hormonale dhe fiziologjike të tilla si: menarka, shtatzania, periudha post partum, laktacioni e përdorimi i hormoneve ekzogjene, ndikojnë në sëmundjet neurologjike dhe kanë ndikim të drejtpërdrejtë në strategjitë e trajtimit.

Çrregullimet neurologjike dhe trajtimi i tyre gjithashtu ndikojnë në mënyrën e menaxhimit të sëmundjeve obsetrike e gjinekologjike. Ndaj njohja e tyre, monitorimi, këshillimi e trajtimi në kohë e në mënyrën e duhur mund të realizohet vetëm nga një staf i  specializuar.

 

Adresa: Klinika Vera-Virhov, Rruga “Islam Alla”, Tiranë

tel: 0686064 320 – 04-222 6441

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top