Dëshmi

June 18, 2022 | 7:45

“Dy pika vaji” nga Paulo Coelho / Mbi durimin, mençurinë dhe sekretin e lumturisë

Një tregtar dërgoi djalin e tij për të mësuar sekretin e lumturisë tek më i mençuri i vendit. I riu u end nëpër shkretëtirë për 40 ditë derisa arriti në një vend të bukur në majë të një mali. Aty jetonte i urti që ai kërkonte…

Përshtati Rudina Koromani, psikologe klinike

Por, çuditërisht, ndryshe nga sa kishte imagjinuar, në vend të qetësisë e njeriut të shenjtë ulur diku duke menduar, heroi ynë pa një kaos; tregtarë që vinin e shkonin, njerëz që bisedonin nëpër qoshe, një orkestër e vogël që luante melodi të ëmbla e madje dhe një tryezë e ngarkuar me pjatat më të këndshme të asaj pjese të botës. Ndëkohë njeriu ynë i mençur fliste me të gjithë dhe të riut ju desh të priste dy orë derisa erdhi momenti që mundi ta takonte. Me shumë durim, ndonëse i zënë, i mençuri e dëgjoi me vëmendje arsyen e vizitës së djalit, por i tha se në atë moment nuk kishte kohë t’i shpjegonte sekretin e lumturisë. Ndërkohë i sugjeroi të riut të bënte një shëtitje rreth shtepisë së tij dhe të kthehej pas dy orësh. “Megjithatë, unë dua t’ju kërkoj një nder,” shtoi ai, duke i dhënë djalit një lugë çaji, në të cilën ai derdhi dy pika vaj. “Ndërsa ecni, mbani këtë lugë dhe mos lejoni që vaji të derdhet.” I riu filloi të ngjitej e të zbriste shkallët, duke i mbajtur gjithmonë sytë ngulur nga luga. Pas dy orësh ai u kthye në praninë e të urtit. “Pra,” pyeti i urti, “a i patë sixhadet persiane të varura në dhomën time të ngrënies? E patë kopshtin që Mjeshtërve Kopshtarëve iu deshën dhjetë vjet për ta krijuar? I vutë re pergamenat e bukura në bibliotekën time?” I zënë ngushtë, i riu rrëfeu se nuk kishte parë asgjë. Shqetësimi i tij i vetëm ishte të mos derdhte pikat e vajit që i urti i kishte besuar. “Kthehu dhe njëherë dhe shikoji mrekullitë e botës sime,” tha njeriu i mençur. “Nuk mund t’i besosh një njeriu nëse nuk e njeh shtëpinë e tij.” I riu, tashmë më i qetë, mori lugën dhe shëtiti përsëri , këtë herë duke u kushtuar vëmendje të gjitha veprave të artit që vareshin nga tavani dhe muret. Ai pa kopshtet, malet përreth, delikatesën e luleve e shijen me të cilën çdo vepër arti ishte vendosur. Duke u kthyer tek i urti, ai tregoi me detaje gjithçka që kishte parë. “Po ku janë dy pikat e vajit që të kam besuar?” pyeti i urti papritur. Duke parë lugën me kokëposhtë, i riu kuptoi se vaji i ishte derdhur. “E vetmja këshillë që mund të të jap për momentin:

Sekreti i lumturisë është të shohësh të gjitha mrekullitë e botës dhe të mos harrosh kurrë dy pikat e vajit në lugë” – tha i urti i të urtëve.

Nga “Alkimisti” Histori shpirtërore, Paulo Coelho

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top