FB

July 21, 2023 | 7:55

E vërteta gënjeshtare

E VËRTETA ishte më e mërzitur se kurrë. Atë ditë ajo u ndje aq e dëshpëruar, e shqetësuar, e hidhëruar dhe e braktisur sa ndjeu nevojën të dilte jashtë të thithte pak ajër të pastër. Teksa mbushte mushkëritë me oksigjen, mendoi se ndoshta ishte koha që të pranonte se GËNJESHTRA po dominonte të gjithë botën. Ajo nuk u mendua dy herë dhe i dha udhë vendimit të saj.

v

Duke vëzhguar rrethinat, vuri re se gjërat kishin ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme: të gjithë ish – kolegët madje dikur miq të ngushtë, ishin punësuar në biznesin e madh të GËNJESHTRËS. Rivalë prej mijëra vitesh e shekujsh, duke qenë se nuk dihej origjina dhe zanafilla e asnjërës prej të dyjave, ato zhvillonin aktivitetet e tyre paralelisht. Megjithatë, faktet pasqyronin si ditën ashtu edhe natën se GËNJESHTRA kishte arritur rezultatet më të mira. Edhe pse E VËRTETA ishte përpjekur në çdo mënyrë t’i kënaqte: punonjësit, kolegët, partnerët dhe investitorët, të gjithë e kishin braktisur dhe kishin zgjedhur të ndiqnin gjurmët e GËNJESHTRËS.

Dhe kjo nuk ishte gjë tjetër veçse e vërteta e së vërtetës. GENJESHTRA posedonte cilësitë e saj në gjithësi e në gjithçka. Pa forca, E VËRTETA hyri në një restorant diku aty pranë. Pasi u ul, porositi diçka për të ngrënë dhe teksa priste t’i sillnin ushqimin, filloi të vëzhgonte klientët në tavolinat ngjitur. Kishte lloj – lloj tipash dhe të të gjitha shkallëve sociale. Me keqardhje, sado që ata përpiqeshin të fshiheshin pas maskave që GËNJESHTRA u kishte falur dhe ata kishin pranuar me dëshirë, E VËRTETA i pohoi vetvetes se e kishin tradhëtuar. Paprimtas, asaj i tërhoqi vëmendjen ajo çka po transmetohej në në kanal televiziv.

Nuk ishte askush tjetër veçse  GËNJESHTRA, e cila e veshur si politikane, i shkeli syrin për t’u tallur me të. Populli duartrokiste me gëzim premtimet mbas premtimteve të rreme, gënjeshtrat pas gënjeshtrave, duke admiruar të njëjtin mashtrim që do t’u garantonte një të ardhme false të bazuar në mashtrime në kuptimin e plotë dhe të vërtetë të fjalës. Më në fund, i sollën diçka për të ngrënë por shija e ushqimit “bio” i ngeci në fyt. Edhe këtë herë, pasi ndjeu erën biologjike të gënjeshtrës, iu dorëzua dëshpërimit të vetvetes. Doli jashtë rrëmbimthi, dhe e zemëruar e pranoi humbjen me konsensus të plotë.

GENJESHTRA kishte fituar kudo dhe përgjithmonë, ndaj meqenëse nuk kishte më vend për të në shoqëri, E VËRTETA vendosi të hidhej nga ura më e afërt që ndodhej jo shumë larg nga aty. Dhe kështu mendoi e veproi: u gjend tek ura më e lartë që iu shfaq përpara. Mbylli sytë dhe teksa ishte gati të hidhej, dikush e kapi për krahu. GËNJESHTRA po përpiqej ta ndalonte dhe t’i kthente mendjen. Me zë ngazëllyes i tha: “E dashur, ti nuk do të kesh kurrë një shans mbijetese nga unë, sepse siç e sheh gjithçka më përket vetëm mua”. Edhe këtë herë E VËRTETA u pajtua me mendimin e GENJESHTRËS rivale dhe, duke mos pasur zgjidhje tjetër, e ndoqi nga pas; pa dëshirë pranoi se ishte bërë hija e saj e përjetshme.

 

*Angela Kosta, shkrimtare e gjuhës shqipe dhe italiane

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top