FB

November 17, 2026 | 8:30

Edhe pas zemërimit, kujdesi mbetet!

 

Një shoqe më tregoi para disa ditësh: “Gjyshi im, një njeri i thjeshtë dhe i pashkolluar, më thoshte: Kur të zihesh me burrin, përgatiti një ëmbëlsirë.” Më mbeti në mendje këshilla e gjyshit. Në thjeshtësinë e saj fshihej një e vërtetë e madhe: edhe në ditët e vështira të një martese, nuk duhet të harrojmë të kujdesemi për njëri-tjetrin.

alda-bircaj-2Kur grindemi, ndodh që njeriun që njohim prej vitesh ta reduktojmë vetëm në fjalën që na lëndoi. Harrojmë gjithçka të bukur që kemi ndarë me të dhe, ndërsa presim të na kuptojë, ndonjëherë sillemi në një mënyrë që e largon edhe më shumë.

Kështu, në shumë familje, secili pret që tjetri të bëjë hapin e parë. Njëri ndihet i lënduar, tjetri ka frikë se afrimi do të sjellë një tjetër debat. Dhe kalon mbrëmja, dy njerëz që duan të flasin me njëri-tjetrin, por që shkëmbejnë vetëm fjalë të zakonshme.

Në terapinë e çifteve flitet shpesh për riparimin e marrëdhënies. Por pajtimi nuk fillon gjithmonë me fjalë të mëdha. Ndonjëherë fillon me një pjatë që ia afron tjetrit, me një gjest të vogël, me një “Të shërbeva edhe ty”.  Dhe vetëm pasi thyhet akulli, mund të vijë biseda e vërtetë: “Më lëndoi ajo që the dhe dua të të shpjegoj pse”.

Megjithatë, do t’i shtoja edhe diçka këshillës së gjyshit. Ndonjëherë edhe burri le ta përgatisë vetë atë ëmbëlsirë, edhe nëse nuk i del aq e mirë. Sepse gruaja që ka bërë gjithmonë hapin e parë, ka nevojë që edhe ajo të dëgjojë një ditë: “Eja, të kam shërbyer edhe ty”.

Të mos e ngatërrojmë konfliktin me fundin e dashurisë, por as të mos ia lëmë gjithmonë njërit barrën e pajtimit. Dashuria kërkon kujdes të ndërsjellë, jo sakrificë të njëanshme.

grua-zemerimi

P.S. Po ju, cili është gjesti juaj i vogël i pajtimit? Ai që ju bën të kuptoni se njeriu përballë dëshiron të afrohet përsëri, edhe pa jua thënë me fjalë?

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top