Editorial

October 16, 2017 | 15:14

Editorial: Lumturia…

Të jesh e lumtur jo domosdoshmërisht duhet të kesh miliona dollarë në bankë, për më tepër një miliardë. Më modestish se kaq padyshim mund ta gjesh lumturinë, madje dhe atje ku nuk e beson.

Nga Orjona Tresa, Gazetare

Nga Orjona Tresa, Gazetare

Kafeja herët ma bën më të qeshur ditën, më motivuese. Kjo ngase, të ndash emocionet e para të ditës me të, sikur rilind e merr krahë. Më duket se dita më bëhet më frytdhënëse. Zakonisht ndodh që kafenë e mëngjesit ta ndaj me kolegët, me të cilët rutina nuk ndihet fare. Përkundrazi, gjejmë aty frymëzimin, ide të reja, plane dhe projekte ambicioze. Kjo është nga ato kënaqësitë e vogla që nuk më mungon asnjëherë.

Por dita ka plot të tilla. Mjaft të jesh e vëmendshme.

Çastet e dëlira e pozitive të rrëmbejnë pa shumë bujë. Mjaft të ndjesh atypari se dikush ta ka përçuar këtë ndjesi.

Më ndodh që pas një dite të ngarkuar, rrëmbyer mes ngjarjesh, lajmesh e intervista pune, largimi prej aty më rend drejt një takimi tjetër, atij të përpiktë që nuk dua ta humbas asnjëherë. Është takimi me bashkëshortin, me të cilin zgjedhim që rrugën për në shtëpi ta bëjmë në këmbë. Një dëshirë e shpenguar për të ndarë emocionet në çift. “Kur të pashë pas rrugicës, ndjeva diçka ndryshe. Si ndjen kështu njeriu kur sheh njeriun e dashur?!”. Ishin pikërisht këto fjalë që ndalën tek unë për një çast kaq lumturisht. Në një qytet të madh, të zhurmshëm, me plot ndryshime e njëherësh hutues, sa bukur na e përkëdhelin shpirtin këto fjalë dashurie.

Një mike, pas një bisede, më shkruan në mesazhin e Facebook-ut: “të puth zgjuarsi”. Modestish më bënë të ndihesha mirë me veten. Ka njerëz që natyrshëm u rrjedhin qëndrime të tilla. Sa me fat janë! Të mendosh, ata që ndajnë ditët me ta, marrin nga mirësia e pozitiviteti i tyre.

Ka kaq shumë momente që ndryshojnë gjendjen e njeriut, ashtu sikur dhe çaste negative që ta presin rrugën. Por as e mbaj mendjen aty. Në fund të fundit, ka dhe herë të atilla, që duhen pranuar!

Jemi të ndryshëm. Mendimet nuk mund “të rrihen” njësoj. Jeta përndryshe do ish monotone. Të thithësh të njëjtin ajër, të ndash ngrohtësinë nga i njëjti diell, nuk do të thotë të jemi njësoj. Ajo që kemi në dorë është të përcjellim atë që është e vlefshme për veten dhe shoqërinë. Pozitiviteti është ekuilibri që ruan raportet e vetes me të tjerët. Një fjalë e bukur, të zbukuron, por një e shëmtuar përmban sinonimin karakterialisht të njëjtë me rrënjën e fjalës.

Lumturia gjendet kudo. Në natyrë, parqe të gjelbra, në det, lumë a thjesht në një burim ujor buzë rrugës drejt fshatit turistik për ku je nisur. Mjaft t’i japësh vetes qetësinë e duhur për të shijuar gjithçka. Në kilometrat e jetës, ajo që duhet t’ia ushqejmë vetes është pikërisht qetësia dhe motivi që duhet të vijë prej gëzimit, të mirave që na janë dhënë, jetës që duhet jetuar, pavarësisht gjithçkaje. Bindja dhe të menduarit pozitivisht të rrisin, të çojnë përpara e të lartojnë jo thjesht idetë, por si një individ të shëndoshë për shoqërinë. Besojini vetes, kënaqësive, qoftë edhe të vogla, dhe shpërblimi do të jetë një jetë e jetuar bukur!

Botuar në revistën “Psikologjia”, në numrin 119

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top