Editorial

March 8, 2017 | 8:52

Editorial / Nëna

Ky është një dedikim i thellë që thërret zë brendshmi: Nënë, gjithçka e mundshme, themeli më i rëndësishëm i jetës, dimensioni unik në univers.

Çdo femër përgatitet që në fëmijëri për misionin e saj hyjnor, mëmësinë. Shpirti i saj, zemra, vetë barku krijojnë një marrëdhënie instiktive me diçka që edhe nëse nuk e dinë, e ndjejnë. Gjithçka përgatitet për atë që do të marrë dhe përkushtimin më të madh. E ndoshta prej këtej zë fill cilësimi: “zemër nëne”.

Nga Orjona Tresa

Nga Orjona Tresa

Shkrimtarë të përbotshëm u kanë dhuruar vargje të dlira nënave të tyre. “Zemra e një nëne është një humnerë në fund të së cilës ka gjithmonë një falje”, shkruante Honoré De Balzac. Ndërsa Marcel Proust në citatet e tij e vlerëson: “Këshilluesja ime e vetme ishte nëna ime, e cila do më dhuronte gjithmonë një të puthur sa herë që shtrihesha për të fjetur”. E po të vazhdosh me tej e sheh që thënie të tilla nuk kanë fund.

Ndikimi i nënës përfitohet falë rolit të saj mëkues, edukativ, ndijor, pas të cilit gjithaq ka bërë një vepër arti. Një nënë është e gatshme të jepet me gjithësinë e saj para çdo gjëje, pa kushte e asfarë vështirësi. Ajo gjindet me praninë e saj, shëruese dhe mbështetëse gjithashtu. Ajo është gjithmonë aty, pa kurrfarë interesi, shpërblimi a shpagimi. Falë misionit më të vyer, ajo ngjiz frytin e jetës, krijesën e saj prej nga varet trashëgimia.

nena

…Po, e nisa nga përvoja personale. E padyshim e tillë është e të gjitha grave në pritje për t’u bërë nëna. Përjetimi i shtatzënisë së parë më mësoi shumë gjëra për mëmësinë. Ishin ato çaste kur veten e shihja më të rritur, këmbëngulëse, të sigurtë, pa frikë për t’u përballur me sfidën e re, më të fortë e natyrisht më të përkushtuar ndaj një qenieje që më përkiste thellësisht. Shpirti im e ndjente këtë. Instinkte që bluanin e ushqenin një dashuri të patjetërsueshme, e gatshme për t’u dhënë pa kursim. Një e qarë që më zgjonte, më gjente gatitu, një rënkim a një kërkesë e fshehur pas belbëzimit, më bënte të zbërtheja gjuhën e vogëlushit tim. Me rritjen e tij, në kujtesë rizgjoheshin tregimet e nënës time. Rrëfime që bëheshin bashkë e ngjizeshin në modele që i përjetoja me ndjesi të ngjashme. Pas një përjetimi të tillë më vjen në mend dhe një proverb i vjetër hebraik i cili thotë thotë: “Zoti nuk mund të ishte gjithandej, ndaj krijoi nënat”.

Nënat e djeshme… të forta, të afta për të përballuar jetën në çdo detaj, të përkushtuara e lodhura si ato. E megjithatë aspak të heshtura për mirërritjen e fëmijëve të tyre. Punonin me turne e merreshin me detyrimet e shtëpisë që dukeshin sikur nuk mbaronin kurrë. Ama kurrë nuk u ankuan dhe u falën dashuri fëmijëve të tyre.

Ndryshe nga nënat e djeshme, nënat e sotme kanë fatin për një jetë më të mirë, për lehtësira në mirërritjen e fëmijëve, e padyshim kjo i bën ato të jenë më aktive dhe vazhdimisht në karrierë.

 

Botuar në revistën “PSIKOLOGJIA”, në numrin 106

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com