Radiografi

June 19, 2018 | 11:25

EDLINA LOSHA: Në kopshtin e zanës…

Nga Orjona TRESA / Foto Vlasov SULAJ

Ajo e shijon çdo frymëmarrje, perceptim imazhesh vizuale dhe ndjesi shpirtërore, si një çast magjik i papërsëritshëm. Duket si një botë që ka ditur ta ndërtojë mbi trille imagjinacionesh të pakufijta e fantazi përrallash. Gjithkund bluan ide, prek lëndë, gërmon e kërkon që çdo fragment të kohës e natyrës ta shndërrojë në situata reale, të prekshme, e të dëlira jo vetëm për vete, por edhe për të tjerë! Çdo ditë e re, rrezet e shndritshme të diellit mëngjesor, por dhe vetë muzgu i murrmët e mbush plot energji dhe optimizëm. Ndërsa thotë pareshtur se ka një dëshirë të shfrenuar për ta bërë botën më të lumtur, a thua se ka vërtet atë shkopin magjik të zanës çudibërëse.

Mbi pragun e mermertë, në buzëkatin e një ngrehine të vogël, ngjitesh përmbi disa shkallëve zbavitëse, ku secila ka nga një mbishkrim motivues nën to. Sentenca e tyre vjen në formë udhëzimesh për mirërritjen e fëmijëve dhe edukimin e tyre. Ndërsa në hapësirat përreth mureve, konkretizimi vjen i qartë mes fotosh e pikturash mbresëlënëse. Jemi në kopshtin “Princi i lumtur”, ku në fakt, të ndjerit si i tillë është mbi të gjitha një detyrim moral për çdo fëmijë. Përfshihesh në gumëzhimën e “zogjve” të vegjël, të cilët me argëtimin e lojërat e tyre e shprehin mjaft qartë emocionin që po përjetojnë. Pikërisht, pa këto tinguj që ndihen nëpër të gjithë hapësirën prej 200 metrash katrorë, ajo nuk mund të bëjë.

Janë ata që me gjallërinë e tyre i japin jetë ambicies, sfidës së saj me moshën dhe mbi të gjitha, dashurisë që ka për një grupmoshë që e bën të ndihet e gjallë. Edlina Losha është sipërmarrësja “e çmendur” do guxoja ta etiketoja, pas botës fëminore. Ajo ndihet po aq fëmijë kur i duhet t’i përvishet punës për të dhënë maksimumin për edukimin e argëtimin e tyre njëherësh. E para administratore, do thosha, që ka ndërtuar një kopsht përrallash, ku çdo mjedis ka kultin e vet, ku gjithçka është e personalizuar për çdo fëmijë, ku kurrikula ushtrohet e gërshetuar sipas standardeve europiane, ku mbi të gjitha, jeta e fëmijëve shndërrohet në një parajsë fantazish mes personazhesh të pëlqyera nga vetë ata.

Sikundër në çdo sezon, Eda ribën çdo gjë nga e para, fëmijët rishpërblehen me motive të reja dhe adrenalinë për të kaluar një cikël të ri shkollor. Por Eda nuk është kaq “e çmendur” vetëm pas të jetuarit mrekullueshëm në një botë fëmijësh. Ajo ndihet si një zog i lirë në zbulim të vendeve dhe kulturave botërore, prej nga mbushet plot dashuri dhe mirësi.

Cila është bukuria e jetës sipas jush?

Bukuria e jetës për mua është të ndalesh një çast dhe të shohësh përreth diellin që shkëlqen, qiellin e pastër, zogjtë që cicërijnë, aromën e ajrit, një pemë, degët e së cilës më vijnë deri te dritarja, (ndërkohë që trungun ia kam lyer vetë me bojëra të ndryshme, për ta bërë atë të “gëzuar” në çdo ditë të vitit!). Është te përshëndetja dhe buzëqeshjet që u jap njerëzve që takoj çdo mëngjes, te fryma optimiste dhe e gëzuar që dua t’u transmetoj atyre, që ndërsa ikin nëpër punërat e tyre, t’u ketë mbetur sadopak nga ky pozitivitet që u transmetoj. Është te parimi që ta jetosh ditën sikur të ishte dita e fundit, sepse vërtet që të ardhmen nuk e di askush! E parë në këtë këndvështrim, nuk ka më të bukur se Jeta!

Çfarë ju bën ta përjetoni me nota pozitive?

Më vjen natyrshëm. Që e vogël, kur ngrihesha në mëngjes, e shihja veten shumë të gëzuar. Më bënte shumë optimiste çdo ditë e re. Dhe kjo të vjen nga brenda. Ngritjet e gëzuara në mëngjes vijojnë me të njëjtin ritëm edhe sot, dhe im shoq sheh shpesh një njeri që vetëm buzëqesh, ndërsa ai i hap sytë. Kurse pasditet, ato më shumë se kudo, i zbulova gjatë një udhëtimi në Santorini. Atje mbyllja e ditës bëhet me ceremoni. Kush e kush më parë të shkojë në cep të ishullit, (Oia), dhe ulur, duke pirë Sangria, ose shumëkush në këmbë prisnin uljen e diellit. Pasi kjo ndodhte, të gjithë duartrokisnin dhe përqafoheshin me njëri-tjetrin. Faleminderit Zot që kaluam edhe një ditë kaq të bukur, dhe që pamë madje këtë perëndim unik, pasi çdo ditë është unike dhe nuk vjen më, ashtu sikundër edhe ne! Pikërisht aty, pikërisht atëherë kuptova se sa rëndësi kanë gjërat e thjeshta në jetë, siç është një perëndim dielli. Atëherë pse ky mos të bëhet një ritual në jetë dhe ti t’i falesh ditës që iku dhe të falënderosh për gjithë këtë mirësi?! Është e mrekullueshme kjo!

Çfarë është për ju mirësia?

Mirësia gjendet që nga veprimet e vogla dhe të thjeshta. Në punën që bëj, duhet shumë kjo. Të tregosh mirësi, në radhë të parë te fëmijët, për mua është parësore. Por, sadifaksioni më i madh është kur ti e merr atë dhjetëfish të kthyer mbrapsht nga ata. Dhe kjo ta mbush zemrën me gëzim.

E ndeshni atë?

E ndesh shpesh, madje më prek shumë, sepse siç ju thashë, kam vënë re që në natyrën njerëzore, por edhe më gjerë, shpeshherë të kthehet mbrapsht mirësia që ti jep. Por ndër miqtë që kam, janë të shumtë ata që bashkë me ndihma dhurojnë edhe “dashuri” dhe bashkë me dashurinë dhe mirësi. Për vete nuk është se pretendoj shumë në jetë, prandaj edhe një gjest fare i vogël mirësie më prek dhe më emocionon.

Si ju duket shoqëria e tashme krahasuar me të djeshmen?

Nuk e kam zakon që të bëj krahasime, apo të vendos në kandar njerëz apo periudha. Jetën e marr siç vjen. Edhe shoqërinë, gjithashtu. Çdo periudhë ka të mirat dhe të këqijat e veta. Është si një varg zinxhiri me hallka të lidhura me njëra-tjetrën. Asgjë nuk vjen rastësisht.

Vuani?

Jo, nuk vuaj. Vuajtja është “fjalë” e madhe. Thjesht mërzitem ndonjëherë. Mërzitem kur punoj e punoj, dhe nuk arrij aty ku dua, sepse kërkoj perfekten. Ose kur ne kemi punuar shumë mirë, kemi dhënë maksimumin tonë, por për shkak të punës që kemi, qëllon që të krijohen pakënaqësi të vogla. Kërkoj më të mirën në punën time. Punës i kam dhënë një frymë bashkëkohore, perëndimore, përditësohem me gjithë të rejat, ashtu sikundër një stilist merr dhe bën të vetat trendet e momentit. Por nganjëherë punët ngecin dhe për momentin ngec edhe unë. Ama, për të ecur më para ditën tjetër, me një vizion më të ri, më të pasur. Kurrë nuk rresht së ecuri përpara unë. Puna është shqetësimi im më i madh, dhe dashuria më e madhe.

 

Po lumturinë ku e gjeni?

Siç e ka thënë Keanu Reeves: “Jeta është e mirë kur ke një sanduiç të mirë në dorë”. E thjeshtë fare! Udhëtimet janë pasioni juaj. Sa vite keni që e praktikoni si të tillë dhe cilat kanë qenë përshtypjet e marra? Valixhja në gardërobën time rri përherë “gojëhapur”, e gatshme për udhëtimin e radhës. Kemi filluar të udhëtojmë qysh në kohën kur çonim pasaportën për viza në Ambasadë dhe prisnim dy javë për përgjigjen e vizës, të cilën e merrnim përherë në fakt.

Cili ka qenë udhëtimi më “i çmendur”?

Mendoj, ikja me makinë deri në Moskë për të parë “Netët e Bardha”, 3150 km. Asokohe më kërkoi takim konsulli rus në ambasadë, i cili në një ton si të nënzëshëm më tha: “Ne si ambasadë ruse ju garantojmë jetën me përgjegjësi të plotë që nga momenti i hyrjes në tokën ruse, por më para, apo më pas, ne nuk mbajmë garanci për ju”. Gjithashtu, për të marrë vizën ukrahinase udhëtuam deri në Shkup, pasi këtu në Shqipëri nuk kishte ambasadë. Por disi “i çmendur” u bë, kur parkuam makinën në parkimin e hotelit (super gjigant) në Moskë dhe udhëtuam drejt Shën Petërburgut me tren. Ehhh, kisha lexuar shumë libra rusë kur kisha qenë nxënëse, dhe “Ana Karenina” ka qenë ndër më të preferuarit e mi. Dhe rruga me tren përgjatë gjithë natës nëpër stepat ruse ishte një aventurë me vete. Në dhomë ishim 4 vetë, dhe aty ishte një burrë i ri nga Shën Petërburgu dhe një grua nga Moska. Tërë natën kemi bërë një muhabet “të ëmbël” me ata, dhe mbaj mend që petërburgasi thoshte: “Moska is a big village, a big village”. I dhashë të drejtë pasi pashë Shën Petërburgun.

Po më i lodhshmi?

Nuk jam lodhur kurrë deri më sot. Por muri i Madh Kinez ka qenë një destinacion shumë i lakmuar nga unë. Nuk doja të ikja nga kjo botë pa e parë. Dhe në fakt e realizova dhe Kina është vërtet një vend shumë i madh. Kur aty vendasit thoshin “afër”, duhet të nënkuptoje që duhet të bëje 6 orë rrugë me tren.

Vetëm, në çift apo familjarisht?

Unë udhëtoj me tim shoq. Ai është shumë i dhënë pas makinave, dhe vetëm kur një destinacion nuk mund të preket dot me makinë, siç ishin Maldivet apo Karaibet, Dubai apo ishujt Baleare, ai pranon t’i hipë avionit. Ndonjëherë shkojmë edhe me fëmijët, por pikërisht tani, ata kanë filluar t’i kthejnë sytë nga ne. Në momentin kur fëmijët duan të na bashkohen, unë u tregoj “kushtet e turistit”. Ua bëj me dije këto, dhe nëse ata i pranojnë kushtet, unë pranoj që të vijnë me ne. Në të kundërt, ata i sheshojnë mirë këto dhe nuk vijnë.

“Kushtet e turistit”? Çfarë janë këto?

Turisti mund të përballet me gjithçka, por ai duhet të jetë i qetë dhe ta “mirëpresë” fatin e tij. Për shembull, mund të qëllojë që të bllokohet autostrada për orë të tëra, sepse mund të ketë ndodhur aksident. Mund të ndodhë që vargu në doganë të jetë edhe 15 km i gjatë, mund të ndodhë që të helmohesh nga ushqimi, siç më ndodhi mua në Kinë, sepse hëngra dhe piva të gjitha lëngjet me tym, flakë dhe ngjyra që më dolën para. Mund të ndodhë që të mos e kapësh hotelin e rezervuar dhe të përfundosh të flesh në makinë, apo të të vonohet avioni. E çfarë nuk mund të ndodhë! Por turisti duhet të jetë i qetë dhe e rëndësishme është të kthehesh shëndoshë e mirë në shtëpi, por me një bagazh të madh “njohurish dhe aventurash” në kurriz.

Udhëtimi më i fundit i përket një rrugëtimi të gjatë. A kishte një mision të veçantë në llojin e tij?

Udhëtimi i fundit ende nuk është bërë, por ai i para disa ditëve ishte në Ibiza. Më kishte joshur ky ishull prej disa vitesh. Për ato çka ai ofronte, për këngët që kam dëgjuar që i kushtoheshin… “Misionet” i sajojmë edhe vetë ne. Për shembull, gjej një shkak dhe i vë emër udhëtimit, por realisht kishim një përvjetor unë me tim shoq këtë fillim tetori. Dhe çfarë përvjetor se? Atë të njohjes. Por po të merret nga ky këndvështrim, nuk rreshtin kurrë këto “festa” dhe detyrimisht as udhëtimet.

Sa udhëtime shënoni deri më sot dhe sa artikuj regjistroni në numër si asete të blera jashtë kufijve?

Unë përzgjedh destinacionet. Kur dua të shkoj për shembull në Slloveni, kërkoj në internet vendin më të bukur në Slloveni. Dhe aty del lista. I studioj të gjitha vendet, por si më atraktivi më del Bled. Atëherë shikoj distancën, zë hotelin, bëj guitën e vendeve që do shoh, do iki, do “hipi”, restorantet apo baret më të frekuentuara nga turistët për “X” apo “Y” arsye. Dhe, meqë ra fjala te Sllovenia, Bled nuk është i vetmi vend i mrekullueshëm që ka. Sa herë shkoj aty them atë shprehjen që “Zoti ka qenë në qejf kur ka krijuar Slloveninë”. Dhe në rast se do arratisesha larg rrëmujës dhe zhurmës e larg stresit këtu, do shkoja të gjeja prehje dhe paqe në Slloveninë e lulëzuar dhe bukuroshe.

Udhëtimi juaj i radhës, është i planifikuar?

Po merrem me projektimin e rrugëtimit të radhës. Ai është vërtet i gjatë. E kam pasur prej disa vitesh në kokë dhe shpresoj ta realizoj. Bashkë me familjen po projektojmë për të festuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri. Aty ku ke mundësinë për të “takuar” Santa Clausin dora vetë dhe për të parë dhe shijuar ato që quhen “Northen Lights”, aurorat, pikërisht në Lapland, 1720 km mbi Helsinkin në Finlandë. Joshja ime zgjatet edhe më tej, te hoteli. Aty mund edhe të flemë në bungalou, krejtësisht prej akulli, me temperatura nën 0 gradë dhe në fund të qëndrimit do pajisemi me certifikatë. Por këtë të fundit nuk e di se sa do e realizoj, pasi do jemi familjarisht. Por nëse do e bëja, besoj se do ishte eksperiencë fantastike.

  

Po tjetër, tjetër?

Tjetër është ajo që ne i kemi vënë qëllim vetes dhe që po e projektojmë “një udhëtim rreth botës me makinë”. Por nuk dua të flas shumë rreth kësaj, se kam frikë se më prishet “magjia”.

Po në përditshmërinë tuaj cila është motoja?

Motoja është që ta jetoj ditën sikur të ishte e fundit! Kjo më bën të shijoj çdo frymëmarrje madje.

Cili është pasioni më i madh që jua bën të qëndrueshme jetën?

Pasioni për punën.

Kopshti “Princi i lumtur” ishte një ëndërr në sirtar apo dashuri që flinte brenda jush?

Nuk ishte as ëndërr, as dashuri. Erdhi natyrshëm. Por gjatë këtyre viteve kam kuptuar se rastësisht paskam bërë një zbulim. Jam e dashuruar me këtë punë. Më përshtatet me tipin dhe karakterin më së miri.

Në mjediset e tij, ku duhet thënë se ka shumë harmoni, jeni ju e para që e reflektoni. Sa ju sjell në fëmijëri angazhimi për të cilin keni vite që kujdeseni fort?

Një fëmijëri që nuk u shter as u sos tek unë. Kjo punë, të paktën, e “justifikon” më së miri këtë gjë. Pasi unë e tillë do isha edhe në një zyrë shteti, bie fjala. Por, bobo, sa do stonoja! E di çfarë ndikoi që edhe te prindërit të zgjohet kjo? Jo rrallë raste ka, kur mamat vishen me fustanet e princeshave te ne, dhe babat me maskota. Ose kërcejnë në stilin tonë të veçantë: “free style”. Oh, sa kënaqen fëmijët! Ta dini sa kënaqemi dhe ne të rriturit!

Kujdeseni ju për të gjitha, dekorin, arredimin, elementët estetikë, etj?

Jam shumë e dhënë pas arredimit. Kuptohet, marr grupin e arkitektëve, dhe, si të thuash, nuk ngul një gozhdë pa miratimin e tyre. Por shoh edhe shumë në fakt. Sa herë dal jashtë, e mbaj vrapin nëpër kopshte kudo në botë. Kap detaje, dhe përveç zbukurimeve domethënëse, të thjeshta që ata bëjnë, shoh fëmijët, gëzimin në sytë e tyre dhe them, po, këtu fëmijët kënaqen! Pastaj shoh letrat apo punimet në duart e tyre, dhe them “po, këtu punohet!” Oh, sa i dua! Sa më pëlqejnë!

Sa kohë shpenzoni për “Princin e lumtur”?

Gjithë kohën e mundshme, pa kaluar në kurriz të shëndetit. A po e kaloj masën? Di të them që kur jam në Shqipëri, jam në punë gjithë kohës. Gjithçka bashkë me zemrën e kam te “Princi i Lumtur”.

Kur flasim për këtë institucion arsimor, pa dyshim që investimi i parë është stafi dhe kurrikula. Sa aleat jeni për përditësimin e tyre?

Stafi im e di që kur vjen puna për punë, këtu nuk bëhet shaka. Unë them që po punove me mua, nuk ka rrugë të mesme. O do punosh, o do punosh, i zgjedh me shumë kujdes. Të jenë mbi të gjitha “njerëz”, sepse edhe fëmijët që ne po përkujdesemi sot, do bëhen njerëz në radhë të parë. Më pas ata do jenë mjekë, gazetarë dhe kryeministër. Ama duhet të jetë një kryeministër i gëzuar mbi të gjitha, dhe kjo merret që në fëmijërinë e hershme. Sa për kurrikulat, stafi trajnohet vit për vit sipas grupeve ku ato japin mësim.

Jeta familjare është pjesa që plotëson një individ në gjithë qenien e tij. Si është për ju?

Jeta familjare zë peshën kryesore në jetën time. Më plotëson, më mbush, më lumturon. Kam gjithë njerëzit e dashur përreth vetes, dhe në këtë pikëpamje kam arritur lumturinë.

Marrëdhënia me fëmijët? Janë në fazën e adoleshencës e kanë sjelljet e tyre të veçanta. Cili është raporti me ta?

Djali adoleshent, por vendimmarrës. E zgjodhi vetë shkollën e mesme dhe më bindi me argumente për këtë. Zgjodhi një ndër shkollat më të forta dhe kërkuese në Tiranë, sepse atij i pëlqen kjo mënyrë. Kurse vajza është një bekim për familjen që e ka. Jam e lumtur që ajo ekziston.

Jeta bashkëshortore, pas gjithë angazhimeve sa kohë ka për të?

E shohim shpesh veten me njëri-tjetrin. Gjithë verës, sepse fëmijët largohen për pushime me gjyshërit. Nëpër udhëtime ndihemi si shokë “lufte” bashkë. Kemi shumë kujtime nga ato. Çdo darkë, bëjmë plane të ndryshme për udhëtime apo gjëra të bukura dhe këto plane nuk shterojnë kurrë. Një natë i thashë: “A të them një dëshirë që më ka lindur?” Dhe im shoq: “A ka ndonjë rast kur ti nuk ke ndonjë dëshirë? Ma thuaj!”. Dhe sapo unë ia them dëshirën, ai kurdoherë përgjigjet: “Po”. Më kënaq fare ai mua! Ose për ndryshimet që bëj në pamjen e kopshtit, ndryshime të cilat janë të përvitshme, sepse çdo vit dua që ata të gjejnë një “kopsht të ri”, më të bukur se ai që kishin një vit më parë. Dhe ndryshimet i kënaqin shumë fëmijët. Ua lexoj lumturinë në sy kur shohin se sa i bukur u është bërë kopshti. Të gjitha këto plane, fillimisht i “thur” me tim shoq, të cilin e kam mbi të gjitha edhe një shok të mirë që më gjendet pranë në çdo moment të jetës.

Përtej të gjithave, sa kohë të lirë gjeni për veten tuaj?

Veten e dua. Nëse nuk do doja veten, nëse nuk do doja ta shihja mirë atë, ç’kuptim do kishin të tjerat? Gjej kohë për ecje, për palestër herët në mëngjes, ndonjë drekë me miqtë, ose me tim shoq. Kur miqtë kanë punë, vizitat e përmuajshme te parukierja, estetistja, blerjet nëpër dyqane, etj.

Stili juaj shpërfaq një vlerësim të lartë për imazhin, dukjen. Sa ju ndihmon kjo në të ndjerit emocionalisht mirë edhe në përditshmërinë tuaj?

Jam e dhënë pas të dukurit mirë estetikisht. Kjo më bën që të tregohem e kujdesshme për imazhin, dhe asgjë tjetër.

Sa investoni për gardërobën? Jeni përzgjedhësve apo thyeni kremastarët për t’i pasur të gjitha?

Jam e kujdesshme në përzgjedhjen e rrobave që blej. Kontrolloj me kujdes materialin, shoh me sy kritik copën dhe se si rri në trup. Mendohem gjatë rreth kësaj dhe nuk tundohem fare nëse është në modë apo jo. Thjesht, a është komode, dhe se si mua më “këndon” në trup. Nuk kam maninë që të rëndoj kremastarët, por çdo kremastari i vendos një veshje, aksesor, rripin shallin dhe ja tek u bë veshja e duhur!

Kush ju frymëzon në këtë aspekt, apo çfarë ka ndikuar në stilin tuaj?

Kam një vizion në mendje për veshjen që dua. Shpesh hyj në dyqan dhe i sajoj veshjet aty, i kombinoj dhe i provoj. I kam qejf veshjet e reja dhe kam qejf të gris sa më shumë etiketa. Por mund të rri edhe 5 muaj pa blerë asnjë rrobë të re. (Veçanërisht kur është ajo moda me veshje ngjyrë gri dhe kafe për shembull, që mua nuk më afrohen fare me tipin tim).

Përveç udhëtimit, cilat janë pasionet e tjera që e plotësojnë Edën?

Kisha vetëm një dëshirë përtej këtyre. Të shkoja në Hënë. Por pasi pashë një film, “Infinity” m’u sos kjo dëshirë dhe u ndjeva pak e zhgënjyer që kjo dëshira s’paska një fije mundësie plotësimi. Apo kam shpresa?!

Nëse do të kishit një shkop magjik, si të zanës, çfarë do të ndryshonit në jetën tuaj?

Do t’i thosha zanës, lëre shkopin dhe ma jep mua se dua ta bëj të gjithë botën të lumtur! Me atë rast unë bëhem zanë!

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 125

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top