FB

May 13, 2026 | 15:03

Nga Ilir Çumani: Përtej Robert Ndrenikës dhe inkuizicionit digjital

Ka diçka tragjikisht provinciale dhe të pakuptueshme njëherazi në mënyrën sesi shoqëritë e lodhura nga politika fillojnë të sillen me njerëzit e artit. Veçanërisht me ata që për dekada kanë qenë jo thjesht aktorë, por pika reference dhe pjesë e një rrugëtimi të gjatë mes brezave të kujtesës emocionale të një kombi.

img-20260513-wa0000

Në vende të qytetëruara, artistët e mëdhenj ruhen si asete të paçmuara shpirtërore, si arkiva të gjalla të ndërgjegjes kolektive. Tek ne, mjafton një gjest, një fotografi, një ndjesi apo një fjali e thënë jashtë tribunës së urrejtjes dhe turma kolektive digjitale ngrihet vringthi si gjykatë inkuzicioni. Të kuptohemi, e gjitha kjo nuk ka të bëjë vetëm me një aktor të kalibrit dhe peshës artistike që përfaqëson Robert Ndrenika, dhe as vetëm me politikën.
Personalisht, gjykoj se kjo është simptomë e një sëmundjeje më të thellë sociale: paaftësisë sonë për të ndarë njeriun nga bindja, artistin nga momenti, veprën nga emocioni politik i ditës. Shoqëritë e pasigurta, siç është edhe kjo e jona, kanë gjithmonë nevojë për altarë të përkohshëm dhe për djegie publike.
Sot ngrihesh në qiell, nesër të hedhin në turrën e druve si në kohën e inkuizicionit. Ky ritëm brutal adhurimi dhe linçimi nuk lind nga forca morale e qytetarisë, por nga mungesa e saj. Është psikologjia e turmës së irrituar që nuk kërkon më të kuptojë, por vetëm të ndëshkojë deri në brutalitet. Dhe kur ndëshkimi bëhet sport kolektiv, atëherë çdo figurë publike shndërrohet në “mish” për konsum emocional.
Në Shqipëri, kjo tashmë është bërë pothuajse një kulturë politike. Pas viteve ’90, ne nuk ndërtuam dot një etikë të debatit publik, por një treg të çuditshëm të urrejtjes pa anë e fund. Fillimisht në parlament, më pas në televizione dhe në median e shkruar, e sot në rrjetet sociale. Gjuha e përjashtimit, e poshtërimit dhe e asgjësimit moral u kthye në instrument dominues komunikimi. Në vend që demokracia dhe e drejta për të menduar ndryshe të na edukonin me kulturën e pluralizmit, me qytetarinë e debatit dhe me etikën e bashkëjetesës njerëzore, ne shpesh prodhuam të kundërtën e saj: një shoqëri të ndarë në kampe emocionale, ku bindja politike u shndërrua gradualisht jo në mendim, por në identitet tribal.
Demokracia, e cila duhej ta çlironte individin dhe ta mësonte të respektonte tjetrin edhe kur nuk pajtohet me të, u përdor si arenë përjashtimi, ku kundërshtari nuk shihet më si bashkëqytetar me një ide tjetër, por si armik që duhet mundur me çdo mjet, poshtëruar ose përbaltur publikisht. Në vend të kulturës pluraliste të dialogut, u krijua tek individi një dualitet karakterial plot deformime sociale, morale dhe psikologjike. Nga njëra anë lindi “fisnikëria” e rreme e militantit, si një maskë morale që flet në emër të parimeve, ndërsa ushqehet nga hipokrizia dhe urrejtja, servilizmi dhe nevoja për t’i përkitur turmës. Nga ana tjetër u forcua brutaliteti anonim i masës, ai instinkt kolektiv që sulmon pa menduar, dënon pa gjykuar dhe përbalt pa ndjerë asnjë përgjegjësi njerëzore. Kështu, liria e fjalës, në shumë raste, nuk u kuptua si përgjegjësi qytetare, por si licencë për linçim publik. Dalëngadalë, kjo klimë prodhoi një deformim më të thellë antropologjik: humbjen e aftësisë për të bashkëjetuar me mendimin ndryshe. Shoqëria nisi të mos e durojë më nuancën, qetësinë, arsyen apo kompleksitetin njerëzor.
Çdo gjë duhej të ndahej bardh e zi — me ne ose kundër nesh. Dhe pikërisht aty filloi degradimi i vërtetë i kulturës demokratike, sepse demokracia nuk vdes vetëm nga autoritarizmi i pushtetit, por edhe nga barbaria i ndërgjegjes kolektive. Kështu u krijua një fenomen i frikshëm, ku shqiptari nisi ta shohë shqiptarin jo si kundërshtar, por si armik moral që duhet delegjitimuar plotësisht.
Nuk mjafton më të mos jesh dakord me dikë, por me çdo kusht e mjet duhet ta zhvlerësosh, ta përbaltësh, ta zhveshësh nga dinjiteti publik. Dhe kur kjo logjikë prek artin, shoqëria hyn në një fazë dekadence kulturore.
Ngase arti nuk mund të matet me militantizëm, as me sinoret e partive, partiçkave apo lëvizjeve të çfarëdolloji.
Një aktor i madh nuk bëhet i vogël nga një fotografi e çastit, as nga një afërsi njerëzore me një politikan, engjëll apo zullumqar, quaje edhe mëkatar po të duash.
Vepra e një artisti nuk zhbëhet nga emocionet e ditës, ngase kujtesa artistike e një kombi nuk mund të rishkruhet sipas nervozizmit dhe epsheve frenetike e irracionale që vërshojnë pa fre në rrjetet sociale. Përndryshe do të na duhej të digjnim bibliotekat, tempujt e dijes, të mbulonim pikturat dhe të ndalonim filmat sa herë që autori nuk përputhet me moralin politik të momentit.
Mirëpo, problemi ynë nuk qëndron vetëm tek intoleranca politike. Kriza është më e thellë dhe më shqetësuese, ngase kemi filluar të humbasim aftësinë për të vlerësuar madhështinë, për të respektuar vlerat që na janë përcjellë brez pas brezi dhe për të mbrojtur atë që duhet të ishte e shenjtë dhe e pacenueshme në vetëdijen e një kombi — kujtesën, identitetin dhe përkatësinë tonë shpirtërore e kulturore.
Dalëngadalë po zbehet respekti ndaj figurave, veprave dhe trashëgimisë që kanë formuar ndërgjegjen kolektive të kësaj shoqërie. Dhe kjo është shenjë e një lodhjeje morale të rrezikshme, sepse një popull që nuk di të nderojë vlerat e veta, nis pa e kuptuar të zhvlerësojë edhe vetveten.
Kur rrëzohet respekti për autoritetin moral, për artin, për dijen dhe për kontributin njerëzor, atëherë në hapësirën publike fillojnë të triumfojnë zhurma, cinizmi dhe brutaliteti.
Shoqëritë nuk humbin vetëm territor apo mirëqenie; ato humbin para së gjithash busullën shpirtërore. Dhe momenti më i rrezikshëm për një komb është kur ai fillon të zhbëj dhe të tallet me atë që dikur e konsideronte të shenjtë, të dyshojë tek vlerat që e kanë mbajtur gjallë dhe të sulmojë figurat që përfaqësojnë kujtesën e tij historike, artistike dhe njerëzore.
Në fakt, ndodh që shoqëritë e vogla shpesh e kanë të vështirë të pranojnë lartësinë e figurave të mëdha. Ato ndihen më komode kur rrëzojnë sesa kur admirojnë, ngase admirimi kërkon kulturë, ndërsa rrëzimi kërkon vetëm mllef. Kjo është arsyeja përse në hapësirat tona publike po triumfon gjithnjë e më shumë cinizmi, verbëria e urrejtjes dhe hakmarrjes. Heroi zëvendësohet nga tallja dhe autoriteti moral nga ironia. Dinjiteti nga zhurma.
Në këtë klimë, rrjetet sociale nuk funksionojnë më si hapësira komunikimi, por si mekanizma dënimi publik. Aty nuk kërkohet e vërteta, por amullia dhe zhurma e spektaklit dhe e shkatërrimit. Turma anonime nuk ka interes për nuancë, as për kontekst. Ajo kërkon viktimë. Dhe viktima ideale është gjithmonë ai që ka emër, histori dhe peshë simbolike. Në thelb, kjo është krizë qytetërimi. Një shoqëri që humbet aftësinë për të respektuar figurat e veta kulturore fillon dalëngadalë të humbasë vetveten por edhe kujtesën. E kur një komb hyn në konflikt me kujtesën, ai bëhet i manipulueshëm, nervoz dhe shpirtërisht i varfër.
Ndoshta problemi më i madh i kohës sonë nuk është urrejtja politike, por fakti që po mësohemi me të, me gjuhën e baltës, me kulturën e linçimit, me dhunën verbale që paraqitet si moral publik. Dhe kjo është shumë më e rrezikshme sesa një debat politik i zakonshëm, sepse gradualisht deformon vetë ndjeshmërinë njerëzore.
Potenciali i një kombi nuk matet vetëm me ekonominë apo zgjedhjet, por edhe me mënyrën sesi një shoqëri sillet me njerëzit që i kanë dhënë fytyrë shpirtit të tij.
Ndjesë për ata që nuk më kuptojnë edhe përmes këtyre radhëve….

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top