FB

October 5, 2021 | 11:11

Edlina Losha: Pedocin, ose plazhi i vetëm në Evropë i ndarë me mur sipas gjinisë

E dini që në Trieste, në Itali, ekziston një plazh ku gjatë gjithë kohës burrat nga gratë i ndan një mur, dhe jo një mur dosido, por tre metra i lartë, i cili vijon edhe në det?

Kur dëgjova për herë të parë për këtë plazh, u bëra shumë kurioze. Si? Pikërisht në Trieste, pikërisht në një ndër qytetet më të emancipuar dhe kulturuar në Itali, të jetë një plazh i tillë ku burrat dhe gratë me fëmijët rrinë të ndarë? Dhe që është i vetmi i këtij lloji i mbetur në Itali dhe madje në të gjithë Evropën? Dhe që, për të hyrë aty duhet të paguash çmimin simbolik prej vetëm 1 Euro? Që është i hapur gjatë gjithë vitit (sepse triestinët e duan shumë diellin) dhe madje edhe mund të abonohesh? Menjëherë fillova të “gërmoj” rreth tij dhe sigurisht që shkova ta shikoj me sytë e mi.

0

Ky plazh njihet kudo me dy emra, quhet “Laterna“ ose “Pedocin”. Emri “Laterna” ndoshta vjen për shkak të farit shumë dominues me të njëjtin emër, i cili ngrihet shumë pranë plazhit. Kurse emri “Pedocin” ka origjinë më komplekse: në dialektin  vendas “pedocin” mund të nënkuptojë dy gjëra: “morra ose midhje”. Në rastin e parë, emri do të aludonte në një histori të veçantë, kur në kohën e Franz Joseph I të Austrisë plazhi mbyllej nga ora 2.00 në 4.00 pasdite për të lejuar ushtarët të shkonin dhe të laheshin, siç duket për të “mos zënë morra”. Në rastin e dytë, i referohen kohërave kur midhjet kultivoheshin në ujërat që rrethonin Lanternën.  Por ka edhe nga ata që thonë se “pedocin” është një paraqitje e gabuar e “chiodo”, një gozhdë e vogël, domethënë gozhdët në të cilat njerëzit varin rrobat para se të hyjnë në plazh. Dhe vërtetë që aty ka shumë “gozhdë”, ku secili mund të varë lirisht rrobat e veta.

Por si është në të vërtetë historia e këtij plazhi?

Bashkë me mikeshën time Irma, që prej vitesh jeton në Trieste, kur për herë të parë erdhëm këtu, mbetëm të mahnitura! Sa për referim, plazhi nuk është larg qendrës. Aty mund të shkohet edhe në këmbë. Është kjo dhe arsyeja e inaugurimit të tij rreth vitit 1903 – por që flitet se ka më shumë se kaq – pra që qytetarët të mos detyroheshin të shkonin larg për plazh me familjet dhe fëmijët e tyre, por vetëm pak hapa larg qendrës së qytetit. Në fillim ndarja ishte me gardh, e më vonë me mur. Kështu që shumë shpejt unë dhe Irma e pamë veten para hyrjes së tij, të bardhë me blu, që sigurisht është unike, pasi në një anë shkruhet “Gratë dhe fëmijët”, nga ana tjetër “Burrat”.  Një polic qëndron gjithmonë te kjo derë e dyfishtë dhe nuk të lë të gabosh! Ndoshta komoditeti që aty kishte vetëm gra, ndoshta moskokëçarja dhe liria që shpalosnin gratë aty si në veshje, qëndrim, paraqitje, ndoshta ai qiell i kaltër që reflektohej më së miri mbi rërën dhe muret e bardhë, shpengimi i përgjithshëm që nga sesi dukeshin flokët apo kostumi i banjës, e të gjitha me radhë ndikuan edhe te ne!

2Kur dolëm, i hodha një sy pjesës së burrave! Edhe aty ekzistonte një klimë e mirë, e dashur dhe babaxhane mashkullore. Por që të futesh në pjesën e seksit të kundërt, duhet një leje e posaçme, kështu që unë një sy i hodha. Te dera, një polic (ishte ndryshuar tashmë, nuk ishte ai i pari), shumë simpatik, i gjatë, i bëshëm dhe me sy jeshile, e kuptoi kuriozitetin tim.  -“Ka më shumë se një shekull kështu”, – tha ai. – “Që në 1890. Kështu ka qenë dhe kështu do të vazhdojë. Edhe kur është propozuar të shembet, njerëzit nuk kanë pranuar! Është i  vetmi plazh i tillë i mbetur në të gjithë Evropën. Dhe për çfarë kujtoni ju se e duan njerëzit këtë? Thjesht për liri! Njerëzit ndihen më të lirë kështu dhe e shfrytëzojnë këtë liri! Kjo është më e bukura këtu!”

Dhe është e vërtetë! Sipas shumë njerëzve, arsyeja pse njerëzit në Trieste janë të lidhur ngushtë me këtë “mur” nuk është ajo që mund të imagjinohet: nuk bëhet fjalë për “fanatizëm” por në kundërshtim me të – pra bëhet fjalë për “lirinë”.  Ndarja e plazhit sipas seksit – për një plazh të vetëm, për më tepër, brenda një hapësire të njëjtë, në tërësinë e përgjithshme të plazheve të hapura për të gjithë – thjesht do të ishte një shans më shumë që njerëzit – në këtë rast burrat nga njëra anë dhe gratë në anën tjetër, të bëjnë atë që duan. Pra një ndarje me mur për më shumë liri!

Disa fakte:

Shembja e murit është propozuar disa herë. Në 1943, gazeta Trieste, Il Piccolo, e bëri atë një çështje ekonomike: për familjet më pak të pasura, në fakt, të paguanin hyrjen ishte një pengesë dhe bashkimi i plazhit mund të kishte sjellë më shumë njerëz, prandaj duhej të ulnin kostot dhe duke e bërë gjithçka më komode. Por askush nuk pranoi! Të gjithë donin që muri të qëndronte! Në vitin 2009 banjo u rinovua plotësisht dhe u rikthye në pamjen e saj origjinale: tani është e gjitha blu dhe e bardhë.

Gjithashtu, muri është rrëzuar vetëm një herë në 1959, për t’u rindërtuar menjëherë disa metra më tej: nëse në fillim, në fakt, plazhi u nda saktësisht përgjysmë, nga viti 1959 e tutje u dha më shumë hapësirë grave, për shkak të pranisë së fëmijëve (deri në 12 vjeç) dhe për shkak se ata ishin frekuentuesit kryesorë të Lanterna.  Hyrja me pagesë u prezantua fillimisht në vitin 1938: çmimet kanë ndryshuar gjatë viteve, por gjithmonë kanë qenë shumë të ulëta, aq sa për të mbajtur një plazh të dyfishtë.

Është një plazh unik, i fundit i llojit të tij i mbetur në Itali e madje në të gjithë Evropën.

 

By: dreamtravel.world

Eda Bano Losha

Instagram: dreamtravel.world

1

Botuar në revistë Psikologjia, Nr.172 TETOR

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top