Marrëdhënie

December 10, 2015 | 10:05

Edlira Çepani: Çdo gjë fillon nga dashuria!

Edlira Çepani me profesion juriste, kryesisht në çështjet e së drejtës civile, Koordinatore Kombëtare e Rrjetit të Grave “Barazi në Vendimmarrje”. Bashkëshorte e deputetit demokrat Gert Bogdani.

Martesa jonë është një martesë mes dy njerëzve që punojnë shumë, që kanë shumë sfida, që lodhen shumë, por është pikërisht kur i mbyllim derën gjithçkaje në një përqafim, që më kujtohet se më sa fat jemi që kemi gjetur tek njëri-tjetri, atë që na plotëson, gjysmën tonë më të mirë, mbështetjen për gjithçka në këtë jetë!

Fuqizimi i familjes është gjëja më e rëndësishme tek e cila duhet të investojë çdo shoqëri, çdo individ, çdo vendimmarrës. Në perceptimin e Edlira Çepanit, familja është bërthama, kjo nyjë e rëndësishme e shoqërisë, ku sipas saj, individi formohet dhe merr në çdo kohë energjinë për të qenë pjesë e botës. Bashkëshorte dhe nënë e Ajras së vogël, Edlira thotë se, familja shqiptare është ende një institucion solid, është ende një lidhje e fortë, e cila në këtë kohë të pushtuar nga individualizmi, është një fat që e kemi dhe që mundohemi ta ruajmë. “Familja shqiptare, për shkak të tranzicioneve të shumta e të shumëllojshme sociale në të cilat kemi kaluar e vijojmë të kalojmë, ka patur pafund sfida, trauma e vështirësi, por jam krenare për faktin që në Shqipëri ende i ruajmë fort vlerat e familjes. Për mua fjalët kyçe të një familjeje të shëndetshme janë dashuria, mbështetja dhe respekti, çdo ditë duhet të investojmë për t’i ruajtur me kujdes këto vlera të domosdoshme!”

Intervista:

Martesa është hapi i duhur për të shërbyer në rritjen, zhvillimin, edukimin dhe harmoninë e pamohueshme të familjes. Si ka qenë për ju kjo periudhë, që nga hedhja e këtij “hapi” deri më sot me një vajzë të vogël dhe bashkërendimin e detyrimeve të ndryshme me të cilat haseni gjatë ditës?

Familja për mua është gjëja më e rëndësishme! Dhe patjetër që çdo gjë fillon nga dashuria! Familja është bërthama e një dashurie e cila mban gjallë botën dhe besoj martesa është hapi me të cilin dy njerëz vendosin që ta zyrtarizojnë dashurinë e tyre dhe të krijojnë një familje të re. Është si hedhja e farës për të mbjellë një pemë, ata së bashku hedhin një farë e më pas që ajo pemë të rritet e të japë fryte, ka nevojë për kujdes dhe vëmendje të veçantë, ditë pas dite. Për mua familja është një investim i përditshëm! Në këtë botë në të cilën jetojmë, mund të jetë edhe sfiduese të krijosh një familje model, por unë kam menduar gjithmonë se investimi im më i vlefshëm në jetë është ai që bëj tek familja, ndaj s’do lodhem asnjëherë së qeni një mbështetje për familjarët e mi e së investuari çdo ditë me gjithë dashurinë time, që ata të jenë të lumtur. Martesa ime me Gertin, ka nisur me një dashuri që ka qenë gjithmonë një frymëzim për mua, e vijon me një dashuri të kurorëzuar më bukur se kurrë me Ajrën tonë. Nuk ka dhuratë më të madhe që Zoti mund të na kish bërë, së sa një fëmijë si Ajra. Është një bekim që unë nuk e kisha imagjinuar kurrë kaq të jashtëzakonshëm. Martesa jonë është një martesë mes dy njerëzve që punojnë shumë, që kanë shumë sfida, që lodhen shumë, por është pikërisht kur i mbyllim derën gjithçkaje në një përqafim, që më kujtohet se më sa fat jemi që kemi gjetur tek njëri-tjetri, atë që na plotëson, gjysmën tonë më të mirë, mbështetjen për gjithçka në këtë jetë! Në të gjithë këtë botë me miliarda njerëz, është një fat kaq i bukur që unë e pata mundësinë të gjeja gjysmën time më të mirë!

Nisur nga problematikat e kohëve që jetojmë, ana ekonomike (papunësia, strehimi, divorcet,) e pasiguri të tjera, cili është gjykimi juaj, sa ka ndryshuar koncepti për martesën dhe familjen?

Si një aktiviste për të drejtat e njeriut, por edhe si një juriste që herë pas herë është marrë me çështje të vështira familjare, mbi të gjitha divorce, unë e kam kundërshtuar dhe vijoj ta kundërshtoj në çdo mënyrë martesën që nuk nis nga dashuria, por nga rrethana të tjera. Martesa, nuk duhet të jetë diçka që bëhet vetëm për traditë, për shkak se e bëjnë të gjithë apo për detyrim. Ky është një gabim i madh, jo vetëm për dy njerëzit që martohen, por edhe për familjen dhe fëmijët që ata sjellin në jetë. Të gjithë fëmijët meritojnë një familje të lumtur, ndaj çdokush duhet të mendohet mirë para se të vendosë të ardhmen duke lidhur jetën në martesë. Familja është baza më e fuqishme e shoqërisë dhe ashtu siç një familje e lumtur dhe e realizuar mund të jetë e tashmja dhe e ardhmja e një shoqërie të shëndetshme, ashtu edhe një familje e dështuar dhe me probleme, krijon problematika të njëpasnjëshme për të gjithë ne. Jemi të gjithë të prekur dhe të gjithë përgjegjës për çdo masë që mund të kishim marrë, sepse shoqëria është funksionon si një rreth i ngushtë vicioz. Nëse shohim një fëmijë apo një grua të dhunuar, nëse dimë për një familje që nuk funksionon siç duhet, nëse kemi edhe mundësinë më të vogël për t’i ndihmuar, duhet t’i ndihmojmë me çdo kusht, jo vetëm për ata, por edhe për veten tonë, për familjen tonë, për shoqërinë tonë.

Ju vetë, çfarë keni mësuar nga martesa dhe të pasurit të një familje të shëndetshme? Sa të shëndetshme janë modelet e paraardhësve, prindërve, baza nga e cila ngrihet një gjenezë e re?

Familja ime është gjithçka që unë jam! Prindërit e mi dhe modeli që ata më kanë dhënë për jetën është baza më e fortë mbi të cilën unë e kam ndërtuar jetën time dhe vijoj ta ndërtoj çdo ditë. Edhe sot që jam e martuar dhe jam bërë prind vetë, unë vazhdoj të shoh tek ata një model që nuk zhgënjen kurrë. Të lindësh në një familje të mirë, është fat dhe unë mund të them se kam patur vërtetë fatin më të madh që kam lindur në familjen time! Nëse do të arrij të bëhem një prind i mirë vetëm sa gjysma e prindërve të mi, atëherë do të jem vërtetë e lumtur! Shpresoj që unë dhe Gerti të jemi për vajzën tonë, modeli që prindërit tanë kanë qenë për ne, janë një bekim i jashtëzakonshëm!

Botuar në revistën Psikologjia, nr.97

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top