Në Shqipëri jemi mësuar të jetojmë me kushte dhe burime natyrore thuajse perfekte. Kemi mot të mirë, burime natyrore nga më të shumëllojshmet dhe të gjitha kushtet për një zhvillim të qëndrueshëm e të lehtë, por ka vende nëpër botë të cilat kanë sfiduar mungesën e burimeve dhe të kushteve ndonëse në mungesë të tyre, sot janë ekonomi, shtete dhe shoqëri të fuqishme në rang botëror.
Njëri prej tyre është padyshim Suedia, një vend ku moti është shumë sfidues, ku jo para shumë kohësh ka patur papunësi, një ekonomi të dobët, varfëri dhe mirëqenie të ulët. Sot, Suedia është një nga vendet me standardet më të larta të mirëqenies në nivel botëror, si nga ana ekonomike, ashtu edhe nga ana sociale. Pyetja është çfarë kanë bërë për të ndryshuar kaq shpejt?
Kam dëgjuar shpesh njerëz që thonë se të lindësh në vendet nordike, e sidomos në Suedi, është sikur të kesh fituar lotarinë. Në fakt, që nga udhëtimi i parë e deri tek më i fundit para disa muajsh në Suedi, ajo që më ka bërë përshtypje, është që të paktën nga perspektiva e një vizitori, duket sikur çdo gjë është gjithmonë në vendin e vet. Një zhvillimi ekonomik, por edhe social aq i qëndrueshëm sa kushdo do ta kishte zili. Investimi serioz tek mirëqenia e qytetarëve, është një nga gjërat më të bukura që ka Suedia. Sa herë flasim për barazi gjinore në punën tonë të përditshme, për garantimin e të drejtave apo për një shtet realisht social, gjithmonë marrim shembull Suedinë.
Para pak kohësh e vizitova Suedinë në një mision për vëzhgimin e zgjedhjeve. Përtej qetësisë së jashtëzakonshme në të cilën zhvilloheshin zgjedhjet, përgjegjshmërisë qytetare, por edhe të subjekteve garuese, ajo që më bëri përshtypje ishin takimet përmbyllëse të fushatës. Jemi mësuar, sidomos në Shqipëri të shohim takime të mëdha përmbyllëse, me shumë shpenzime, në sheshe nga më të mëdhatë, me shumë zhurmë e konkurrencë të lartë. Në Suedi, të gjitha partitë i realizuan mitingjet e tyre përmbyllëse në të njëjtin shesh. Kur një nga partitë e mëdha përfundoi fjalimet, takimin me njerëzit, etj, në habinë tonë, pas pak minutash në të njëjtën skenë hipën me radhë edhe partitë e tjera garuese një nga një, secila me kohën e vet të dedikuar dhe fjalimet e takimet me ndjekësit e tyre.
Në të njëjtin shesh, ngjitur me njëra-tjetrën, ishin të gjithë stendat e partive garuese me materialet përkatëse, ku njerëzit kalonin dhe merrnin informacion. Për ne, që vinim nga vende të ndryshme të botës, kjo ishte një risi e rrallë dhe na mbeti në mend si pjesë e asaj qetësisë, kulturës së bashkëpunimit dhe garantimit të mirëqenies së përbashkët që janë vlera të Suedisë.
Suedia nuk e ka nisur këtu ku është sot. Sidomos në ekonomi në fund të shekullit 19-të ishte një vend i varfër që jetonte thjesht me bujqësi, kur më pas u fillua investimi tek sipërmarrja, me hapje të tregjeve, ulje të taksave, etj, Suedia filloi të ngjitej në kurbën e zhvillimit. E ndonëse ky zhvillim ekonomik, pati rëniet e tij, sidomos ne vitet ’90, Suedia rimori vendimet e duhura për të liberalizuar tregun, për të mbështetur inovacionin, për të investuar tek qëndrueshmëria ekonomike dhe u vendos në krah të superfuqive botërore në shumë fusha.
Ajo që të bën përshtypje kur viziton Suedinë, është prania e inovacionit, por edhe artit në përditshmëri. Suedezët janë botërisht të famshëm për arkitekturën e brendshme praktike dhe inovative, ndërkohë mund të shohësh edhe art në vendet më të çuditshme siç janë stacionet e metrosë. Në Stockholm stacionet e metrosë janë të krijuara si vepra arti, si në asnjë vend tjetër në botë, pikërisht me synimin për të garantuar mirëqenien e përbashkët edhe në përditshmëri, edhe në detajet e vogla, të aksesueshme nga të gjithë. Nga ana tjetër duke sikur çdo gjë është e orientuar drejt komfortit dhe mirëqenies, që nga investimi serioz për të garantuar balancën jetë-punë, mbështetja e prindërimit (edhe të grave, edhe të burrave), fleksibiliteti dhe synimi tek qëndrueshmëria, por nga ana tjetër edhe hapja ndaj së resë e deri tek mungesa e kompleksit për të marrë më të mirat nga çdo vend (një nga ushqimet më të përdorura në Suedi për shembull, është “tacos”, fëmijët e mësojnë gjuhën angleze që pa filluar shkollën, etj). Mirësjellja e rrënjosur në kulturë dhe dëshira për të mos krijuar konflikte, për gjithmonë qasja për të garantuar mirëqenien e përbashkët pozitivisht (jo vetëm në përditshmëri, por nëse e vëmë re me kujdes, edhe në politikën e jashtme), janë disa nga vlerat me të cilat identifikohet Suedia.
Ndaj sa më shumë e njeh Suedinë, e kupton se zhvillimi dhe arritja e mirëqenies, përtej çdo sfide që mund të duket e pakalueshme, nuk janë të pamundura askund ku ka njerëz që duan të bëjnë më të mirën për vendin e tyre, duke u bërë bashkë dhe duke garantuar mirëqenie për gjithsecilin.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.