FB

May 18, 2024 | 7:19

Edlira Çepani: Finlanda, vendi më i lumtur në botë!

Finlanda është një nga shtetet nordike që njihen globalisht për disa aspekte, por më interesanti prej tyre është se ka rezultuar për të paktën 6 vite radhazi si vendi me njerëzit më të lumtur në botë dhe për shumë vite radhazi është tashmë edhe në top listën e vendeve me sistemi edukimi më të mirë. Këto sondazhe në nivel global bëhen nga organizata të cilat marrin parasysh disa aspekte të zhvillimit të vendit, kryejnë një punë kërkimore cilësore dhe sasiore dhe bëjnë në mënyrë periodike radhitjen e vendeve të ndryshme në nivel global.

edlira-cepani

Finlanda është një nga vendet që ka investuar fort tek mbështetja sociale, tek njerëzit dhe tek zhvillimi i qëndrueshëm, ashtu si vendet nordike në përgjithësi. Herën e parë në Helsinki, duke qenë se ishte qershor u përballa me shumë kënaqësi me ditën e gjatë më thuajse 21- 22 orë dritë dhe ishte një nga gjërat që personalisht më pëlqeu shumë (ndoshta se e përjetova vetëm për pak ditë). Nga ana tjetër u kujtova se ndodhte e anasjellta në dimër, muaj gjatë së cilit kishte shumë pak orë dritë dhe mendova si mund të jenë njerëzit të lumtur duke patur kaq pak orë dritë dhe duke duruar atë lloj të ftohti në dimër (për njerëz si unë një pjesë e lumturisë asociohet me diellin dhe dritën dhe kjo është sidoqoftë subjektive). Pastaj fillova të pyesja e të dëgjoja për të gjithë politikat mbështetëse, vizionin e qartë të zhvillimit të qëndrueshëm dhe sa më të barabartë, pasi mora informacion edhe për sistemin arsimor, e kuptova cilat ishin arsyet pse dilte vazhdimisht një ndër shtetet më të lumtura në botë.

Nga statistikat duket se Finlanda investon seriozisht në mirëqenien e fëmijëve dhe familjeve, duke marrë parasysh si shëndetin mendor ashtu edhe atë fizik. Në udhëtimet në Helsinki, por edhe në qytete te tjera të Finlandës, të bëjnë përshtypje parqet e pafundme dhe sa më natyrale, hapësirat miqësore për fëmijët, pafundësia e mundësive për aktivitete rekreacionale, si investim i drejtpërdrejtë për shëndetin fizik dhe mendor. Nga ana tjetër, të gjitha këto tregojnë një vizion të qartë për të investuar në mënyrë efektive tek fëmijët, familja dhe shoqëria e shëndetshme. Në Finlandë investohet shumë për prindërit duke patur leje lindje të paguar nga 16 muaj e më pas një leje të mbuluar deri në 3 vjet, si duke patur mbështetje të dedikuar financiare për çdo fëmijë të familjes.

Sistemi arsimor në Finlandë, i cili është konsideruar si më efektivi në gjithë botën e ka bazën e tij tek gjithëpërfshirja dhe shanset e barabarta për çdo fëmijë për t’ia dalë suksesshëm në studime dhe në zhvillim. Për këtë ka disa investime serioze që janë bërë që nga standardi i lartë i shkollave, kudo ku ato ndodhen  dhe deri tek cilësia dhe mbështetja maksimale e mësuesve, të cilët kanë rekuizite shumë të larta kualifikimi, por gjithashtu edhe mbështetje në karrierën e tyre.

Nga ana tjetër, sistemi finlandez nuk inkurajon konkurrencën mes nxënësve, por bashkëpunimin. Nuk ka zgjedhur të bëjë teste të standardizuara, por të mbështesë dhe të nxisë rrugëtime të dijes individuale në bazë të prirjeve. Fëmijët në shkolla kalojnë shumë pak kohë brenda mureve të klasave dhe shumë kohë në ambiente të jashtme. Nuk kanë detyra shtëpie dhe kanë një sistem të të mësuarit nëpërmjet praktikës. Nuk konceptohet të ketë një formë edukimi më dhunë disiplinuese, por me gjithëpërfshirje dhe me respekt maksimal për fëmijët. Nga ky vizion për edukimin, për respektin maksimal ndaj fëmijëve, por edhe atyre që kujdesen për ta, si prindërit dhe mësuesit, në thuajse të gjitha radhitjet botërore edhe sistemi në tërësi, por edhe nxënësit dalin të parët.

Besoj është e qartë pse janë të lumtur familjet dhe fëmijët e Finlandës, duke shpresuar që një ditë të kemi po të njëjtin seriozitet dhe përkushtim në investimin real për fëmijët, edhe në Shqipëri, duke filluar që nga respekti ndaj tyre, e deri tek investimi serioz në rritjen e cilësisë së arsimit në të gjitha dimensionet e veta, si dhe të jetës së fëmijëve dhe familjeve në përgjithësi. Deri kur të arrihen këto nuk do të kemi dot asnjë lloj zhvillimi dhe të ardhme të qëndrueshme!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top