FB

April 15, 2024 | 7:04

Edlira Çepani: Italia, vendi ku çdo gjë shndërrohet në art!

Kur ishim të vegjël na tregonin një përrallë me dikë që shprehu ndaj zanave dëshirën për të qenë gjithmonë i pasur, duke patur vetitë magjike për të shndërruar çdo gjë që prekte në ar. Pasi dëshira iu plotësua, absolutisht çdo gjë që prekte kthehej në flori. Ditët e para ishte një kënaqësi e paimagjinueshme, por më pas kuptoi se nuk përqafonte dot njerëzit e tij pa i kthyer në statuja të ngurta ari dhe në fund arriti të kuptonte se pasuria e vërtetë nuk kishte të bënte vetëm me gjërat materiale, por mbi të gjitha me njerëzit që ke përreth.

edlira-cepani

Nuk e di pse, m’u kujtua pikërisht kjo histori kur nisa të shkruaja artikullin për Italinë, ndoshta sepse lidhet me dy gjëra që më kanë mbetur të ngulitura thellë në mendje nga vitet e gjata të jetuara atje. E para është padyshim se italianët janë nga njerëzit më të këndshëm që mund të njohësh në rruzullin tokësor. Janë njerëz që i vlerësojnë dhe investojnë shumë tek marrëdhëniet njerëzore, duke e ditur mirë që njerëzit janë një pasuri e çmuar, ashtu si në historinë në fjalë. E dyta ka lidhje patjetër me faktin që në perceptimin tim, në mijëra kilometra që kam përshkruar në çdo cep të Italisë, e mijëra faqe librash që kam patur fatin të studioj, kam krijuar një bindje timen që italianët çdo gjë që prekin, e kthejnë në art. 

Muzika ndër shekuj, piktura, arkitektura e jashtëzakonshme janë disa nga arsyet pse është e rrallë që dikush të mos e njohë Italinë, së bashku me artistët e mëdhenj që përmes artit të tyre kanë ndryshuar botën. Një nga kuriozitetet për Italinë, është pikërisht fakti se është vendi i parë në botë përsa i përket numrit të objekteve të trashëgimisë materiale dhe jo materiale të mbrojtura nga UNESCO. Kur flasim për historinë, artin dhe trashëgiminë, më kujtohet shprehja se Roma është një muze i hapur. Është një shprehje në fakt e vërtetë, por që vlen për çdo cep të Italisë, ku ngado kthen kokën gjen nga pak art e trashëgimi, e cila të përthith menjëherë në labirinte ndjesish që vetëm në Itali mund t’i gjesh.  

Nga ana tjetër, kulinaria, një art në vetvete me të cilin italianët kanë pushtuar botën! Askush nuk e kupton se si, thuajse me magji, çdo ushqim i përgatitur nga një italian, pa qenë nevoja të jetë kuzhinier/e me eksperiencë, shndërrohet në një art që, pasi e shijon, të ka shenjuar përgjithmonë (sidomos kur është gatuar nga një gjyshe italiane)! 

Me perceptimin e italianëve që çdo gjë e kthejnë në art, në fakt ndonjëherë harrojmë sa i kanë dhënë botës edhe në shkencë. Nga ana tjetër, më kujtohet shumë qartë ndjesia e parë kur lexoja librat e së drejtës romake, ku gjeja e habitur norma e ligje edhe më të mira se ato të sotme pas mijëra viteve, me një logjikë të pastër dhe të thjeshtë që më ka bërë një përshtypje që s’do ta harroj dot kurrë.  

Nga ana tjetër, kushdo që ka dëgjuar dy italianë të flasin për diçka (qoftë edhe fare të thjeshtë) apo ka rastisur të ndjekë një vox-populi, e kupton mirë sa mjeshtra janë të gjithë italianët, pa përjashtim, në artin e komunikimit. Mund të dëgjosh analiza profesorësh në auditore të mëdha, analistë në media dhe të hasësh po të njëjtën rrjedhshmëri edhe kur ndalon dikë në rrugë për të të shpjeguar ndonjë fenomen. Madje kur je në lëvizje në vende të ndryshme të botës dhe dëgjon pas teje dikë që shpjegon në mënyrë krejt artistike dhe elokuente edhe fenomenin më të thjeshtë, atëherë e kupton që sapo ke takuar një italian.  

Mijëra vite art, histori, letërsi, krijimtari, arkitekturë, trashëgimi, shkencë, drejtësi dhe megjithatë ka diçka nga Italia që vlen edhe më shumë se të gjitha këto: “italianët!”. Në vitet e gjata të jetuara në Itali, një prej thesareve më të bukura që kam gjetur, janë miqtë, njerëzit, mënyra e bukur si e perceptojnë jetën dhe se si realisht çdo gjë e kthejnë në art, edhe marrëdhëniet njerëzore.  

Italianët janë njerëz që i duan njerëzit, e shijojnë jetën në komunitet, i vlerësojnë marrëdhëniet njerëzore. Ndonëse kanë patur e kanë shpesh jo pak vështirësi si popull, sërish arrijnë të kthejnë velat e fatit dhe të përpiqen sërish, me atë shpirtin sa pasionant, po aq edhe të ëmbël që i karakterizon. Njerëzit, me shpirt të bukur dhe artistë në çdo gjë që bëjnë, janë realisht pasuria më e madhe e Italisë. Nëse ke fatin t’i njohësh nga afër, të pushtojnë me pozitivitet dhe me këtë frymën që, nëse e sheh diçka në perspektivën dhe me dëshirën e duhur, çdo gjë në këtë botë mund të shndërrohet realisht në art! 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top