FB

January 24, 2024 | 7:30

Edlira Çepani: Kuba, si filozofi jete!

 

Duke qenë se për vit të ri kemi thuajse gjithmonë dëshirën të fillojmë zakone të reja dhe t’i vendosim vetes sfida e horizonte të tjera, ndoshta ka ardhur koha të shohim pak përtej vetes dhe kufijve tanë, edhe nëpërmjet dritareve të vogla të revistës. Nga udhëtimet e shumta nëpër botë që prej lindjes e deri më sot, kam kuptuar se bukuria dhe kuptimi i udhëtimeve nuk janë vetëm ato ndërtesat e famshme apo peisazhet që nxjerrim në foto.

edlira-cepani

Bukuria e udhëtimeve janë njerëzit, kulturat dhe horizontet e reja që i hap vetes, duke i njohur dhe kuptuar më mirë. Në këtë rrugëtim të ri, ndoshta ka ardhur koha të njohim pak më mirë të tjerët (popujt e tjerë), për të kuptuar më mirë veten. Ndoshta për të kuptuar pak në këtë botën me miliarda njerëz, a jemi realisht kaq të ndryshëm me njëri-tjetrin, apo jemi njësoj, thjesht njerëz, që zgjedhin ta jetojnë jetën secili në mënyrat e tyre. Ndoshta duke i njohur më mirë, arrijmë të marrim më të mirat prej tyre!

Ky rrugëtim nuk kishte si të mos fillonte me Kubën, vendin e zemrës, ku vitet e fëmijërisë janë ngulitur fort si pjesë e kujtimeve të mia më të bukura dhe e boshtit tëatij karakterit që të ndjek gjithë jetën.

Shpesh kur dëgjon për Kubën, dëgjon për plazhet e bukura, për kulturën e veçantë, për muzikën e bukur, për një botë krejt tjetër qëështë e gjitha për t’u eksploruar, por realisht gjëja më e bukur e Kubës janë njerëzit! Në sipërfaqe dëgjon për kubanezët se janë njerëz që dinë veç të shijojnë jetën dhe kjo është e vërtetë në fakt, por prapa saj fshihet shumë më tepër.

Në Kubë popullsia gjenetikisht përbëhet prej 72% europianë, 20% afrikanë dhe 8% vendas (amerikanoindianë), ndaj një pjesë e mirë e popullsisë së sotme janë një kombinim prejardhjesh. Prejardhjet e ndryshme dhe kombinimi i tyre kanë bërë që edhe kulturat të kombinohen bukur. Ndonëse, për shkak të politikave të ndryshme, shpesh shumë të varfër, kubanezët nuk e humbin kurrë një karakteristikë të tyren qëështë mikpritja dhe nga ana tjetër nuk e humbin kurrë shpirtin e tyre pozitiv.

Thuhet se varfëria dhe problemet e përditshme i ligështojnë njerëzit, ua komplikojnë jetën deri në skaje të agresivitetit, por në Kubë kjo nuk ndodh. Ajo që më ka bërë gjithmonë përshtypje tek kubanezët është që nuk e humbin për asnjë arsye qytetarinë e tyre dhe mbi të gjitha mirësinë në marrëdhëniet ndërnjerëzore edhe kur janë të prekur nga pafund probleme.

Kubanezët janë personifikimi i njerëzve solarë, të cilët e kanë kuptuar në mënyrën më të zgjuar se jeta është shumë e shkurtër për t’iu qasur asaj dhe njëri-tjetrit me negativitet. E kanë kuptuar dhe e jetojnë shumë bukur atë gjë që sot predikohet në çdo fjalim motivuesish, se njeriu tërheq të njëjtën lloj energjie që jep dhe janë jashtëzakonisht të kujdesshëm, të dashur dhe të qetë në marrëdhenie me njëri-tjetrin. Kjo gjë krijon një energji të mirë dhe një atmosferë pozitive kudo ku ndodhesh, edhe me ata që i njeh edhe me ata që nuk i njeh.

Mirësjellja, mirësia dhe pozitiviteti janë kryefjalë në komunikimin dhe bashkëjetesën me ta.

Përtej gjithë problemeve që mund të kenë, kubanezët zgjedhin ta shijojnë jetën në mënyrë më të thjeshtë, ndonjëherë edhe duke hapur derën e makinës buzë shëtitores e duke ndaluar për të kërcyer në mes të rrugës një muzikë që u pëlqen. Zgjedhin gjithmonë të të thonë si fjalën e parë, komplimentin më të bukur që ke menduar ndonjëherë dhe më pas gjithçka tjetër. Kubanezët kanë aftësinë të bëjnë gjithkënd të ndjehet mirë me veten, rrjedhimisht dhe me të tjerët, duke krijuar një atmosferë pozitive e cila arrin të zbusë dhe të relaksojë këdo, në këtë botë ku stresi dhe agresitiviteti që rezulton prej tij, janë probleme që i hasim shpesh e që na shtohen tek rëndesa e përditshme e halleve që kemi.

Im atë thotë gjithmonë se kubanezët janë artistë në çdo gjë që bëjnë dhe kjo është e vërtetë! Shpesh i shohim si muzikantë, kërcimtarë apo artistë në zhanre të ndryshme, por në Kubë kam njohur edhe mjekë të shkëlqyer (nga më të mirët në botë), mësues që më kanë shënjuar pozitivisht të gjithë jetën, miq që sa herë i kujtoj ma mbushin shpirtin me pozitivitet dhe dashuri për jetën, sot profesionistë të shkëlqyer në fushat e tyre.

Kubanezët janë vërtetë artistë dhe sidomos në filozofinë e bukur që kanë zgjedhur për jetën! Sa shumë na duhet të promovojmë këtë lloj filozofie dhe sa të nevojshme e kemi realisht edhe kur vendosim t’i japim vetes diçka me vlerë për të menduar në fillim vitesh.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top