Në këtë periudhë tejet të zymtë që po njeh e përjeton dhimbshëm shoqëria jonë, veshi të dëgjon shpesh e kudo qoftë njerëz të cilëve, tek ndahen nga njëri-tjetri, u shpëton nga goja një urim krejt absurd, ndoshta – dashur, padashur – krejt cinik, pikërisht “Gjithë të mirat!”. A thua të jenë kaq të babëzitur për të mira shqiptarët e sotëm? Apo kaq të varfër, saqë ky urim u del orë e çast nga thellësia e shpirtit, duke u kthyer kësisoj në një lajtmotiv të realitetit tonë kombëtar?
Sidoqoftë, pavarësisht pohimit të kryepushtetarit Rama, që kohët e fundit na qenka mburrur se “Në Shqipëri askush nuk vdes për bukë”, varfëria është bindshëm e përbindshme dhe e pranishme në një numër sa vjen e më të madh familjesh, çka mund të konsiderohet si një nga arsyet themelore të përdorimit sa vjen e më të dendur të urimit në fjalë. Mirëpo nuk janë vetëm arsyet ekonomike në zanafillë të këtij të fundit. Mjerisht, e “ardhmja e atdheut” (ha, ha, ha!), pra të rinjtë, po mërgojnë jashtë shtetit ngaqë, edhe pse shpesh të diplomuar në universitetet tona, ata nuk gjejnë vende pune të denja për arsimimin e tyre: sa e sa prej tyre punojnë si kamerierë në kafe e restorante; sa e sa prej tyre zhgënjehen, sa e sa prej tyre e kanë kuptuar më në fund sa absurd e cinik kumbon – edhe kur ua thonë me gjithë zemër dashamirësit – urimi “Gjithë të mirat!”.
Nga ana tjetër, zhgënjimi i thellë i të rinjve shqiptarë në emigracion është edhe shpirtëror ngaqë ata nuk shohin as më të voglën rreze shprese për t’u kthyer një ditë në atdhe, madje nuk janë të paktë vetë prindërit e tyre që u këshillojnë të krijojnë familje në tokë e nën qiell të huaj, fakt ky i pamohueshëm, të cilin e dëshmojnë edhe zbrazja e vendit, shkretimi i fshatrave, mbyllja e një sërë degësh në universitetet e vendit dhe, për rrjedhojë të pashmangshme, po rritet numri i mërgimtarëve edhe në kategorinë e specialistëve të fushave të ndryshme si, ndër të tjera, mjekësia, agronomia, blegtoria e pylltaria, ndërkohë që po rritet numri i imigrantëve, pra i të huajve që vijnë nga vendet e botës së tretë për të punuar në Shqipërinë tonë fatkeqe, të cilën, me siguri së shpejti, do ta rendisin si vend të botës së katërt, pra, të padenjë për t’u pranuar në gjirin e ëndërruar të Bashkimit Europian.
Një fakt tjetër që e nxjerr në pah edhe më trishtueshëm absurditetin e urimit “Gjithë të mirat!” është edhe rënia e lindshmërisë në nivel kombëtar. Duhet të jesh vërtet i verbër ose mospërfillës deri në tejngopje për të mos vënë re rrallimin e numrit të banorëve jo vetëm në qytete e vogla, por, në ditë të caktuara, edhe në ato të mëdha, madje edhe në kryeqytetin shqiptar të shpërfytyruar nga betonizimi i pamëshirshëm, të asfiksuar nga ndotja, të torturuar nga zhurmat, të sklerozuar nga korrupsioni, të pasigurt përballë drogës, dhunës në familje e krimit në shoqëri, pra të dënuar me një të ardhme aspak të lavdërueshme për të mos thënë të mjerueshme.
Si përfundim, po marr guximin t’u këshilloj lexueseve dhe lexuesve të këtyre radhëve të mos i urojnë asnjërit prej familjarëve, të afërmve, kushërinjve, miqve, kolegëve apo të njohurve të tyre “Gjithë të mirat!”, le të tregohen realistë duke u uruar “Sa më pak të këqija!” ose, siç e ka thënë populli ynë prej shekujsh, “Mos pafshi keq!”, madje, më saktë, “Mos pafshi kurrë më keq!”.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.