Tashmë të gjithë e dimë se katër janë fazat madhore të jetës së njeriut: fëmijëria, rinia (që përfshin edhe adoleshencën), mosha e pjekurisë dhe pleqëria. Çdo moshë ka tiparet, problemet, kënaqësitë dhe vështirësitë e saj. Dimë gjithashtu se shumica e familjeve kanë shpesh përfaqësues të secilës nga fazat e sapopërmendura.
Së fundi, dimë se në dy fazat e para njeriu ka nevoja nga më të ndryshmet, kurse në dy të fundit ai grumbullon përvoja nga më të ndryshmet, të cila detyrimisht, në një mënyrë apo në një tjetër, do t’u përcillen brezave të rinj dhe do t’u jenë të dobishme kur atyre do të fillojnë t’u dalin thinjat e t’u shfaqen rrudhat e para në fytyrë.
Sigurisht që është folur për konfliktin midis brezave sepse jeta ecën përpara, kushtet e jetesës ndryshojnë, shijet, konceptet dhe mendësitë evoluojnë, por e vërteta është se përvojat e brezave të vjetër nuk janë për t’u anashkaluar. Rrjedhimisht, prej disa dekadash këtë të vërtetë e kanë kuptuar shoqëritë e emancipuara,të cilat bashkëpunojnë me “veteranët” dhe janë përherë të ndjeshme ndaj këndvështrimeve dhe përqasjeve të tyre. Edhe në shoqërinë shqiptare ndër shekuj të vjetrit, pra gjithashtu gjyshërit, ftoheshin krejt natyrshëm të jepnin mendimin e tyre për çështje të rëndësishme, por edhe në gjirin e familjes ata luanin një rol në edukimin e fëmijëve jo vetëm duke u treguar përralla apo duke i shëtitur, por edhe në aftësimin e tyre për t’u përballur me vështirësitë e jetës, sepse gjyshet dhe gjyshërit dinë të falin dashuri, nganjëherë edhe më shumë se vetë prindërit e fëmijëve.
Ky rol edukues i gjysheve dhe i gjyshërve sa vjen e po bëhet më i nevojshëm në epokën tonë kur vlerat njerëzore po vihen haptas në shënjestrën e antivlerave tek shohim në televizion, dëgjojmë në radio apo lexojmë në gazetë se vëllai ka vrarë vëllanë, motra motrën, nipi gjyshin, se nxënësit mbajnë në çantë armë të ftohta, duke u bombarduar kështu me lajme të kobshme që krijojnë një atmosferë pasigurie dhe ankthi. Gjyshet e gjyshërit duhet të luajnë rolin e tyre paqësues për të shmangur çdo lloj dhune në familje, fizike apo psikologjike qoftë kjo, sidomos në prani të mbesave e të nipave.
Në këtë drejtim, psikologët e institucioneve të arsimit parashkollor e të shkollave duhet të lidhen jo vetëm me prindërit e fëmijëve, por edhe me gjyshet e gjyshërit e tyre për t’i sensibilizuar lidhur me rëndësinë që ata duhet t’i kushtojnë edukimit të mbesave e të nipave, por edhe riedukimit të prindërve të tyre. Sigurisht, jo çdokush nga mosha e tretë ka mundësinë të përfshihet në këtë veprimtari në një vend si i yni ku vështirësitë social-ekonomike i kanë kthyer një pjesë të mirë të familjeve në arena dhune, kështu që strukturat shtetërore duhet të shkunden, të zgjohen e të ndërgjegjësohen se po të mos merren seriozisht me problemin në fjalë, do të komprometojmë e do të vëmë vërtet në rrezik jo vetëm të ardhmen, por edhe të tashmen e fëmijëve tanë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.