Dëshmi

October 27, 2021 | 8:30

Eduart Karaj, artisti që eksploron limitet

Art i parashkruar në sytë e tij. Njëri i kaltër e tjetri i gjelbër. Thonë që është shenjë e njerëzve të lindur me fat… Nuk mund të ishte veçse një perceptim i parë, pas takimit të duarve në formën grusht, masë mbrojtëse ndaj pandemisë. Në rregullat e reja kovidiane, nuk ka më përqafime apo shtrëngime duarsh miqësore. Gjithçka diktohet me sjellje të reja përshëndetjeje, për ta vijuar më tutje bisedën, në qëndrime tavolinash një metër e gjysmë larg.

Nga Orjona TRESA | Foto: Vlasov SULAJ

Artisti bashkëkohor Eduart Karaj, me finesën që shoqëron një personazh të rangut të tij, na pret në studion sa të gjallë aq dhe të heshtur, mes një sërë “personazhesh” të krijuara nga vetë ai në gjithfarë formash apo materialesh. Ka emocion brenda tij, sepse artisti i tillë është. Bart me vete ngarkesën por edhe përgjegjësinë për të përfaqësuar artin e tij.

Një sy i shpejt qëmton apo dallon se në cilat ujëra noton artisti, ndërsa ai me delikatesë nuk përjashton në rrëfimin e tij, besimin në Zot që ia ka dhënë këtë dhunti. Pasuria e Eduartit, nuk janë vetëm punimet që gjenden në galerinë e tij, por shumë e më shumë të tilla të shpërndara në një dhjetëvjeçar krijues, anembanë vendit, madje dhe jashtë kufijve.

Një larmi pikturash, vizatimesh, instalacione, skulpturë, qeramikë, dru i gdhendur, metal,… ku artisti Eduart Karaj përpiqet të na frymëzojë me idilin që ai i ka krijuar këto vepra. Një botë me informacion të ngjeshur, kureshtare e njëherësh gojëkyçur, pa mundur t’ia zbërthesh kodin e gjuhës së përdorur. Sepse një artist është si një planet i pazbuluar, që lëshon shkëndija informacionesh, por në thelb bart dhe misterin e botës së tij prej gjeniu në llojin e vet.

I pëlqejnë fort ngjyrat, sidomos e verdha. Një lidhje hyjnore sa dhe Onufri, piktori ikonograf bizantin, i cili krijoi të kuqen e tij të famshme. Por ndryshe nga gjeniu mesjetar, ai njehson ngjyrën e verdhë, po aq mistike dhe diellore në marrëdhënie me magjinë që ushqen pikturat e tij. “Një nga gjërat që e kam më shumë specifike, është ngjyra e verdhë, e kam personale. Nuk ngopem së pikturuari me të verdhë, eksperimentoj pa fund”.

“E kam pasur dhunti pikturën që kur isha i vogël”, shprehet Eduarti, ndërsa i është mirënjohës babait, i cili i dha shtysë për ta formësuar talentin e të birit edhe në rrugë akademike. “Kam studiuar liceun e Elbasanit, shkollën e famshme Onufri, më e mira në këtë gjini arti. Pastaj fitova Akademinë e Arteve të Bukura, kështu që jam i kompletuar nga ana estetike-akademike-teorike. Jam shumë i dashuruar me artin modern, më pëlqen eksperimenti, gjëja e re. Kjo më karakterizon dhe më lejon mua të transmetoj fuqinë në të”.

Mjeshtëria e Eduart Karaj është gërshetimi i shumë elementëve. Ai zbërthen interesanten në çdo objekt që njerëzit nuk arrijnë ta shohin. E merr dhe e kthen objektin në vlerë artistike. “Ndonjëherë nuk më tërheq shumë fakti i telajos thjeshtë. Kam dëshirë ta ndërtoj vetë, me pjesëza, copëza druri ndoshta, tip instalacioni ku ndërthuret piktura, skulptura, relievi, pastaj materialet janë gjithfarëlloj”.

Eduarti eksperimenton dhe ngacmon imagjinatën në vazhdimësinë e krijimeve, ndërsa zemra i ndalet te materiale prej metali apo druri, të cilat thotë se i njeh shumë mirë, duke vlerësuar përvojën katërvjeçare me ikonostase. “Dashuria ime ka qenë krijimi personal. Edhe në shtëpinë time të vogël jam munduar të krijoj atë hapësirën vetjake, që nga tavolina, duke bashkuar pjesëza qoftë copëza të vogla druri për të krijuar një madhësi. Projekti i fundit “Profile” ka qenë i realizuar me pjesëza të vogla, copëza druri, linoleum, edhe një ndikim i artit kristian apo bizantin”.

Eduartin e gjen çdo ditë në studion e tij. Ndan orë të ndërmjetme, duke krijuar një ekuilibër tanimë me të qenit familjar, bashkëshort dhe prind. Në studio merr kohë kur i duhet të kujdeset për muzën e tij krijuese, në dialogë me veten e në thyerje e përthyerje fantazish këmbëngulëse apo edhe kapricoze. Pëlqen të eksplorojë në art falë natyrës së tij kureshtare. Nga duart e tij del skulpturë, pikturë, qeramikë, instalacion, punime në dru, baltë, mozaik.

“Njeriu artistikisht maturohet. Sot i shoh gjërat më ngadalë, ndoshta më pak, dhe jam produktiv. Ka momente që i them bashkëshortes në një kohë të caktuar të mos më shqetësojë. 3-4 orë janë të miat. Vendos pak muzikë dhe bëj atë që dua të bëj. Ndonjëherë në një moment të tillë, unë bëj punën e një apo dy javëve që nuk arrija t’i përmbushja. Por gjatë pauzës, si çdo artist, grumbulloj në nënvetëdije material e më ndodh të nis edhe tri punë njëherësh. Mua vetëm një gjë më mërzit, më ezauron. Më pëlqen të hidhem nga pak tek ato punime që i kam në fazë krijimi”.

Projekti më i fundit në proces i Eduart Karaj është “Kutia e Memories”. Janë 70 punime që pritet të ekspozohen së shpejti. Janë instilacione me tematika të ndryshme, diktuar nga koha por edhe pjesë e imagjinatës së artistit. Ajo që vlerëson Eduarti është se arti është shëruesi i shpirtrave. “Ka njerëz që e blejnë punën time. Kjo më ka inkurajuar që dhe në Shqipëri ka njerëz që e duan artin dhe investojnë për të. Është shtysë për një artist të prodhojë. Për mua, duhet t’i kushtosh më shumë rëndësi artit.

Njerëzit duhet të konsumojnë më shumë art, është sikur të lexosh një poezi, të dëgjosh Bah ose Moxart. Duhet t’i kushtosh rëndësi anës vizuale, estetike, mendoj që njerëzit e kanë. Ka disa disiplina, sikundër terapi arti, që tregojnë se arti vetë është një lloj shëruesi, dhe duhet konsumuar më shumë”.

“Art Studio” Eduart Karaj mirëpret të gjithë artdashësit, të cilët mund të gjejnë vepra të gjinive të ndryshme: piktura, skulptura, gdhendje në dru, piktura murale, portrete në teknika të ndryshme, vizatime, skica, restaurime veprash arti dhe antikuare, mozaikë dhe punime moderne, dhurata, dekore dhe skenografi. Aty do t’ju mirëpresë vetë artisti, në galerinë në fund të bulevardit të ri pranë zonës së Astirit.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 159

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top