Këshilla & Arsye

September 14, 2016 | 8:12

EDUKOJUNI FËMIJËVE VËMENDJEN NË KLASË!

 Fëmijët e sotëm nuk dinë më të dëgjojnë. Dhe ato që ankohen për mungesën e vëmendjes kur flasin apo shpjegojnë, janë para së gjithash mësueset, të cilat që në kopsht, për të vazhduar më pas në shkollën fillore, tregojnë me gisht drejt prindërve pa asnjë hezitim për më shumë punë dhe përkushtim. Gjithçka nis brenda mureve të shtëpisë. Psikologët sugjerojnë disa këshilla të vlefshme, të cilat duhen zbatuar menjëherë. Një fëmijë i vëmendshëm mëson më shpejt dhe më mirë. Ja disa prej tyre të ndara sipas grupmoshave.

Në kopsht

• Fikni televizorin apo të paktën limitojeni sa më shumë, nëse e keni të pamundur ta përjashtoni nga jeta e të vegjëlve.

• Sigurojini fëmijës orët e duhura të gjumit të natës apo edhe të drekës, duke respektuar nevojat që ai ka (të cilat janë të ndryshme nga një fëmijë te tjetri).

• Mos iu përgjigjuni menjëherë kërkesave të fëmijëve, por mësojuni atyre të presin, të durojnë. Nëse nuk janë në gjendje të presin, e kanë të pamundur të jenë të vëmendshëm dhe të fokusohen te diçka.

• Jepini vetëm një lodër fëmijës dhe kur ai të mërzitet, mos i jepni menjëherë një lodër tjetër, por lëreni të luajë me atë që ka. Kjo gjë do ta lejojë të eksperimentojë përdorime sa më të shumta. Bëni të mundur, në substancë, që të jetë ai që të zbulojë apo të shpikë të tjera përdorime të së njëjtës lodër. Një dhomë plot me lodra e bën fëmijën të kalojë vazhdimisht nga një lloj stimuli te një tjetër, pa eksploruar deri në fund gjërat dhe realitetin që e rrethon. Më mirë jepjani me rotacion lodrat, duke i marrë disa dhe duke i nxjerrë disa të tjera.

• Favorizoni aktivitetet që kanë lidhje me ritmin, si muzika, vallëzimi (qoftë edhe vetëm si lojë) apo ecjen në rresht. Faktori “ritëm” favorizon rregullin në organizimin mendor.

 

Në shkollën fillore

• Shmangni përdorimin e tepërt të lodrave elektronike. Më mirë lërini fëmijët të kalojnë kohën dhe të luajnë me bashkëmoshatarët e tyre, duke bërë aktivitet fizik, mësuar apo duke ndjekur kurse të ndryshme. Qoftë edhe qëndrimi kot, duke fantazuar, është më i mirë se sa lojërat elektronike.

• Mësojini me rregullin në hapësirën fizike, për shembull, të njohin vlerën simbolike të hapësirave. Mësojini fëmijët me shembuj të thjeshtë si: “kjo është hapësira e prindërve, kjo është hapësira jote, ky është kufiri” apo “në shtëpi mund të flisni me zë të lartë, në shkallët e pallatit apo nëpër dyqane jo, nuk mund të bërtisni” etj.

• Inkurajojini fëmijët të mësojnë përmendësh vjersha dhe poezi. Mësimi përmendësh kërkon fokusim dhe përqendrim.

• Favorizoni lojërat që mësojnë pritjen, moslëvizjen, përqendrimin. Një lojë shumë e mirë dhe idealja për të “stërvitur” këto cilësi është shahu.

• Gjeni mënyrën e duhur për të shpjeguar gjërat që i keni mësuar, pothuajse duke ndërruar rolet (mënyra më e mirë për të nxënë diçka është t’ua mësosh) apo kërkojuni fëmijëve të mësojnë dhe t’ua përsërisin këto gjëra vëllezërve më të vegjël apo gjyshërve.

 

Këshilla për të gjithë fëmijët

• Bëni të mundur që fëmijët të kalojnë kohë me gjyshërit, pasi të moshuarit kanë ritme më të ngadalta. Në përgjithësi nuk janë të fiksuar nga frenezia se duhet të bëjnë një mijë gjëra njëkohësisht. Gjithashtu, gjyshërit mund të jenë më të pranishëm dhe për këtë arsye nuk është e nevojshme t’ua besojmë fëmijët televizorit dhe filmave vizatimorë.

• Filloni studimin e një instrumenti muzikor apo këndimit, pasi këto aktivitete lejojnë përfitimin e “disiplinës së kohës” dhe zbusin orën e brendshme, e cila rregullon të gjitha funksionet psikike, përfshirë këtu edhe vëmendjen.

• Kërkojuni fëmijëve të tregojnë çfarë u ka ndodhur, ç’kanë bërë, ç’kanë parë në shkollë. Rrëfimi është një mënyrë për të mësuar dhe për të ruajtur vëmendjen.

• Jepuni përparësi arteve figurative, vizatimit, përdorimit të ngjyrave, mozaikëve me letra me ngjyra, krijimit të pikturave me oriz dhe shumë gjërave të tjera.

• Nëse dëshironi të nxisni përqendrimin, duhet të tregoni histori dhe të rrëfeni përralla. Çfarëdolloj gjëje, e treguar në mënyrë rrëfimi, dëgjohet nga fëmijët dhe mbahet mend më mirë.

• Parashikoni gjatë studimit të fëmijës disa minuta pushim çdo 45 minuta. Të insistoni kur fëmijët janë të lodhur nuk është aspak produktive.

• Evitoni urdhrat negative si “mos u shpërqendro”, “mos fli”, “mos mendo vetëm për lojën”, pasi shpesh këto kritika kanë efektin e kundërt.

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top