Në fokus

September 14, 2016 | 8:07

Arlinda Selmani: Psikologu lehtësues në procesin e të mësuarit

Tashmë prej kohësh psikologu operon në shkollat tona. Prania e këtij pozicioni ka qenë dhe vazhdon të jetë e nevojshme në ambientet arsimore. Duhet ta pranojmë faktin se fëmijët nuk janë më si më parë, kur mësuesi shikohej me shumë autoritet. Përkundrazi, sot për një sërë faktorësh, fëmijët sa vijnë dhe zhvillohen më shumë, si rrjedhojë dhe procesi i komunikimit ndërlikohet me ta. Prandaj dhe shpeshherë prania e psikologut shihet si ndërmjetësim në këto ambiente. Sigurisht, shkalla e vështirësisë është më e madhe në mjediset ku ka adoleshentë, pasi vetë mosha e tillë shfaq më shumë problematika. Psikologe e njohur në disa institucione publike arsimore, Arlinda Selmani bën një referencë të domosdoshmërisë që ka figura e punonjësit social, sidomos në ndryshimin e stadit të formimit të fëmijëve. Klasa e parë shënon një cikël të ri edukativ te fëmijët, ndërsa në këtë udhëtim prindërit dhe mësuesit duhet të jenë bashkëpunëtorët më të ngushtë për t’ia bërë të lehtë shkëputjen. 

Sa nevojë kanë mjediset tona shkollore, sidomos te klasat e para për punonjësin social?

Duhet theksuar fakti se ambientet tona shkollore nuk mbulohen më së miri nga psikologu, për shkak të numrit të madh të nxënësve dhe pranisë së vetëm një psikologu. I vetëm ai s’mund ta përballojë dot një shkollë e jo më dy-tri institucione siç ndodh aktualisht. Në këtë kontekst domosdoshmërie dhe nevoje, psikologu bëhet i pa aksesueshëm nga nxënësit. Megjithatë, pavarësisht këtyre problemeve, prindërit, por dhe mësuesit kanë predispozitën maksimale për të bashkëpunuar me psikologun. Kjo sigurisht jo në shumë shkolla, pasi duhet ta pranojnë faktin se në zonat rurale pozicioni i psikologut ende nuk është stabilizuar. Pavarësisht këtyre problemeve, ne sot gjendemi para domosdoshmërisë së rolit të psikologut. Kjo rëndësi bëhet akoma më evidente sidomos gjatë fillimit të shkollës, ku shumë fëmijë ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Klasat e para e kanë shumë të nevojshme praninë e psikologut, pasi jo të gjithë fëmijët arrijnë të përshtaten me ambientet e shkollës. Prania e psikologut do t’i ndihmonte për të kapërcyer frikën, ankthin dhe pasigurinë e të qenit për herë të parë në shkollë.

Cili është roli i psikologut dhe cilat janë problematikat që hasen te këto grupmosha?

Është e rëndësishme si të theksoj se: Psikologu shkollor nuk jep receta. Ai/ajo njihet me dukuritë dhe rastet psikologjike, vëzhgon, anketon, vlerëson, ndërhyn, këshillon, ofron shembuj dhe propozon alternativa. Misioni i tij është të jetë një lehtësues i kualifikuar i nxënësit në procesin e të mësuarit, për kalimin e gjendjeve dhe situatave psikoemocionale. Për sa i përket moshës, pra 6-7 vjeç që ulet për herë të parë në shkollë duhet të theksoj se sfidë është shmangia e ndjenjës së inferioritetit. Jo të gjithë fëmijët kanë aftësi të mira përshtatëse. Disave u duhet më pak kohë dhe të tjerëve më shumë për t’u ambientuar me shkollën dhe miqësitë e reja. Duhet të kuptojmë se fëmijët përballen me detyra dhe një pjesë e mirë e tyre tensionohen dhe stresohen për këtë fakt. Është shumë e rëndësishme që ky stad të kapërcehet me sukses dhe pa diskutim, roli i psikologut, në bashkëpunim me prindërit dhe mësuesit, është shumë i rëndësishëm për të ndihmuar fëmijët që ta kapërcejnë lehtësisht këtë stad.

“Ne s’duhet të harrojmë se fëmijët modelojnë sjelljet tona. Sa më pak stres dhe tension të përcjellim, sa më të dashur të jemi, ashtu do jenë edhe ata.”

Raporti që ndërtohet me fëmijët ka tregues të veçantë. Sa bashkëpunëtorë janë prindërit shqiptarë në rastet kur fëmija e ka të pamundur të shoqërizohet në klasë?

Në gjykimin, por dhe në përvojën personale, kam takuar prindër të cilët janë të përkushtuar ndaj fëmijëve, sigurisht secili sipas mënyrës së vet. Më duhet të theksoj se prindërit, të cilët kanë fëmijën e parë në klasë të parë, janë gjithmonë më të shqetësuar dhe më të përkushtuar ndaj nevojave të fëmijës, ndërsa të tjerët e kanë kaluar këtë stad dhe janë më të fokusuar në procesin mësimor. Sot, për fat të mirë, fëmijët kalojnë nga një sistem parashkollor, çka e lehtëson më shumë procesin e socializimit. E vetmja pyetje që fëmijët ngrenë në procesin e shoqërizimit është: “A do të kem të njëjtët shokë që kam pasur në kopsht edhe në shkollë?”. Pra, tremben paksa nga ambienti i panjohur. Sa më shumë aftësi përshtatëse të ketë fëmija, aq më lehtësisht kapërcehet ky proces. Prindërit zakonisht janë promotorë të miqësive të reja te fëmijët dhe kjo i ndihmon shumë ata.

Ju keni përvojën tuaj në këto mjedise, çfarë do t’u këshillonit?

Pa dyshim dita e parë e shkollës për fëmijët që ulen për herë të parë në banka është një emocion për të gjithë familjen. Por të vegjlit shpeshherë këtë ditë e marrin me frikë, prandaj është e rëndësishme që ky ndryshim të kapërcehet pa frikë e pa ankth. Sigurisht, prindërit kanë rolin parësor, pasi janë ata që duhet të bëjnë përgatitjen kryesore të fëmijëve edhe nga ana psikologjike, për rëndësinë dhe detyrat që paraqet shkolla. Bisedat për shkollën nuk duhen sjellë në trajtën e ndëshkimit (si gogol) që, për fat të keq, ka prindër që ende e bëjnë. Përkundrazi, shkolla duhet t’u paraqitet fëmijëve si një ambient ku ata do mësojnë gjëra të reja, do zënë miq të rinj, do zbulojnë aktivitete të reja etj. Por, përveç kësaj, fëmija në këtë stad ka nevojë të ndihet i sigurt dhe këtë më së miri duhet t’ia plotësojnë jo vetëm prindërit, por dhe mësuesit. Roli i tyre është i pazëvendësueshëm, pasi janë kontakti i parë që fëmija merr me shkollën dhe këtë kontakt ata s’duhet ta marrin me frikë. Prandaj është shumë e rëndësishme që mësuesi/ja të jetë i dashur dhe i kujdesshëm në komunikim me fëmijët e klasës së parë. Fëmija i klasës së parë për herë të parë bëhet më i pavarur dhe më autonom, çka e frikëson atë, prandaj është shumë e rëndësishme siguria që i garanton mësuesi dhe prindi. Gjithashtu është e rëndësishme që aksesorët e shkollës të blihen së bashku me fëmijët. Është një moment që të gjithë fëmijët e duan, për shkak të ngjyrave të shumta, identifikimit me heronjtë e filmave vizatimorë etj. Edhe në rastet kur fëmija refuzon të shkojë në shkollë, prindërit duhet të relativizojnë situatën për ta lehtësuar atë, duke i thënë se e kupton, duke i treguar për veten, si e mban mend veten në klasë të parë. Fëmijët i duan historitë, sidomos të prindërve të tyre. E vërej shpeshherë këtë, madje ata fillojnë bëjnë pyetje mbi historinë se si silleshe ti kur ke qenë i/e vogël etj.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.88

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top