Në fokus

January 8, 2021 | 8:40

Ekspertët paralajmërojnë të hiqni dorë nga alkooli kur vaksinoheni kundër Covid-19. Ja pse…

Njerëzit që bëjnë vaksinën kundër Covid-19 duhet të heqin dorë nga alkooli para dhe pas vaksinimit, ka këshilluar një ekspert në imunologji. Kjo sepse pirja e alkoolit mund të ndryshojë mënyrën e funksionimit të sistemit imunitar.

Si pjesë e një dokumentari, specialistja e mjekësisë, Dr. Ronx Ikharia mori mostra gjaku para dhe pasi piu tre gota Proseko. Ajo zbuloi se sasia e alkoolit ishte e mjaftueshme për të ulur gjysmën e niveleve të qelizave të bardha në gjak. Ky është një problem, sepse këto qeliza janë thelbësore për tupin, që të luftojë sulmet nga viruset dhe patogjenët e tjerë. Nëse ato zvogëlohen ose dëmtohen nga konsumi i alkoolit, dobësojnë përgjigjen imune.

Profesore Sheena Cruickshank, një imunologe nga Universiteti i Mançesterit, u shpreh: “Ju duhet të keni sistemin tuaj imunitar në formë, për të pasur një përgjigje të mirë ndaj vaksinës, kështu që nëse pini një natë më parë, ose pak më vonë, kjo nuk do të ndihmojë.”

Në dhjetor, zyrtarja shëndetësore ruse Anna Popova sugjeroi që njerëzit duhet të ndalonin pirjen e alkoolit të paktën dy javë para se të bënin vaksinat e para dhe duhet të vazhdonin të mos konsumonin për 42 ditë të tjera më pas. Më vonë, Alexander Gintsburg, zhvilluesi i vaksinës Sputnik, tha që njerëzit duhet të heqin dorë nga alkooli tre ditë para dhe pas dy injeksioneve të kërkuara.

Dr. Tony Rao, një studiues në King’s College London dhe psikiatër konsulent, thotë: “Nuk ka ende ndonjë udhëzim të saktë, por ne e dimë që pirja mes 1 dhe 2 njësive alkool në ditë shoqërohet me një rrezik 8% më të lartë të pneumonisë së fituar nga komuniteti krahasuar me ata që nuk pinë.

“Meqë dihet alkooli se shtyp reagimin imunitar, opsioni më i sigurt do të ishte të mos pish për disa ditë para dhe pasi të jetë bërë vaksina, megjithëse kemi nevojë për kërkime të mëtejshme që të jemi në gjendje të informojmë lidhur me kohëzgjatjen e saktë të kohës që kërkohet”.

Një hulumtim i tillë mund të forcojë më shumë njohuritë tona në lidhje me rolin e alkoolit në rritjen e ndjeshmërisë së infeksionit Covid-19 tek njerëzit që nuk janë vaksinuar ende, shton ai. Aktualisht nuk ka asnjë provë që sugjeron se mos-konsumimi i alkoolit në ditët para ose pas vaksinimit do të kishte një efekt të dobishëm në efikasitetin e vaksinës.

Edhe nëse nuk do vaksinoheni së shpejti, heqja dorë nga alkooli mund të jetë i dobishëm për shëndetin tuaj, veçanërisht për shkak të variantit të ri të Covid-19 që po përhapet me shpejtësi në Mbretërinë e Bashkuar. Në librin e saj Immunity: The Science Of Staying Ëell, imunologia Dr.Jenna Macciochi diskuton se si alkooli mund të ndikojë në imunitet për shkak të ndikimit të tij në gjumë dhe shëndetin tonë të zorrëve.

“Njerëzit që pinë shumë alkool kanë tendencë të jenë më shumë të rrezikuar nga sëmundjet infektive, u duhet më shumë kohë për t’u rikuperuar nga sëmundjet dhe kanë më shumë komplikime pas operacionit”, shkruan ajo.

“Konsumimi i tepërt i alkoolit mund të ndikojë gjithashtu në organet që rregullojnë imunitetin, të tilla si mëlçia, e cila prodhon proteina antibakteriale që largojnë sëmundjet bakteriale dhe qelizat burimore të palcës së kockave, të cilat krijojnë qeliza të reja imune.”

Kjo mund të ndihmojë në shpjegimin pse njerëzit priren të vuajnë nga sëmundjet pas periudhës së festave të fundvitit.

 

 

Burimi / https://www.huffingtonpost.co.uk/

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top