Të kufizuarit nga përditshmëria, aktivitetet profesionale por jo vetëm, mjekët, punonjësit socialë, psikologët, por edhe krijuesit letrarë i ka bërë më aktivë. Mesa duket koronavirusi ka sjellë një produktivitet në reflektime krijuese, të qëllimshme për nga mesazhet dhe të forta për t’i rezistuar dhe bërë ballë virusit të panjohur. Me profesion teknike laboratori, por një poete e lindur, Enkeleda Pashaj Murataj përcjell përmes rreshtave rëndësinë që duhet t’i japim Jetës!
“Sot më shumë se kurrë kam vendosur të trokas fuqishëm në ndërgjegjen, zemrat e mendjet e gjithsecilit prej jush. Jam unë Jeta, që deri tani ndoshta dhe kam heshtur kur ju më keni nëpërkëmbur, kur ju në vend që të më zbukuronit, më vishnit pelerinë gri apo të zezë. Sot jo, nuk ju lejoj, sepse dua që të më doni fort jo vetëm për vete, por për të gjithë.Trëndafil pa gjemba s’ka dhe Jetë pa rregulla s’mund të ketë.
Është momenti yt o njeri të reflektosh, të kuptosh se këto rregulla janë për të më mbrojtur mua Jetën, për ty e për të gjithë ju. Mos neglizho, mos më lër të të rrëshqas nga duart nga një pakujdesi e jotja! Bëj që themelet e mia të jenë më të forta se të Vdekjes! Bëhu ti “Heroi i Jetës” që nesër të ndihesh krenar se ti e kreve misionin tënd ashtu siç duhet. Nesër emri yt dhe i shumë heronjve si ti do të hyjë në historinë time. Ashtu si nuse të stolisura bukur, emrat tuaj do të nusërojnë e do të shkëlqejnë fort nga drita e dashurisë për Jetën.
O njeri, jam unë Jeta! Po pres të ndjej me padurim dashurinë për Mua. Mos harro ke në dorë të kujdesesh e të më ruash Mua për të gjithë. Mbaje larg këtë virus nga Jeta e gjithsecilit! Rri në shtëpi! Kur herën tjetër të trokas në portën tënde, dëshiroj të jesh mirë ti dhe të gjithë ju që t’ju përqafoj fort e t’ju vë mbi kokë kurorën e fitores”.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.