Këshilla & Arsye

April 2, 2020 | 8:04

Muaji i çrregullimit të spektrit autik / “Si të punoj me fëmijën tim”, program orientues për aktivitete në shtëpi

Periudha që po jetojmë dhe situata në të cilën ndodhemi, nuk është aspak e volitshme për asnjërin nga ne, duke na bërë që të kemi pikëpyetje si: “Sa do të zgjasë kjo situatë?”, “Si do ta kaloj në mënyrë efektive kohën në shtëpi?”, “Si të përballoj stresin tim dhe të familjarëve të mi në këtë izolim?”, “A do të kem të ardhura të mjaftueshme për të përballuar këtë situatë në të cilën nuk arrij të punoj?”, “A do t’i kthehemi ndonjëherë rutinës?”, “Pasi të dalim nga karantina, a do të jenë njëlloj të gjitha gjërat apo do të kenë ndryshuar?”, “Fëmija im ka nevoja të veçanta, si të arrij të menaxhoj sjelljet e tij dhe ta kthej në produktive kohën në shtëpi me të?”, “Çfarë aktivitetesh duhet të zhvilloj me fëmijën tim?” etj.

Msc.Megi Lazri Psikologe Terapiste ABA

Msc. Dea Kraja Logopede

Msc. Dea Kraja Logopede

Duke u nisur nga nevojat e ndryshme që çdonjëri nga fëmijët ka dhe nga nevoja që prindërit kanë për të gjetur një rrugë në këtë situatë, e pamë të nevojshme që të bënim një udhëzues praktik për të punuar me fëmijët në kushte shtëpie.

Tavolina dhe grafiku | Gjatë kësaj kohe është shumë e rëndësishme që të bëni një kënd në shtëpinë tuaj, ku të vendosmi një tavolinë dhe dy karrige, në mënyrë që të jetë vendi për të kryer aktivitetet që kërkojnë pozicionim, me fëmijën tuaj. Merrni një kuti ku të vendosni të gjitha aktivitetet (lojëra apo libra) në mënyrë që të jenë të dukshme për fëmijën tuaj. Uluni së bashku me fëmijën tuaj dhe bëni një grafik ku të vendosni aktivitetet e ditës që do të zhvilloni me të, në mënyrë që fëmija të jetë i përgatitur për aktivitetin që e pret, të dijë oraret e pushimit dhe të ngrënies, në mënyrë që t’i ofrojmë një rutinë të re nga ajo që ka pasur më përpara. Grafiku duhet të jetë në bazë të zhvillimit të fëmijës, që do të thotë: një fëmijë që akoma nuk lexon, grafikun do ta krijoni me vizatime të aktiviteteve që ai do të zhvillojë, në rastin kur fëmija lexon ato do të jenë të shkruara. Grafiku duhet gjithmonë të vendoset përpara fëmijës që ai ta shohë atë, dhe kujtojini aktivitetin pasardhës në mënyrë që tranzicioni nga një aktivitet në tjetrin të jetë më i kuptueshëm dhe më i lehtë për fëmijën tuaj. Gjithashtu grafiku çdo ditë duhet të ndryshojë renditjen e tij, p.sh: nëse ditën e parë keni vendosur aktivitetin të parin aktivitetin kuba, në ditën tjetër zhvendoseni të fundit si aktivitet, e bërë kjo në mënyrë që fëmija ta ketë më të lehtë tranzicionin nga dita në ditë.

1

Përforcuesit ose shpërblimet | Gjatë kohës që punoni aktivitetet me fëmijët tuaj, është shumë i rëndësishëm përdorimi i shpërblimit apo përforcuesi. Përforcues mund të përdorni çdo gjë që fëmija juaj ka dëshirë, duke filluar nga përforcimet me bazë ushqimore si: biskota, çokollata etj , përforcues fizikë si: dhënia e makinës, që i pëlqen, apo lojën rrotulluese, etj., dhe përforcues socialë ku i thuhet “Bravo”, “Shumë mirë”, “Të lumtë” etj. Përforcuesi ndihmon që detyrat dhe aktivitet që i jepni fëmijës të kryhen më mirë pasi stimulojnë në kryerjen e tyre. Sa më i vështirë të jetë aktiviteti që i jepni, aq më i fortë duhet të jetë përforcuesi për detyrën. Në fillim përforcojmë detyra të thjeshta si p.sh: marrja e gotës së ujit në vendin ku ju i keni thënë. Pasi fëmija kryen këtë veprim ju e shpërblemi me një gjysmë biskote, më pas i jepni komandën që ta vendosë atje ku e ka marrë gotën, në kryerjen e këtij veprimi ju i jepni gjysmën tjetër të biskotës, duke përforcuar pozitivisht një sjellje të tillë. Pasi mësohet një veprim i tillë, gjysma e biskotës merret pasi fëmija i kryen të dyja veprimet njëri pas tjetrit nën komandën tuaj pa përforcues në mes, duke ia dhënë atë në fund të detyrës. Kështu fëmija mësohet të kryejë aktivitetet njëri pas tjetrit duke rritur nivelin e kuptushmërisë së komandave të dhëna, duke shtuar kohëzgjatjen e aktiviteteve dhe duke u stimuluar sa më gjatë për kryerjen e tyre që të marrë në fund shpërblimin e caktuar.

2Televizori apo telefoni | Duke qenë se ndodheni gjatë gjithë kohës në shtëpi, është e vështirë që të mos ndezim televizorin apo të mos përdorim telefonin. Pavarsisht kësaj është shumë e rëndësishme fikja e tyre gjatë pjesës më të madhe të ditës. Një diçka e tillë do të shkaktonte sjellje tek fëmija, duke u fokusuar vetëm në stacionet me muzikë që mund të dëshirojë, përsëritjen e reklamave duke shtuar ekolalin (përsëritja e vazhdueshme e fjalëve) etj. Mundohuni sa më shumë të evitoni lajmet dhe t’i dëgjoni ato pasi fëmija të ketë fjetur, kjo pasi emocionet tona dhe gjendja jo mirë e jona përcillet edhe te fëmijët. Mundohuni që televizorin dhe telefonin në raste shumë të rralla ta jepni si një shpërblim p.sh: pasi fëmija ka kryer të gjitha aktivitet e ditës të programuara mund t’ja ndezni televizorin jo më shumë 30 minuta për të parë diçka që ai dëshiron.

Komunikimi | Mundohuni që gjatë të gjithë kohës të komunikoni me fëmijën tuaj duke emërtuar çdo gjë që bëni. Mundohuni të përdorni fjalë të thjeshta dhe fjali të thjeshta për të përçuar sa më qartë mesazhin tuaj te fëmija. Mundohuni të flisni në mënyrë të shkoqur fjalët, që të jenë sa më të kuptueshme për ta p.sh: nëse një fëmije i thuhet “Të lutem merre lapsin që ndodhet tek tavolina sepse së bashku do të vizatojmë ariun”, mundësia që fëmija të kuptojë mesazhin është e ulët, nëse ne e ndryshojmë, kemi mundësi që fëmija ta kuptojë dhe ta realizojë atë  p.sh: “Merre lapsin tek tavolina”, “Vizatojmë ariun” etj.

Aktivitet fizik | Në grafikun që do të hartoni, vendosni edhe aktivitetin fizik. Aktiviteti fizik është shumë i rëndësishëm për shkarkimin e emocioneve si pozitive apo negative, minimizimin e sjelljeve steriotipike, shkarkimin e nivelit të stresit dhe të gjendjeve ankthioze. Ushtrimet fizike mund t’i bëni me ushtrime të thjeshta aerobie, me kërcim, me top, me vendosjen e një vallëzimi dhe imitimit të lëvizjeve etj. Krijoni një lojë e cila ka pengesa të thjeshta, si shkapërcimi i një libri apo pelushi dhe më pas bërja e një gjuajtje me top ose një ushtrimi aerobie. Në këtë mënyrë mund të arrijmë që të shkarkojmë dhe të mund të modelojmë dhe modifikojmë sjelljet që fëmija ka ose fiton gjatë qëndrimit në shtëpi.

3

Aktivitetet shtëpiake | Kjo është periudha më e mirë që të angazhoni fëmijën tuaj në aktivitetet e përditshme shtëpiake. Ky aktivitet duhet të shënohet në grafikun e aktiviteteve ditore me fëmijën tuaj. Duhet të kryeni detyra të tilla si: vendosja dhe palosja e rrobave në vendin e tyre, mund ta përdorni aktivitetin e rrobave për të diferencuar ngjyrat pra ndarjen e rrobave me ngjyra të ndryshme, shtrimi i tavolinës së bashku, ku gjatë kohës i tregohen orenditë e kuzhinës, funksioni i tyre dhe vendosja e tyre në tavolinë, gatimi së bashku ku i udhëzohet fëmijës që të sjellë ushqimet që ju nevojiten dhe gjatë të gjithë kohës i shpjegohet se çfarë po bëni, kategoria e ushqimeve që fëmija duhet të sjellë, p.sh: domatja është perime, portokalli është frut etj, ngjyrat e tyre dhe shijet që kanë, p.sh: luleshtrydhet janë të ëmbla, limoni është i thartë, etj. Aktivitet tjetër është ai i rregullimit të krevatit së bashku, ku edhe gjatë kësaj kohe i emërtohet jastëku, çarcafët, batanija, jorgani etj. Aktivitete të tilla rrisin pavarësinë e fëmijës në kryerjen e detyrave shtëpiake dhe aktivizimin e tyre në mënyrë që të fitojmë sa më shumë sjellje pozitive.

Motorika fine dhe globale | Një aspekt shumë i rëndësishëm për t’u punuar dhe për t’u vendosur në grafik është motorika. Në kushtet e shtëpisë për motorikën mund të përdorni brumin duke krijuar dy ose tre aktivitete së bashku, p.sh: mund të bëni biskota me fëmijën tuaj, gjatë këtij aktiviteti përfshijmë disa aspekte. E para, marrim së bashku me fëmijën të gjithë përbërësit, të cilët na shërbejnë, dhe vendosim fëmijën për të thyer vezët, për të hedhur miellin dhe përzier ato. Pasi bëhet masa e dëshiruar e brumit, një pjesë të tij ia japim fëmijës për ta punuar me duar, për ta hapur atë, më pas së bashku mund të merrni format e ndryshme të kuzhinës duke iI emërtuar ato dhe duke i bërë së bashku me fëmijën vendosjen e formës mbi brumin. Mund të merrni rruaza të mëdha, të cilat nuk ju shërbejnë më dhe me anë të një filli të filloni më fëmijën tuaj për t’i përshkuar ato. Aktivitetit mund edhe t’i shtoni ndarjen dhe grupimin e rruazave me një ngjyrë të caktuar etj. Punimi me makarona apo fasule për të bërë format e ndryshme, p.sh:vizatoni në një fletë një trekëndësh, një rreth, një katror etj., dhe së bashku me fëmijën filloni të ngjisni makaronat apo kokrrat e fasules në fletën me format e vizatuara. Më pas me ngjyra uji ngjyrosini ato sipër. Aktivitete të tilla ndihmojnë fëmijët në zhvillimin e motorikës.

Imitimi | Në grafikun tuaj duhet të vendosen aktivitetet që lidhen me imitimi. Në kushtet e shtëpisë mund ta krijoni imitimin në aspekte të ndryshme p.sh: të merrni kubat dhe të bëni një formë të thjeshtë, më pas t’i kërkoni fëmijës që të bëjë të njëjtën formë sikur ju. Në fillim bëjmë dy kuba dhe më pas shtojmë vështirësinë e aktivitetit. Mund të merrni objekte të njëjta të përditshmërisë p.sh: krehër dhe të krihni me të flokët dhe t’i kërkoni fëmijës që të bëjë të njëjtën gjë, furçën e dhëmbëve, etj. Imitimin mund ta realizoni edhe nëpërmjet bansave, kërcimeve me 2 lëvizje dhe kërkoni që fëmija të imitojë lëvizjen që ju bëni. Mund të vendoseni përpara pasqyrës dhe të bëni forma të ndryshme të mimikes dhe të kërkoni që fëmija të realizojë bashkë me ju imitimin e tyre.

Mbillni një lule | Gjatë terapisë shumë aktivitete pasqyrohen dhe i tregohen fëmijës me anë të fotove, sikurse është edhe mbjellja e një luleje. Në kushte të shtëpisë keni mundësi që ta zhvilloni një aktivitet të tillë duke marrë një vazo dhe së bashku me fëmijën tuaj t’i hidhni dheun dhe ta vendosni lulen në të. Duke mos harruar që gjatë kohës që e bëni aktivitetin, komunikoni dhe i shpjegoni fëmijës tuaj se çfarë po bëni. Një aktivitet të tillë  vendoseni në grafik dhe 1 herë në dy ditë vendosni në grafik ujitjen e lules, aktivitet që ju së bashku me fëmijën tuaj duhet ta kryeni.

Vetëndihma | Duke qenë se ndodheni gjatë gjithë kohës në shtëpi, keni mundësi që të punoni me fëmijët në aspektet e vetëndihmës, p.sh: n.q.s fëmija juaj vazhdon të ketë pampers mundohuni që gjatë kësaj periudhe të punoni në këtë aspekt duke filluar ta çoni në banjo çdo 30 minuta, duke përdorur një përforcues të fuqishëm. Kryeni të gjitha veprimet së bashku me fëmijën tuaj si ulja e rrobave, fshirja, shkarkimi i ujit, larja e duarve, fshirja e tyre, etj. Gjatë procesit të larjes mundohuni që ta udhëzoni fëmijën, p.sh: duke i dhënë shampon e duke e hedhur në duart e fëmijës dhe duke e ndihmuar që të lajë flokët e vet. Nëse fëmija juaj nuk arrin që të vishet vetë, punoni në këtë aspekt duke e ndihmuar ju fillimisht, e më pas duke e orientuar me komandë se çfarë të bëjë, të mbërthejë dhe zbërthejë kopsat, zinxhirët, të veshë çorapet, të lidhë edhe zgjidhë këpucët. Gjatë të gjithë aktiviteteve duhet të keni durim, por në aktivitete të tilla duhet të mundoheni që të ruani qetësinë pasi duhet të insistoni që fëmija juaj të fillojë t’i kryejë i pavarur procese të tilla, sepse janë shumë të rëndësishme. Në këtë rast përdorni ilustrimet me foto të sekuencës së veprimeve p.sh: vendosni mbi lavaman fotot e procesit të larjes së duarve etj.

Loja funksionale | Përdorni gjithë imagjinatën tuaj për të krijuar lojëra funksionale, p.sh: merrni kubat dhe ndërtoni së bashku me fëmijën tuaj një rrugë dhe më pas bëni sikur po zhvilloni gara me makina. Formoni shtëpi. Bëni fermën dhe vendosni kafshët e brenda dhe së bashku me fëmijën tuaj bëni imitimin e tyre. Krijoni xhunglën dhe vendosni kafshët, duke diferencuar kafshët e egra nga ato të buta, të mëdha dhe të vogla, thoni ngjyrat e tyre, etj. Merrni dy kuti dhe ndani perimet nga frutat dhe tregoni për karakteristikat e tyre etj. Merrni një kukull dhe filloni ta ushqeni duke përdorur orenditë e kuzhinës, duke imituar dhe duke thënë fuknsionin e gotës, lugës, etj. Formoni një puzzle dhe largoni një nga pjesët, në mënyrë që të nxisni fëmijën tuaj që ta kërkojë atë, etj. Fëmijët e arrijnë zhvillimin e tyre konjitiv nëpërmjet lojës, dhe kjo është arsyeja që një fushë e tillë ka një gamë të gjërë aktivitetesh që mund të zhvilloni. Mos harroni që aktiviteti duhet të jetë i shkruar apo i vizatuar në grafikun që i paraqitet fëmijës.

Aktivitetet akademike | Një aspekt tjetër është ai akademik, në të cilin mund të zhvilloni një shumëllojshmëri aktivitetesh. P.sh: mund të merrni një fletë dhe në të, të vizatoni me pika format në mënyrë që fëmija juaj t’i bashkojë ato. Të ngjyrosni me fëmijën tuaj ose t’i jepni një model të ngjyrosur dhe ai ta bëjë njëlloj. Të bëni shkonjat me pika, numrat, figura të ndryshme. Të merrni një objekt dhe ta shkruani atë me pika dhe fëmija juaj ta kopjojë. Të bëni bashkësi dhe të gjeni numrin e elementëve etj.

Uroj që t’ju kemi ardhur në ndihmë me materialin e përgatitur, pavarësisht të gjitha udhëzimeve, mos harroni t’i përqafoni e ti dhuroni shumë dashuri fëmijëve tuaj. Pas gjithë kësaj ne do të jemi aty edhe një herë për të ndihmuar në rifitimin e aftësive.

Urojmë që çdo gjë të kalojë sa më shpejt!

Mund të na kontaktoni në çdo moment në adresat tona:

[email protected] dhe [email protected]

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top