Radiografi

October 9, 2019 | 8:45

ENT Clinic / Në emër të bukurisë

Sot pas 5 viteve nën logon “ENT Clinic”, pas mijëra ndërhyrjeve dhe orëve të tëra të kaluara në sallë, mes pacientësh që kanë zgjidhur një problem, mes ëndrrash të bëra realitet për t’u ndier më të bukur, mes mesazhesh falënderues çdo ditë, ndiejmë se falënderues duhet të jemi ne. Falënderues që profesionalizmi dhe përkushtimi i gjithë stafit ENT është i përkthyer në rezultate dhe sukses.

Përgatiti: Orjona TRESA | Foto: Vlasov SULAJ

Si unë dhe Dr.Bledi, kemi studiuar mjekësi me qartësinë e plotë që kishim zgjedhur një profesion, i cili shëron plagë dhe sëmundje, por dhe qetëson shpirtra. U specializuam si mjekë otorino-laringologë, duke u mësuar se prioriteti ynë do të ishte ana funksionale, ajo e padukshmja. Më vonë me eksperiencën e viteve të tëra pune në pavijonin e ORL-së në QSUT bashkangjitur specializime të shumta ndër vite në fushën e estetikës, e pamë Kirurgjinë Estetike si një alternativë të shkëlqyer për të korrigjuar defekte dhe anomali në pamje si pasojë e aksidenteve apo sëmundjeve të ndryshme.

E sot, kur kulturalisht kërkesa për të qenë më tërheqës është plotësisht e drejtë dhe e pranueshme. E shohim Kirurgjinë Estetike në shumë raste si zgjidhje për të rritur vetëbesimin dhe për t’u dukur dhe ndjerë më mirë me veten. Në respekt të profesionit që kemi zgjedhur të kryejmë dhe të misionit të tij, është detyra jonë të ndihmojmë pacientë të mos ngatërrojnë vetëbesimin që mund të vijë si rrjedhojë e një ndërhyrjeje estetike nga iluzioni. Është detyra jonë t’i ndihmojmë ata të dallojnë pritshmëritë e vërteta nga përralla. Ky profesion na ka mësuar që nuk mund të kemi pacientë të kënaqur me çfarë kemi përmirësuar për së jashtmi dhe falënderues nëse nuk ndihen të bukur brenda.

Jemi të vendosur që në klinikën tonë të kemi pacientë te bukur jashtë, por më së shumti të lumtur brenda. Miqësisht, DR. JULIAN DERVISHAJ & DR.BLEDI NINI

Dr. Julian Dervishaj

Dr. Julian Dervishaj

Rinoplastika

Rinoplastika është procedura e 5-të më e përhapur në kirurgjitë plastike në SHBA. Vetëm në 2013 janë kryer 200,000 raste. Gjatë kësaj procedure, kirurgu ndërhyn në kërcin dhe kockën e hundës për t’i dhënë pamjen e dëshiruar asaj. Për të gjithë ata të cilët janë jo të lumtur me përmasat dhe formën e hundës së tyre, rinoplastika ofron zgjidhje të sigurt dhe efektive kozmetike. Nëse procedura kryhet nga një kirurg i zoti dhe me eksperiencë, ajo përmirëson pamjen e fytyrës suaj, duke ju ndihmuar të ndërtoni një karakter të fortë plot vetëbesim.

Rinoplastika përdoret për të korrigjuar defektet strukturale, përfshirë edhe ato të cilat shkaktojnë probleme në frymëmarrje. Kriteret për t’u marrë në konsideratë përpara se të vendosni për Rinoplastikë janë të shumtë, si p.sh: risqet e mundshme, përfitimet, kostot etj.

Kush mund të bëjë rinoplastikë?

Pjesa më e madhe e atyre që synojnë rinoplastikën janë të pakënaqur me pamjen e hundës së tyre dhe me disharmoninë që ajo krijon me pjesën tjetër të fytyrës. Më pak janë ata që i futen kësaj procedure për shkak të çrregullimeve strukturale. Kandidatët optimalë për rinoplastikë janë ata të cilët kanë në rregull parametrat bazikë shëndetësorë, kuptojnë risqet që shoqërojnë procedurën si dhe kanë pritshmëri reale mbi rezultatet.

Po ndër kandidatët idealë për rinoplastikë kë do rendisnit?

Ata që kanë hundë të madhe ose të vogël në krahasim me tiparet e tjera të fytyrës; ata që kanë hundë me gungë; ata me hundë të gjerë; ata me hundë të zgjatur; ata me hundë bulboze; ata me hundë të shtypur; ata me hundë të pozicionuar jo në qendër; ata me hundë asimetrike; ata me probleme me frymëmarrjen, si rezultat i abnormaliteteve në strukturën e brendshme të hundës (deviacion i septumit apo probleme të tjera. Dr. Julian Dervishi

hundaFlasim pak për kirurgjinë e sinuseve paranasale.

Otorinolaringologu, si fillim, për trajtimin e sinuzitit akut do të  tentojë trajtimin medikamentoz ( antibiotik, dekongjestant, spraji steroid nazal, antihistaminik). Në rastet kur kemi infeksione rekurente dhe që nuk reagojnë ndaj mjekimit medikamentoz, kirurgjia e sinuseve mbetet një alternativë për zgjidhje.

Në fillimet e shek XX. kirurgjia e sinuseve klasifikohej në ndërhyrjet e vështira, pasi në atë kohë për të arritur deri te sinuset duheshin performuar incizione të jashtme në fytyrë dhe gojë, duke lënë shenja, diskomfort dhe dhimbje. Sot, këto shqetësime nuk ekzistojnë më. Një kirurg i specializuar mund të kryejë kirurgji të sinuseve me minimumin e diskomfortit dhe komplikacioneve. Si përpara çdo ndërhyrjeje është e rëndësishme të krijohet historia mjekësore e pacientit, të identifikohet shkaku i sinuzitit akut apo kronik, i cili më së shumti gjendet në zonën anteriore ethmoidale, zonë në të cilën sinuset frontale dhe maxillare lidhen me hundën.

Kirurgjia funksionale endoskopike e sinusit (FESS)

Endoskopi nazale ka qenë një revolucion në kirurgjinë e sinuseve. Përdorimi i endoskopit në kirurgjinë e sinuseve lidhet me teorinë që, për të pasur sinuse të shëndetshme, nevojitet të kesh rrugët e lira për deri në sinus. Sapo përmirësohet sistemi i drenimit, një mukozë e sëmurë e sinuseve ka mundësi të kthehet në normalitet. FESS nënkupton futjen e endoskopit, (një fibër optike shumë e hollë), në hundë për të bërë një ekzaminim direkt vizual të hapjeve të sinuseve. Me vendosjen e mikroteleskopit dhe instrumentave, indet abnormale dhe obstruktive hiqen. Kjo procedurë kryhet brenda vrimave të hundës, pa shenja të jashtme e të dukshme. Ka pak enjte dhe shumë pak diskomfort. Avantazhi i kësaj procedure qëndron te fakti që sakrifikohen shumë pak inde normale. Pas operacionit, pacienti duhet të mbajë tampon. 10 ditë pas ndërhyrjes, rekomandohet të kryhet lavazh nazal, në mënyrë që hunda mos të zërë kore.

Në cilat raste duhet parë si zgjidhje ndërhyrja kirurgjikale për të korrigjuar hundë të bllokuara?

Shumë njerëz vuajnë nga bllokimi i hundëve. Ky mund të jetë tregues i një problemi kronik në lidhje me frymëmarrjen, i cili nuk gjen zgjidhje me trajtime të zakonshme. Bllokimi mund të lidhet me probleme strukturore në brendësi të hundës ose ënjtje, të shkaktuara nga alergji apo viruse. Shkaqet e obstruksionit nazal janë të shumta. Septumi mund të jetë i shtrembër apo thyer si rezultat i një anormaliteti në rritje apo aksidenti.

Si pasojë, bllokohen pjesërisht apo plotësisht njëra apo të dyja rrugët e kalimit të ajrit. Deviacioni i septumit korrigjohet me anë të procedurës kirurgjikale të quajtur septoplastikë. Ndryshimet estetike mund të kryhen në të njëjtën kohë me procedurën e kombinuar të quajtur septorinoplastikë. Rritja më shumë se duhet e indeve në brendësi të rrugëve të kalimit të ajrit në hundë, mund të jetë një tjetër shkak i bllokimit të hundëve. Trajtimi i këtij problemi konsiston në zvogëlimin e këtyre indeve dhe zgjerimin e rrugëve të kalimit të ajrit. Trajtimi përfshin injeksione apo heqje të pjesshme. Alergjitë janë gjithashtu faktorë që shkaktojnë bllokime nazale, ndaj është i rëndësishëm nënshtrimi ndaj terapisë. Mosha është faktor i zakonshëm që shkakton obstruksion nazal. Kjo ndodh si rezultat i dobësimit të kartilagos së hundës dhe rënies së majës së saj nga mosha. Ndaj, edhe me kalimin e viteve frymëmarrja me gojë bëhet normale. Nëse një i moshuar provon të ngrejë majën e hundës me dorë, do të shohë se frymëmarrja bëhet më e lehtë. Në këtë moshë duhet vlerësuar nëse ia vlen apo jo ndërhyrja kirurgjikale.

Ndalemi më në detaje te devijacion i septumit dhe hipertrofia e konkave nazale.

Devijacioni i septumit nazal është i zakonshëm, madhe është e rrallë edhe për mjekët të hasin një septum nazal tërësisht të drejtë. Septumi nazal është vija ndarëse e kërcit që ndan vrimat e hundës nga njëra-tjetra. Hipertrofia e konkave nazale do të thotë, zmadhim i konkave (struktura të vogla në brendësi të hundës, të cilat ndihmojnë në pastrimin dhe mostharjen e ajrit gjatë kalimit përmes vrimave të hundës në mushkëri.

Simptomat më të zakonshme të devijacionit të septumit nazal dhe hipertrofisë së konkave janë: frymëmarrje nazale e bllokuar, vështirësi gjatë natës, gërhitje, hemorragji kronike nga hundët, apo infeksion kronik i sinuseve. Devijimi i septumit nazal shkakton ngushtim të rrugëve të kalimit të ajrit. Personi i cili e vuan, i duket sikur nuk merr dot frymë nga njëra anë e hundës apo nga të dyja anët. Kryesisht problemi ndihet më tepër gjatë natës. Devijimi i septumit mund të shkaktojë deri në infeksion kronik të sinusit. Diagnoza vendoset përmes ekzaminimit fizik, endoskopisë nazale, apo CT. Spraji steroid nazal mund të përdoret për problemet që shkaktohen nga devijacioni i septumit apo nga hipertrofia e konkave. Këto medikamente ndihmojnë në reduktimin e inflamacionit të mukozave, duke lehtësuar frymëmarrjen nazale. Në rastet kur septumi apo strukturat e konkave shkaktojnë ngushtim të rrugëve nazale dhe trajtimi medikamentoz ka dështuar, zgjidhja është kirurgjia. Septoplastika, drejtimi i septumit nazal apo Turbinoplastika reduktim i konkave.

Cila është hunda perfekte, veçanërisht tek femrat?

Sipas studimeve të fundit, këndi ideal nozolabial për hundën e grave është 106 gradë, pasi ai rrit feminilitetin. Të pasurit e hundës me pak majë, e bën pamjen e gruas më feminile. Hundët që shohin poshtë, shpesh duken të gjata dhe burrërore, ndaj dhe një kënd më i gjerë se 90 grade është kusht për të rritur feminilitetin. Këndi ideal nazolabial për një grua të bardhë është 106 grade. Ky zbulim do t’u vijë në ndihmë kirurgëve estetikë.

Studimi ku mori për bazë gra dhe vajza të bardha të moshës 18-25 vjeç, rikonfirmoi dhe njëherë që këndi nazolabial që duhet ta ketë një grua është midis 104 dhe 108 gradë, por optimali është 106. Ndërsa për burra është 90 gradë.

10 përfitimet e rimodelimit të hundës.

  1. Vetëbesimi – Rinoplastika ndërton vetëbesimin në persona që janë të vetëdijshëm për pamjen dhe formën e hundës së tyre.
  2. Përmirëson frymëmarrjen-Eliminon vështirësitë e frymëmarrjes me hundë.
  3. Rregullon hundë të frakturuara-Kocka e hundës është kocka që frakturohet më shpejt ndër kockat e fytyrës.
  4. Problemet e sinuseve-Rinoplastika mund të kombinohet me kirurgjinë e sinusit për të rregulluar problemet e frymëmarrjes apo sinuzitin kronik.
  5. Rinoplastika e përsëritur-E njohur si Rinoplastikë sekondare apo terciare, është një procedurë e cila korrigjon gabimet e mundshme nga një kirurgji e mëparshme e hundës.
  6. Korrigjon defekte të lindura-Rinoplastika korrigjon keqformime kongenitale të hundës.
  7. Rregullon simetrinë e fytyrës-Rinoplastika korrigjon probleme që ndikojnë në simetrinë e fytyrës, si një hundë e shtrembër apo bulboze.
  8. Bullizmi-Akademia Amerikane e Plastikave Faciale dhe Kirurgjisë Rikonstruktive beson se 76% e kirugjive plastike në adoleshencë kryhen për shkak të bullizmit.
  9. Gërhitja-Rinoplastika redukton apo eliminon gërhitjen, apo probleme në lidhje me gjumin. 23% e çifteve flenë në dhoma të ndara për shkak të gërhitjes së partnerit. Gërhitja është shkaku i tretë i divorcit në SHBA.
  10. Arsye karriere-Shumë pacientë besojnë se kirurgjia estetike e hundës do të ndikojë pozitivisht në karrierën e tyre.

Sa rëndësi ka lloji i lëkurës së hundës në rinoplastikë?

Pamja e hundës përcaktohet kryesisht nga forma dhe madhësia e strukturës skeletale (kockore dhe kërcore) të saj. Si rrjedhojë, Rinoplastika lidhet kryesisht me modifikimet në këtë strukturë, pra në kërc dhe kockë për të arritur pamjen e dëshiruar. Por, duke qenë se struktura skeletale është e veshur me lëkurë dhe indet subkutane si ato muskulare dhe ato dhjamore, pamja e strukturës skeletale ka pak ngjashmëri me pamjen përfundimtare të hundës. Edhe pse në rinoplastikë rrallë bëhen modifikime në lëkurë apo në indet subkutane, sepse kryesisht ndërhyhet vetëm në kërc apo kockë. Ndikimet që këto inde japin në rezultatin përfundimtar, nuk duhen neglizhuar.

Trashësia e lëkurës është një ndër karakteristikat më të rëndësishme që ndikon në rinoplastikë. Një trashësi mesatare e lëkurës së hundës është ajo që kërkohet për të pasur një rezultat më të mirë, ndërsa lëkurat shumë të holla apo shumë të trasha janë më pak të favorshme. Tendenca për shenja dhe elasticitet janë dy karakteristika të tjera të rëndësishme të lëkurës së hundës, që ndikojnë fort në rezultatin e rinoplastikës.

A ka komplikacionet Rinoplastika nëse lëkura është e hollë?

Në pacientë me lëkurë hunde shumë të hollë, ekziston tendenca që incizionet (prerjet) të shërohen me shenja dhe ënjtje minimale, por ana negative qëndron në faktin që këto lëkura bëjnë të dukshme edhe imperfeksionet më minimale në strukturën skeletale të hundës. Një tjetër dizavantazh për lëkura shumë të holla në hundë është tendenca për t’u tkurrur pas ndërhyrjeve kirurgjikale. Ndaj sfida për kirurgun estetik në pacientë të tillë, është të krijojë një strukturë skeletale krejtësisht të lëmuar pas ndërhyrjes. Nëse kjo nuk është e mundur, mund të bëhet trashja artificiale e lëkurës në këtë zonë, duke vendosur grafte subkutane. Problemet e skuqjes si rezultat i çarjeve të venave të vogla në lëkurë dhe vizibilitetin e lartë të tyre në lëkura të holla, trajtohen me lazer.

psikologjia-141

Ju thoni: Lëkura e trashë është një sfidë e vërtetë në rhinoplastikë. Si qëndron e vërteta?

Në ndryshim nga lëkura e hollë e hundës, lëkura e trashë mund të mbulojë dhe imperfeksione të mëdha që ndodhen në strukturën skeletale të hundës. Por avantazhet përfundojnë këtu, pasi një lëkurë e trashë e hundës konsiderohet si një ndër sfidat dhe pengesat e një rezultati të mirë në rinoplastikë. Një ndër arsyet pse shihet si sfidë, është se lëkurat kaba e reduktojnë definimin nazal, duke e maskuar në një mënyrë strukturën skeletale që gjendet nën të. Një tjetër arsye që e bën lëkurën e trashë të të hundës pengesë në rinoplastikë, është pesha e shtuar e saj. Modifikimet kirurgjikale që dobësojnë suportin struktural të hundës, kur lëkura mbi të është e trashë, janë me risqe të shtuara.

Sikur të mos mjaftonte pesha e shtuar si dhe pamja kaba që vjen nga një lëkurë e trashë e hundës, dizavantazheve u shtohet edhe tendenca për të krijuar ënjtje dhe inflamacion pas rinoplastikës. Në pacientë me lëkurë të trashë, ënjtjet mund të kërkojnë deri në 12-18 muaj kohë për t’u zhdukur pas rinoplastikës. Ndaj dhe impakti përfundimtar i rinoplastikës nuk mund të shihet më parë se një vit, kohë kjo e cila zgjatet në pacientë me histori paraprake inflamatore si rhiniti alergjik, akne etj.

A zgjat Rinoplastika gjatë gjithë jetës?

Teorikisht, Rinoplastika është menduar dhe praktikuar për të zgjatur gjatë gjithë jetës. Por gjithsesi, faktorë të tjerë hyjnë në lojë. Së pari duhet të kuptojmë që sakrifikimi i integritetit kërcor dhe kockor në një ndërhyrje të hundës për efekt estetik, ka ndryshuar me kalimin e viteve. Kirurgët sot janë më konservativë dhe mbrojtës ndaj strukturave të hundës se sa 15-20 vite më parë, të cilët për një efekt estetik të kënaqshëm të momentit, sakrifikonin masë kërcore dhe kockore nazale më shumë se sa duhet. Kjo bën që me kalimin e viteve hunda të humbasë pamjen që e kishte fituar si rezultat i ndërhyrjes. Së dyti, hunda është një strukturë dinamike dhe me kalimin e viteve ndryshon.

Rreth moshës 16-vjeçare përfundon rritja e strukturës kockore. Gjithsesi, forma përfundimtare nazale e një adulti akoma nuk është vendosur. Edhe pse struktura kockore nuk do të rritet më pas adoleshencës, ka shume faktorë mjedisorë apo individuale, të cilët do të ndikojnë në formën e hundës, duke dhënë ndryshime delikate apo edhe dramatike të kontureve përfundimtare të hundës. Me fjalë të tjera, hunda juaj do të “plaket” si çdo gjë tjetër, disa hunda plaken më pak e disa më shumë. Ndaj, kirurgu plastik duhet ta ketë parasysh këtë fakt, e të jetë konservativ në ruajtjen e integritetit strukturor të hundës gjatë ndërhyrjes, në mënyrë që të minimizohen sa më shumë ndryshimet me moshën.

A ndryshon hunda me kalimin e viteve?

Një rinoplastikë e suksesshme kërkon të kuptosh drejtë reagimin e strukturës kockore apo indeve të buta ndaj kësaj ndërhyrjeje. Por, për të qenë e plotë kjo, fillimisht duhet të jetë e plotë njohja me ndryshimet që kjo strukturë pëson me kalimin e viteve.

Cili është cikli i hundës?

Hunda e fillon jetën e vet si një shtojcë amorfe e shkurtër, me pak karakteristika të dallueshme. Ajo e ruan formën e saj “fëminore” deri në pubertet , periudhë në të cukën fillon ndryshimi dramatik i skeletit nazal. Rreth moshës 16-vjeçare, hunda arrin formën përfundimtare (unike) me përfundimin e rritjes së strukturës kockore. Gjithsesi, forma përfundimtare nazale e një aduti akoma nuk është vendosur. Edhe pse struktura kockore nuk do të rritet më pas adoleshencës, ka shumë faktorë mjedisorë apo individualë, të cilët do të ndikojnë në formën e hundës, duke dhënë ndryshime delikate apo edhe dramatike të kontureve përfundimtare të hundës. Me fjalë të tjera, hunda juaj do të “plaket” si çdo gjë tjetër. Disa hunda plaken më pak e disa më shumë.

Çfarë ndodh me plakjen e hundës?

Fatkeqësisht, plakja e hundës ndikon jo vetëm në një pamje më pak tërheqëse të saj, por edhe me probleme me frymëmarrjen. Ndaj, ndjeshmëria e hundës ndaj plakjes nënvizon rëndësinë e ruajtjes së strukturës kartilaginoze. Thirrje kjo që më së shumti u drejtohet kirurgëve, të jenë sa më shumë konservativë dhe mbrojtës ndaj strukturave kockore dhe kërcore të hundës gjatë Rinoplastikave. Teknika të rinoplastikës që për një efekt estetik të kënaqshëm të momentit, sakrifikojnë masë kërcore dhe kockore nazale më shumë se sa duhet, çojnë në plakje më të hershme të hundës.

Flasim për rimodelimin e hundës me metodën e mbyllur.

Rinoplastika e mbyllur përmbush ndryshimet e dëshiruara pa lënë shenja incizionesh në lëkurë. Me fjalë të tjera, njihet dhe si Rinoplastika endonazale, duke qenë se ndërhyrja bëhet nga brenda hundës. Incizionet në rhinoplastikën e mbyllur bëhen të gjitha në brendësi të hundës, në zona në të cilat t’i japin akses kirurgut për të manovruar me majën apo kurrizin e hundës. Në foto demonstrohen vizualisht ku janë performuar incizionet. Vijëzimet me pika blu korrespondojnë me incizionet nën sipërfaqe në të dyja flegrat e hundës. Ky quhet incizon marginal, i cili bëhet në fortë harku dhe korrespondon me kufijtë e poshtëm laterale të kartilagos. Incizioni i dytë është ai me vijëzimet e verdha, i ashtuquajtur incizioni interkartilaginoz, i cili kryhet midis kartilagos së poshtme laterale dhe asaj të sipërme laterale.

Si i jepet formë majës së hundës në rinoplastikën e mbyllur?

Të dhënit formë majës së hundës ka nevojë për të dyja incizionet, marginale dhe ato intekartilaginoze. Koncepti tregohet në foto, ku kartilagoja laterale e poshtme (e cila përcakton formën e majës së hundës) është shënuar me të kuqe. Siç mund ta shikoni, incizionet marginale kryhen në kufirin e poshtëm të kartilagos, ndërkohë ato interkartilaginoze kryhen përmes kufijve të sipërme. Kjo pjesë e kartilagos lidhet drejtpërsëdrejti me formën e majës së hundës, prandaj dhe kjo kartilago qepet apo gdhendet për të krijuar formën e kërkuar të majës së hundës.

Rinoplastika endonazale jep rezultate të suksesshme në majën e hundës. Rinoplastika e mbyllur në dhënien e formës të kurrizit të hundës. Incizionet interkartilaginoze janë incizionet që të japin akses në pjesën e mesme dhe të sipërme të kurrizit të hundës. Shumë pacientë janë skeptikë se, si është e mundur që dhënia e formës së kurrizit të hundës arrihet të bëhet nga brenda flegrave, pa qenë nevoja të bëhen incizione të jashtme në lëkurë. E vërtetë është se lëkura që vesh kurrizin e hundës tërhiqet nga kartilagoja dhe kocka me një instrument kirurgjikal të quajtur elevator. Elevatori shkon në brendësi të hundës nëpërmjet incizionit interkartilaginoz.

Kjo lejon një ndarje precize të lëkurës apo indeve të buta nga struktura skeletale e hundës. Sapo procesi i dhënies së formës përfundon, retraktori vendos lëkurën në pozicionin e mëparshëm. Shpesh, Rinoplastika synon të reduktojë lartësinë e kurrizit të hundës, duke bërë thyerje të kujdesshme të kockës së hundës, pra osteotomi. Rinoplastika endonazale jep më pak ënjtje se rinoplastika e hapur, dhe ka proces shërimi më të shpejtë.

Sa rëndësi ka kartilago nazale?

Ndryshimet më tipike të hundës me moshën janë të lidhura me zgjatjen, rënien, ngushtime anësore apo trashje të lëkurës. Kontrolle të herëpashershme të hundës do të mund të përcaktojnë shpeshtësinë e këtyre ndryshimeve të lidhura me moshën. Grada dhe shpejtësia e këtyre ndryshimeve varet nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm. Më së shumti faktorët e brendshëm lidhen me forcën dhe rigiditetin e strukturës kartilaginoze.

Ata të cilët kanë lindur me një strukturë të fortë kartilaginoze të hundës, janë më pak të riskuar të preken nga ndryshimet e lidhura me moshën, në krahasim me ata të cilët kanë lindur me një strukturë të brishtë e të dobët. Por, pavarësisht nga struktura e fortë kartilaginoze nazale, deformime të kontureve të hundës mund të shkaktohen dhe nga alergjitë nazale, diabeti, trauma nazale, dëmtim i akumuluar i diellit, përdorim i nikotinës.

Sot rimodelimi i hundës (Rinoplastika) nuk dhemb!

Rinoplastika, edhe pse ndër procedurat më të shpeshta estetike. Akoma krijon përshtypjen e gabuar të një ndërhyrjeje shumë të dhimbshme dhe me një rikuperim të vështirë. Gjithsesi, avancimi i teknologjisë i ka ardhur në ndihmë kirurgëve estetikë dhe padyshim edhe pacientëve që mos të përjetojnë trauma të shoqëruara me dhimbje apo sy të nxirë. Për pjesët tradicionale të ndërhyrjes, akoma vazhdojnë të përdoren instrumente të vjetër si çekiçi dhe dalta, por vlen të theksohet se zhvillimet e fundit teknologjike kanë reduktuar në mënyrë thelbësore traumën e pacientëve, pasi kanë bërë të mundur zhvillimin e instrumenteve me frekuencë dhe mprehtësi shumë të lartë, duke realizuar formën e duhur të hundës, vetëm duke zhvendosur kockë pa qenë nevoja të thyhet.

Gjenerata e re e instrumenteve arrin të realizojë prerje në kockë, pa shqetësuar indet përreth apo të hollojë dhe t’i japë formë kartilagos sipas nevojës. Këto teknika kanë reduktuar ndjeshëm efektet anësore, si edhe kanë shkurtuar kohën e rikuperimit. Një ndër të rejat e fundit është marrja e gjakut të pacientit nga trupi i vet dhe përdorimi i tij për të krijuar një ngjitës organik. Përdorimi i gjakut të pacientit për të krijuar fibra dhe ngjitës, i jep mundësi plagës të mbyllet si një adeziv i brendshëm dhe të reduktojë ndjeshëm mavijoset.

Rinoplastika, si një ndërhyrje brutale dhe e dhimbshme, tashmë është vetëm një “mit”. Sot, të kesh hundën që të të mundësojë frymëmarrje të lehtë dhe pamje estetike, nuk dhëmb.

Dr. Bledi Nini

Dr. Bledi Nini

Otoplastika

Ndërhyrja që ndryshon jo vetëm mënyrën se si dukeni, por edhe se si ndiheni! Më shumë mundësi, asnjë tipar tjetër i fytyrës nuk bërtet më shumë se dy veshë të mëdhenj apo të dalë përpara. Fëmijët, shpesh si rezultat i kësaj, vuajnë nofkat si “llapush” apo “Mickey Mouse”, dhe janë pikërisht këto rastet më të mundshme për otoplastikë. Kjo ndërhyrje mund të kryhet në çdo moshë pasi veshi ka arritur përmasat e plota të veta, zakonisht rreth moshës 5 apo 6-vjeçare.

Mënyra se si veshi ndikon në dukjen tuaj, varet nga raporti dhe harmonia që ai krijon me fytyrën dhe kokën, Preferohen veshë të ngjitur pas koke, të cilët shtrihen si gjatësi nga vetulla deri te baza e hundës. Ndërhyrja fillon me një incision mbrapa veshit, në palosjen natyrale që veshi krijon gjatë bashkimit me kokën. Kirurgu do të heqë sasinë e duhur të lëkurës dhe kërcit, për t’i dhënë pamjen e dëshiruar veshit. Në disa raste, kirurgut do i duhet të heqë kërc, t’i japë formën e duhur, duke e fiksuar atë nëpërmjet suturave permanente. Në të tjera raste, nuk është nevoja e heqjes së masës kërcore, por thjesht t’i jepet forma e duhur, duke e fiksuar kërcin në pozicionin e përshtatshëm në mënyrë permanente. Vlen të theksohet që ndryshimi i formës nuk do të ndikojë fare në aftësinë tuaj të të dëgjuarit.

Pas kryerjes së operacionit, mund të mos flini rehat për 1 javë, sidomos për ata të cilët janë mësuar të flenë anash, sepse presioni në zonën e veshit duhet të jetë minimal. Rekomandohet të mbani një rrip koke për të mbajtur veshët në pozicionin e duhur, për një periudhë dy javore pas kryerjes së ndërhyrjes. Por pa dyshim çdo sakrificë është shumë e vogël në krahasim me rezultatet e kësaj ndërhyrjeje. Kjo është ndërhyrja që nuk ndryshon vetëm mënyrën se si dukeni, por edhe se si ndiheni.

Çfarë ndodh mbas Otoplastikës?

Fashat/ Suturat – Rreth kokës vendoset fashë, që në dhomën operative ka raste që mund të vendoset dhe dren kirurgjikal poshtë lëkurës. Të dyja hiqen një ditë pas ndërhyrjes. Fasha rreth kokës zëvendësohet me një rrip elastik, i cili do të mbahet gjatë gjithë kohës për 6 ditët në vazhdim, për të mbrojtur veshin nga ndonjë gjakderdhje e mundshme. Rripi elastik në javën e dytë, tretë dhe të katërt mbahet vetëm natën. Suturat janë të fshehura mbrapa veshit dhe hiqen pas dy javëve. Suturat e absorbueshme mund të lihen për t’u vetëpërthithur.

Aktiviteti pas ndërhyrjes – Me qëllim që indet të shërohen plotësisht, kërkohet që aktivitetet e forta fizike të eliminohen për dy javë. Pas dy javësh mund të rifilloni vrapin, biçikletën, aerobinë, por jo ngritjen e peshave deri në fund të javës së tretë. Në shtrat nuk është e nevojshme të qëndroni qoftë edhe një ditë. Sapo fashat zëvendësohen me rripin elastik, mund të bëni dush, por me kusht, ta vendosni rripin direkt pas dushit.

Ënjtja – Ënjtja e veshit është e moderuar, por kalon përafërsisht 10 ditë.

Mavijosje– Mavijosjet janë normale. Ka raste që mund të zbresin pak deri në qafë. Për 7 ditë, pjesa më e madhe e mavijosjeve zhduken.

Gjakderdhje – Gjakderdhje të vogla apo derdhje të lëngjeve të indeve në masë të limituar përreth suturave mund të ndodhin dhe të zgjasin deri në disa ditë pas ndërhyrjes. Nëse gjakderdhja është e vazhdueshme dhe masive, atëherë duhet raportuar te kirurgu.

Dhimbje / Diskomfort – Pjesa më e madhe e pacientëve përjetojnë pak dhimbje pas ndërhyrjes, e cila administrohet lehtë me analgjezikë.

Rëndesë– Mund t’i ndieni veshët të rënduar deri në disa javë pas ndërhyrjes. Kjo është e lidhur me ënjtjen apo me ndryshimet që po ndodhin në veshë gjatë procesit të shërimit.

Rimodelimi i veshëve (Otoplastika), është më e mirë me sutura të absorbueshme apo permanente?

Debati në kirurgjinë estetike të veshit mbi suturat, nëse duhet të jenë permanente apo të absorbueshme vazhdon të jetë aktual. E vërteta është se kërci i veshit ka “memorie”, që do të thotë se nëse gjatë ndërhyrjes estetike tentohet t’i jepet formë kërcit me sutura të absorbueshme, gjasat që veshi të tentojë të shkojë në formën e vet të mëparshme gjatë procesit të shërimit, janë të mëdha. Madje edhe në raste kur përdoren sutura permanente, dhënia e formës së kërcit të veshit duhet të jetë deri në nivelin që të paktën të superojë tendencat e forcave të brendshme të kërcit për t’u rikthyer në formën e vet origjinale, pra me fjalë të tjera për të superuar të ashtuquajturën “memorie” të kërcit. Suturat permanente do të jepnin një alternativë më të sigurtë në pasjen e një rezultati të suksesshëm estetik që zgjat në kohë.

Pra veshi do ta kishte më të vështirë për t’u rikthyer në formën e vetë të mëparshme pas otoplastikës së kryer me sutura permanente. Por në të njëjtën kohë, komplikacionet që vijnë nga përdorimi i suturave permanente në krahasim me ato të absorbueshme janë më të mëdha. Këto komplikacione ndodhin kryesisht në përiudhë të afërt pas operiacionit, por nuk përjashtohen rastet që ndodhin dhe pas disa viteve pas otoplastikës. Me raste të rralla suturat permanente infektohen, duke dhënë skuqje, inflamacion apo formacione purulente në zonë. Në momente të tilla është e pamundur të erradikohet infeksioni nëse nuk hiqet sutura e infektuar. Sutura e infektuar hiqet me anestezi lokale, pacienti ndiqet me antibiotikë, dhe çdo gjë shkon mirë.

Suturat e absorbueshme nuk kanë risk për t’u infektuar, por kanë forcë më të vogël tërheqëse, ndaj risku që veshi mund të shkojë në pozicionin e mëparshëm është më i madh. Në praktikën e përditshme, në klinikën tonë i përdorim të dyja suturat, permanente dhe ato të absorbueshme. Në rastet kur gjykohet që kërci i veshit nuk ka tendencë të shtuar për t’u rikthyer në origjinalitetin e tij, përdorim sutura të absorbueshme, të cilat zgjasin rreth 6 muaj.

toniTonsilektomia

A duhet t’i nënshtrohet fëmija heqjes së Tonsilave?

Tonsilektomia është heqja kirurgjikale e masës së indit limfoid, i lokalizuar në pjesën e pasme të gojës. Tonsilektomia u kthye në trajtim shumë të përhapur në vitet 1800 si zgjidhje për dhimbjet e fytit apo infeksioneve respiratore, duke arritur pikun në SHBA, në vitet 1950 deri në 1970. Në ditët e sotme, mjekët janë shumë konservativë në rekomandimin e tonsilektomisë, numri i të cilës në SHBA ka rënë nga 1 milion në vit në vitet ‘70 në 530,000 në vit në vitin 2006, falë kjo skepticizmit në rritje të komunitetit mjekësor rreth të mirave të tonsiloektomisë në kontrollin e infeksioneve.

Tonsilektomia është procedurë kirurgjikale që tolerohet mirë. Në rastet më të shpeshta është procedurë që bëhet në kushte ambulatore brenda ditës. Ka rrethana në të cilat tonsiloektomia rekomandohet, përfshirë këtu apnenë e gjumit, ku tonsilat janë masive dhe komplikojnë frymëmarrjen gjatë natës, duke shkaktuar të gërhitura apo gjumë jo të qetë. Indikacione të tjera në të cilat tonsiloektomia është e domosdoshme janë: obstruksioni i rrugëve të sipërme të ajrit, tumor malinj në tonsil, ose vështirësi në përtypje. Shpeshtësi e lartë e infeksioneve të fytit (5-6 në vit ose më tepër), apo një infeksion i rëndë i pazakontë mund të jenë gjithashtu indikacion për tonsilektomi tek fëmijët.

Shpeshtësia dhe grada e këtyre infeksioneve si dhe reagimi i tyre ndaj terapisë me antibiotikë, janë faktorë të rëndësishëm për t’u konsideruar në marrjen e vendimit nëse tonsilektomia është zgjidhja e duhur apo jo!

gerhitjePolipet e Hundës: Shkaqet dhe Simptomat

Polipet nazale (mish i huaj në hundë) janë masa beninje jo të dhimbshme, që rriten në mukozën e hundës. Polipet nazale rriten në indin e inflamuar të mukozës së hundës. Mukoza është një shtresë e lagësht, e cila mbron shtresat më të thella të hundës dhe sinusit, si dhe i jep lagështirë ajrit gjatë frymëmarrjes. Gjatë një infeksioni apo reaksioni alergjik, mukoza nazale ënjtet dhe skuqet, duke prodhuar edhe fluide të ndryshëm.

Irritimi i vazhdueshëm i mukozës mund të shkaktojë polipe, të cilat zakonisht janë me formë të rrumbullakët dhe bllokojnë rrugët nazale. Gjithsesi, mund të krijohen polipe edhe në rastet pa probleme paraprake nazale, por faktorët e riskut më të shpeshtë janë: Infeksion kronik i sinusit; Astma; Riniti alergjik, rrufë; Fibroza cistike; Sindroma Churg-Strauss; Ndjeshmëria ndaj NSAID (aspirinë, ibuprofen, naproxen.)

Polipet nazale janë masa të buta që nuk dhembin. Zakonisht ndodhen në zonë e drenimit të sinuseve të sipërme me kavitetin nazal. Polipet mund të rriten mjaftueshëm sa të bllokojnë dhe rrugët nazale, duke dhënë simptoma si: Bllokim hundësh; Rrjedhje hundësh; Rrjedhje postnasale; Kongjestion nazal; Reduktim i ndjesisë së të nuhaturit; Frymëmarrje me gojë; Rritje e presionit në zonë e ballit apo fytyrës; Gërhitje.

Gërhitja… problem jo vetëm i juaji!

Ndodh ndoshta për të gjithë që të gërhasin gërhasin me raste, por nëse ndodh në mënyrë frekuente, ndikon negativisht në sasinë dhe cilësinë e gjumit tuaj, por dhe të pjesëtarëve të familjes. E gërhitura është shkak jo vetëm për problemet e gjumit, por edhe për një ditë të lodhshme, të stresuar apo dhe me probleme shëndetësore. Gërhitja ndodh kur lëvizja e ajrit përmes gojës dhe hundës ndërpritet fizikisht. Lëvizja e ajrit mund të ndërpritet për disa arsye, përfshirë:

Rrugë nazale të ngushtuara: Disa njerëz gërhasin vetëm gjatë sezonit të alergjive, ose kur kanë infeksion të sinuseve, deformime të hundës si rezultat i deviacionit të septumit, apo dhe polipeve nazale.

Tonus i dobët i muskujve në fyt dhe gjuhë: Muskujt e gjuhës dhe të fytit mund të jenë më shumë të relaksuar se duhet, si rezultat i një gjumi të thellë, konsumim i tepërt i alkoolit, konsumimi i barnave sedative apo dhe vetë mosha.

Ind masiv i fytit: Të qenit mbipeshë apo fëmijë me tonsilla masive dhe adenoid.

Palatum i gjatë dhe i butë apo uvule e gjatë: ngushton hapësirën e hyrjes nga hunda në drejtim të fytit. Kur këto struktura vibrojnë përkundrejt njëra-tjetrës, ngushtojnë lëvizjen e ajrit, duke shkaktuar të gërhitura.

 

 

Botuar në Revistën”Psikologjia”, Nr. 141

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top