Këshilla & Arsye

March 28, 2020 | 8:04

Erinda Balani: Komunikimi logoped-prind në ndihmë të fëmijëve në periudhë karantinimi 

 

*Msc.Erinda Balani

Logopede / Terapiste ABA

Situata aktuale sot paraqitet e vështirë për ne të rriturit, por  pa dyshim edhe për fëmijët, të cilët e përjetojnë atë më shumë, veçanërisht fëmijët të cilët ndjekin rregullisht terapinë ABA apo atë logopedike. 

Të gjithë po reagojmë sot me shenja ankthi, frike, pasigurie ndaj virusit të panjohur Covid-19 që tashmë ka prekur në një shtrirje të gjerë gjeografike edhe vendin tonë.

Ne ndiejmë mungesën e aktivitetete tona të përditshme, të cilat janë kufizuar ndjeshëm. Megjithatë, për në të rriturit është paksa më ndryshe, sepse arrijmë t’i kontrollojmë këto shenja luhjatjeje emocionale përmes të menduarit kritik dhe ndihmës psikologjike që i japim vetes. 

Natyrshëm na lind pyetja: Po me fëmijët çfarë ndodh? 

Fëmijët janë fëmijë, të vegjël në moshë, por kjo nuk do të thotë se ne duhet t’i mbajmë ata larg informacionit. Zgjidhja është që të flasim me ta për gjendjen ku ndodhemi dhe jo duke iu shmangur kësaj teme. Jo të gjithë fëmijët kanë zhvillim kognitiv të njëjtë me moshën biologjike. Disa, për shkak të vonesave të ndryshme në zhvillimin e gjuhës së kuptuar apo të folur, nuk arrijnë ta marrin mesazhin si bashkëmoshatarët e tyre. Nëse do ishim para 8 marsit, ky grup fëmijësh do ishin duke ndjekur kopshtin, shkollën, terapinë logopedike apo terapinë e zhvillimit me metodën ABA apo me metoda të tjera ndërhyrjeje. Terapia i ndihmon pacientët e vegjël që të rrisin gjuhën e kuptuar, gjuhën e shprehur, rrit aftësitë praktike të domosdoshme, redukton sjelljet shqetësuese dhe i zëvëndëson ato me sjelljen e dëshiruar. Në këtë mënyrë zhvillimi i fëmijës nxitet të ecë paralelisht me moshën biologjike të tyre. 

Ky grup fëmijësh është pjesa më delikate e grupit të madh të fëmijëve. Ata më shumë se çdo fëmijë tjetër kanë nevojë për ta kuptuar këtë situatë. 

Terapistët nuk janë sot pranë tyre fizikisht, ndërsa prindërit po. Komunikim logoped-prind është i vazhdueshëm dhe vjen me disa pika orientimi për këtë situatë. 

2

1.Prindërit duhet t’ua shpjegojnë situatën fëmijëve përmes një fjalori sa më të thjeshtë dhe konkret, në bazë të zhvillimit të fëmijës, në mënyrë që ata të mos jenë në ankth dhe në frikë për kryefjalën e këtyreditëve – “Koronavirusi”

2.Prindër të dashur, qëndronu të qetë kur bisedoni me fëmijët tuaj, jepuni atyre siguri në bisedat mes jush, sepse fëmijët ju kuptojnë më mirë se ju veten kur jeni të shqetësuar. Flisni për lajmet rreth kësaj teme me zë të qetë dhe mundohuni të mos dukeni të mërzitur. 

3.Mësojuni se duke fjetur gjumë dhe duke larë duart shpesh do të jenë më të fortë dhe virusi do t’ju rrijë larg. 

4.Krijoni lojëra tërheqëse, kreative, ku fëmija të ndihet pjesëmarrës duke qenë i suksesshëm. Në këtë mënyrë dhe argëtohen, por dhe përgjithësojnë informacionin e marrë gjatë terapisë. 

5.Nxisni të folurën e fëmijës tuaj duke kërkuar të emërtojnë objektet që kërkojnë, shohin dhe prekin. Jepuni model kur nuk janë të suksesshëm. 

6.Mbani nën kontroll sjelljet problem dhe mos ua plotësoni të gjitha tekat fëmijëve për shkak të situatës. 

7.Shtoni aftësitë akademike në bazë të arritjeve përkatëse që kanë deri tani.

8.Nxisni aftësitë praktike sa më shumë si: të lajnë duart, të veshin këpucët, të vishen e zhvishen, të krehin flokët, të përgatisin një tost, etj.

9.Kërkoni dhe vendosni kontakt me sy në çdo komunikim që realizoni me fëmijën. 

10.Kushtojini rëndësi motorikës fine përmes lojçrave të ndryshme tërheqëse dhe të pëlqyera nga fëmijët. 

11.Drejtojini fëmijës pyetje dhe kërkoni gjithashtu prej tyre të iniciojnë pyetje të ndryshme. 

12.Ndiqni çdo udhëzim të specialistëve që ndjekin ecurinë e zhvillimit të fëmijëve tuaj! 

 

Të gjitha këto shërbejnë si një busull orientimi për prindërit në këto ditë të vështira. 

Kthejeni këtë kohë pushimi në kohë produktive për veten dhe fëmijët tuaj!

Me durim dhe bashkëpunim do t’ja dalim të gjithë bashkë!

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top