Mirëqenie

June 19, 2016 | 10:38

Erjona Shehu: Më rrëmbejnë lojërat fëminore

1Profesion të parë ka mjeken pediatre, ndërsa prej vitesh është figurë e njohur mediatike si folëse lajmesh në TCH. Është e martuar me Arjan Harxhin, mjek infeksionist, dhe ka dy vajza, Desën dhe Andën. Kur luan me vajzat e saj të vogla, vëmendja dhe dëshira për t’u argëtuar së bashku me to është një nga ato situata, të cilave nuk u shpëton dot. Lojëra argëtuese, formuese, apo krijuese… kjo pak rëndësi ka. Për folësen e lajmeve dhe mjeken pediatre, të luajturit me fëmijët edhe atëherë kur vjen e lodhur nga puna, apo kur pasditet brenda mureve të shtëpisë shndërrohen në kënde lojërash, janë çështje mundësish dhe nevojë për t’u dhuruar emocione të bukura bijave të saj.

A luani me vajzat tuaja? Angazhimi profesional, oraret e zgjatura… sa bëhen pengesë?

Luaj në atë hapësirë kohe që më ngelet apo që përpiqem të gjej nëpër shtëpi. Në qoftë se më parë kisha vetëm Desën, me ardhjen e Andës gjërat kanë ndryshuar shumë. Kur Desa ishte e vogël dhe vetëm, unë isha një nënë e re, e papërgatitur. Desa më mësonte shumë më tepër sesa mund të më mësonte një libër, një faqe interneti apo dhe një dokumentar për rritjen e fëmijës. Shumë shpesh më ka ndodhur ta shoh veten shumë të zonjën në disa situata ku kam luajtur si fëmijë me Desën dhe të hutuar në disa situata që nuk kam ditur si t’i përballoj për shkak të kërkesës. Tani që është dhe Anda në shtëpinë tonë, unë dhe bashkëshorti im kemi një aleate shumë të fortë: vajzën e madhe, Desën, e cila është pika e referimit për motrën e saj të vogël dhe mikja më e mirë e saj në lojë.

Çfarë lloj lojërash praktikoni?

Më kujtohet, kur isha e vogël, duke mos qenë fare natyrë sportive, nuk më pëlqente të luaja as me topa-gropa, as hapa dollapa. Ndihesha e ngathët. Kënaqësinë më të madhe e kisha kur shkoja në shtëpinë me oborr të gjyshes, në verë, dhe luaja atje me kushërinjtë. Tani më vjen keq që Desa dhe Anda nuk kanë një shtëpi të tillë ku të luajnë, por u duhet të rrinë brenda katër mureve të apartamentit. Nuk më pëlqen që ndërsa hedhin topin në shtëpi, të ndruhen se mos bie te biblioteka apo në abazhur. Por, nga ana tjetër, teksa u mungon oborri, kanë shumë më tepër lodra sidomos krahasuar me ato që kemi pasur ne. E vetmja kukull që ime motër dhe unë kishim, ishte një kukull kineze, që e ruanim si sytë e ballit. Sot fëmijët kanë lodra pa fund dhe po kështu edhe Desa me Andën. Desa pëlqen të vizatojë dhe më pas të interpretojë vizatimet, kukullat dhe puzzle-t. Kurse Anda ka qejf çdo lodër që ka Desa, e do patjetër, shto dhe ndonjë makinë.

A keni raste kur ndiheni në faj që s’keni luajtur sa duhet?

Shumë, shumë raste. Sado që të përpiqem apo të ndihem në faj, ne jetojmë në një kohë kur na duhet të jemi mjaft të zënë nga mëngjesi deri në mbrëmje dhe asnjëherë koha nuk do të jetë e mjaftueshme. Por them se edhe gjithë ditën po të merresh e të luash me një fëmijë, është në natyrën e raportit prind-fëmijë që të kërkohet gjithmonë e më shumë nga ky raport. Dikur flisja me një lloj përçmimi për femrat që rrinin gjithë ditën në shtëpi dhe linin pas karrierën etj, duke iu përkushtuar fëmijëve dhe shtëpisë. Tashmë e konsideroj një perceptim të gabuar, por kjo është një zgjedhje ideale për fëmijët sidomos, që bëhet në kushte të arta.

Nga se ju duhet të hiqni dorë për të luajtur me fëmijët?

Dikur rrija me leckë dhe me fshesë në dorë, me frikën se mos më ndryshonte gjë nga rregulli e higjiena në shtëpi. Tani jo më, fshesa me korrent dhe makina pjatalarëse janë bërë dy miket e mia më të mira pas lavatriçes dhe më kanë shpëtuar shumë kohë që u kalon dy vogëlusheve të mia. Ndërsa, çlodhjes pas pune apo pas gatimit të drekës i kam thënë me kohë “lamtumirë”. Vajzat dhe kujdesi për to mbeten prioritet deri në momentin kur i zë gjumi.

Psikologji Mars 2011

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top