Në fokus

April 21, 2020 | 8:08

Ertiola Lugji: Përdorimi i gjuhës së shenjave tek fëmijët me dëgjim normal: mitet, përparësitë dhe pyetjet e prindërve

 

 

Ertiola Lugji Logopede, Shkodër

Ertiola Lugji Logopede, Shkodër

Praktika e gjuhës së shenjave të “bebeve” i ka fillesat e saj shumë vite më përpara, megjithatë, vitet e fundit është përdorur si një instrument nga shumë klinicistë logopedë. Në këtë artikull, do të sqarohen shumë paqartësi që mund të kenë familjarët, prindërit apo terapistë të shumtë rreth kësaj teme. Si fillim, do t’i adresohemi disa miteve ose keqkuptimeve të konceptit “gjuha e shenjave e bebeve”.

Mite:  

“përdorimi i gjuhës së shenjave do të ngadalësojë zhvillimin gjuhësor të fëmijës tuaj”

Kjo është fraza më e shpeshtë që dëgjohet, por edhe miti më i madh. Kjo ndodh, sepse njerëzit e lidhin gjuhën e shenjave të bebeve me gjuhën e shenjave standarde për personat me sordo-mutizëm. Duhet të kuptojmë se gjuha e shenjave që përdorin bebet, është një aftësi që zhvillohet normalisht tek çdo fëmijë që prej moshës 8-9 muajsh.

Kështu, për shembull, prindërit mund ta kenë vënë re se kur fëmija i tyre kërkon të marrë një lodër që nuk e arrin, përdor gishtin tregues për të treguar vendndodhjen e objektit, pa përdorur fjalët. Ky është dhe thelbi i “gjuhës së shenjave të bebeve”, pra, baza e tij qëndron tek përdorimi i gjesteve, lëvizjeve trupore dhe mimikës për t’i shërbyer komunikimit.

3Studimet e fundit tregojnë se fëmijët që përdorin gjuhën e shenjave si ndërmjetës në të folur, arrijnë të prodhojnë fjalë dhe fraza më shpejt se bashkëmoshatarët, të cilët nuk janë trajnuar në këtë formë. Me kalimin e kohës, këta fëmijë do të heqin dorë gradualisht nga kjo formë komunikimi, për t’i lënë vendin të shprehurit me fjalë. Po bëjmë paralelizmin me ecjen këmba-doras. Fëmijët nuk ecin gjithë jetën këmba-doras; ata fillojnë me atë që është më e lehtë për aparatin e tyre muskulor dhe kur të jenë gati, do të ecin në këmbë.

-“gjuha e shenjave e bebeve është vetëm një reklamë”

Gjuha e shenjave është përdorur në gjithë botën për më shumë se 100 vite. Të vetmit që kishin akses ndaj të mësuarit të kësaj gjuhe, ishin fëmijët me probleme dëgjimi ose familjet me prindër me probleme dëgjimi. Megjithatë, në vitin 1990, u implementua për herë të parë gjuha e shenjave tek fëmijët me dëgjim normal dhe rezultatet e këtij studimi konfirmuan rolin pozitiv që pati në zhvillimin gjuhësor përdorimi i gjuhës së shenjave tek fëmijët pa probleme dëgjimi.

-“është tepër konsumuese dhe humbje kohe për ta praktikuar”

Kur i mësoni gjuhën e shenjave fëmijëve, nuk është e nevojshme t’ia mësoni për çdo fjalë apo frazë. Prindërve nuk ju duhet të mësojnë paraprakisht gjuhën e shenjave shqiptare. Për këtë, mjafton t’ju japë disa këshilla logopedisti. Qëllimi nuk është ta bëni të voglin tuaj të flasë shkëlqyeshëm gjuhën e shenjave, por t’i krijoni urën lidhëse mes gjuhës verbale dhe joverbale. Prandaj, përpiquni t’i mësoni vetëm shenjat, që do e lejojnë të komunikojë me ju në një nivel bazik. Për shembull, zgjidhni gjëra, për të cilat fëmija juaj shfaq interes (ushqime, lodra, kafshë, etj). Një i rritur mund t’i mësojë fëmijës rreth 10-15 shenja në një javë. Duhet ta bëni rregull tuajin që të përdorni shenjat sa herë që flisni me vogëlushët. Nuk është aq e vështirë sa duket, të gjithë mund t’ja dalin!

Përfitimet:

Meqenëse qartësuam disa prej çështjeve në lidhje me përdorimin e gjuhës së shenjave të bebeve, tashmë mund të rendisim përfitimet e përdorimit të këtij mjeti komunikimi. Gjuha e shenjave:

-i lejon fëmijëve të komunikojnë, përpara se të jenë në gjendje të flasin

-forcon lidhjen prind-fëmijë, pasi prindërit fillojnë të bashkëbisedojnë me të vegjlit e tyre në një moshë të hershme

-redukton frustrimin ose axhitimin e bebeve, m.q.s u mundëson që të komunikojnë nevojat dhe dëshirat e tyre

-rrit vetëbesimin dhe pavarësinë tek fëmija, i cili ndihet rehat që mund të flasë me ju

-lehtëson të mësuarit e gjuhës më shpejt se ritmi i bashkëmoshatarëve

2

Pyetje:

Pyetjet më të shpeshta, që drejtojnë prindërit rreth gjuhës së shenjave dhe përgjigjet për to:

*Në cilën moshë duhet të filloj të praktikoj gjuhën e shenjave me fëmijën tim?

-Ju mund të filloni kur të dëshironi; sa më herët, aq më mirë. Mjafton të kujtoni fëmijët e lindur nga prindër me probleme dëgjimi, të cilët janë të ekspozuar ndaj gjuhës së shenjave që në momentin që lindin dhe vazhdojnë të zhvillojnë normalisht gjuhën e folur. Nuk duhet të shqetësoheni nëse i vogli juaj nuk përdor menjëherë gjuhën e shenjave. Ju duhet t’i lini kohë të ambientohet; ka fëmijë që fillojnë ta përdorin që 6, 9 apo 12 muajsh.

*Sa shenja duhet t’i mësoj fëmijës tim?

-Nëse po praktikoni gjuhën e shenjave, filloni gjithmonë gradualisht dhe me pak shenja; nuk është e nevojshme ta teproni. Bebet arrijnë të përdorin dhe të shprehin shumë gjëra edhe me 25-50 shenja bazike. Mbani mend, nuk është e nevojshme t’i mësoni vogëlushëve shenjën për çdo fjalë.

*Cili është ndryshimi mes gjuhës së shenjave të bebeve nga ajo standarde?

-Gjuha e shenjave e bebeve është e bazuar në nocionin e gjuhës standarde të shenjave, por ndryshimi është në faktin se, gjuha standarde e shenjave përmban shenja më të komplikuara, lëvizje dhe përdorim të motorikës fine të gishtave, të cilat nuk mund të realizohen nga fëmijët e vegjël. Ndryshimi tjetër lidhet me lirinë e prindit dhe të fëmijës për të krijuar shenjat, ndërsa në gjuhën standarde të shenjave ekzistojnë shenja të mirëpërcaktuara më përpara (tek e fundit, kjo është një gjuhë, siç është shqipja, anglishtja, italishtja, etj).

*Me cilat shenja duhet të filloj?

-Këshilla ime është të filloni me shenja konkrete, pra, me emra ose folje. Këtu po jap si shembull një listë me fjalët, që janë më të lehta për t’u praktikuar në fillim: ha, pi, fle, tualet (kur fëmija ka moshën e duhur), kafshët e preferuara (qeni, macja, peshku, zogu, etj.), ushqimet (qumësht, ujë, biskota, banane, etj.), lodrat (makina, topi, kukulla, arushi, etj.), rrobat (bluza, pantallonat, çorapet, këpucët, kapelja, etj.). Sapo fëmija të ketë mësuar 5-10 shenja konkrete, atëherë filloni me fjalët abstrakte, si: Të lutem, Faleminderit, më dhemb, më ndihmo, nxehtë, ftohtë, etj.

*Si ta praktikoj gjuhën e shenjave në mënyrën e duhur?

-Sigurohuni që gjithmonë të shoqëroni fjalën me shenjën e mësuar, mos e lini të harrohet.

-Filloni gjithmonë me 3-5 shenja, pastaj shtoni deri në 5 shenja të reja për çdo javë.

-Përsëritni vazhdimisht shenjat e mësuara. Si rregull, një bebe / fëmijë duhet ta dëgjojë 100 herë përpara se të fillojë ta përdorë spontanisht. E njëjta gjë vlen edhe për gjuhën e shenjave.

-Durimi është miku juaj më i mirë, mos u dorëzoni asnjëherë.

-Praktikoni shenjën në afërsi të objektit. Fëmija duhet ta dijë për çfarë po i flisni, prandaj tregojini objektin dhe bëjini shenjën për të, në të njëjtën kohë.

-Ndonjëherë, mund t’i mbani dorën fëmijës, për t’i mësuar ta bëjë shenjën si ju dhe të dallueshme nga shenjat e tjera.

-Mos u fiksoni pas gjërave të vogla. Ashtu si në gjuhën e folur, në të cilën artikulimi nuk është përherë i qartë, e njëjta gjë mund të ndodhë dhe me gjuhën e shenjave. Ajo mund të mos jetë 100% e saktë, por rëndësi ka që ju e kuptoni.

-Jini fleksibël. Qëllimi juaj nuk është t’i mësoni të voglit tuaj gjuhën standarde të shenjave, prandaj shfrytëzoni imagjinatën dhe kreativitetin tuaj në maksimum.

-Bëjeni gjuhën e shenjave pjesë të ditës tuaj. Si në gjuhën e folur, nëse ne dëgjojmë fjalë të shkëputura andej-këtej nuk do mundemi t’i fiksojmë, po ashtu ndodh dhe me gjuhën e shenjave. Konsistenca është thelbi i të mësuarit të një gjuhe.

Në përfundim, shpresoj që ky artikull t’ju ketë shërbyer dhe t’ju  vijë në ndihmë. Për çdo pyetje apo paqartësi mund të më kontaktoni në adresën e e-mail: [email protected]

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top