FB

March 3, 2022 | 8:07

Është normale të ndjehemi të frikësuar?

 

Situata e ditëve të fundit të luftës që po zhvillohet në Ukrainë dhe frika e një lufte më të gjerë ka gjeneruar me shpejtësi niveleve të rënduara psikologjike. Kur ndodhin ngjarje të tilla, si rasti i pandemisë dhe rasti i luftës aktuale, që janë jashtë kontrollit tonë individual, ndjesia e të ndjerit të vetes jashtë kontrollit mbizotëron.

Përgatiti Rudina Koromani, Psikologe Klinike

Duke i menduar gjërat në perspektivë përmes një të kuptuari sa më racional mbi historikun që kanë këto dy vende, mund të ndihmojë në uljen e përjetimeve negative emocionale dhe mund të ofrojë një kontekst më të dobishëm për ngjarjet e fundit.

Vërtet nuk mund të kemi kontroll mbi atë që po ndodh por mendoni se secili prej nesh ka kontroll mbi jetën e vet pikërisht në gjërat e vogla të së përditshmes së tij. Një shëtitje, një libër, një aktivitet sportiv, një kafe mes miqsh, një darkë e zgjatur tashmë që u hoq dhe kufizimi i lëvizjes pas orës 23.00 do ju bëjnë të ndiheni më mirë e të vlerësoni më shumë çdo detaj të jetës tuaj.

Frikë, panik, ndjenja emocionale negative; të shqetësuar, të trishtuar … fillimisht reagimi emocional i opinionit publik erdhi natyrshëm me ndjesitë e ndjeshmërisë për të tjerët…. e deri këtu është normale. Por, kur përfshirja emocionale tejkalohet deri në identifikim me palët( me agresorin apo viktimën), gjërat bëhen më serioze për shëndetin mendor të individit.

Në raste të tilla udhëhiqemi nga emocionet duke mos i lënë vend arsyetimit logjik. Ekspozimi ndaj lajmeve tragjike të shkatërrimeve, shpërthimeve dhe goditjeve të luftës, por dhe lajmet e pabazuara që parashikojnë zgjerim të luftës shtojnë tensionet psikologjike e rrjedhimisht individët vulnerabël me probleme psikologjike si dhe ata me ndjeshmëri të lartë emotive rëndohen.

Për këtë arsye kufizimi i ekspozimit ndaj lajmeve në media duhet të jetë kontrolli kryesor i vendosur nga ju. Studimet tregojnë se sa më e madhe të jetë sasia e ekspozimit që njerëzit kanë në media për një tragjedi, aq më shumë gjasa ka që ata të raportojnë shqetësime psikologjike. Kërkoni lajme nga burime të besueshme Lajmet në mediat sociale mund të jenë jo të besueshme, të motivuara politikisht ose të deformuara e të ekzagjeruara.

Psikologu Graham Davey, PhD, një profesor emeritus i psikologjisë në Universitetin e Sussex-it në Angli shprehet se “Lajmet po shfrytëzohen gjithnjë e më shumë për qëllime spektakli dhe argëtimi, me tendencën për ti prezantuar lajmet sa më katastrofike. Ngjarjet  që dëshmohen në lajme mund të jenë mjaft tronditëse për dikë – aq sa për të krijuar dhe simptoma të stresit akut dhe madje edhe çrregullime të stresit post-traumatik.”

Për këtë arsye specialistët e shëndetit mendor rekomandojnë shmangien e kanaleve të lajmeve 24-orëshe duke e zëvëndësuar me qasje në artikuj të shkruar,  komente të thelluara të specialistëve të fushës ose dokumentarë që ofrojnë kontekst shtesë për ngjarjet aktuale.

Mbështetja e të tjerëve, kujdesi për veten dhe monitorimi i përdorimit të medias mund të ndihmojë në uljen e shqetësimit psikologjik, por pa harruar se të ndihesh i shqetësuar sot është normale. Do ishte normale po të mos shqetësohej dikush në këto kohë që po përjetojmë?

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top