Këshilla & Arsye

February 19, 2018 | 14:41

Faktorët që favorizojnë leuçeminë dhe simptomat e saj

Kanceri është një sëmundje malinje, që prek të gjitha moshat, dhe për fat të keq nuk kursen as fëmijët. Leuçemia është një formë kanceri, që kryesisht prek moshat mbi 55 vjeç, por është forma më e shpeshtë e kancerit në moshat pediatrike.

Leuçemia është tumor (kancer) i rruazave të gjakut. Elementët e gjakut, rruazat e bardha (leukocitet), rruazat e kuqe (eritrocitet) dhe pllakëzat e gjakut (trombocitet), prodhohen në palcën e kockave. Ato prodhohen duke kaluar nga qeliza të papjekura në ato të diferencuara mirë, duke formuar qeliza të ndryshme me funksione të veçanta.
Në leuçemi, qelizat e papjekura të gjakut zhvillojnë kancer. Këto qeliza nuk mund të zhvillojnë funksionin e qelizave të gjakut, pasi kanë aftësi të madhe për t’u riprodhuar në mënyrë patologjike duke zënë palcën kockore dhe duke penguar prodhimin e mëtejshëm të leukociteve, eritrociteve dhe trombociteve.
Leuçemia mund të jetë akute apo kronike, në varësi të stadeve të zhvillimit të saj. Forma akute është një formë që zhvillohet shpejt dhe përkeqësohet gjithashtu shpejt. Forma kronike është formë e cila zhvillohet dhe përkeqësohet më ngadalë. Trajtimi dhe ecuria e leuçemisë është në varësi të tipit të qelizës që është zhvilluar si dhe në varësi të formës akute apo kronike.
Tipet e ndryshme të leuçemive janë në varësi të qelizës së gjakut ku është zhvilluar. Për shembull, leuçemia limfoblastike është kancer i limfoblasteve (rruazave të bardha-linfoblasteve, të cilat luftojnë infeksionet).

Cilat janë shenjat dhe simptomat e leuçemisë?
Simptomat e leuçemisë variojnë në varësi të tipit të tumorit, por disa shenja të përgjithshme përfshijnë:
• Temperaturë subfebrile, ethe;

•Dobësi, lodhje e vazhdueshme;
• Infeksione të shpeshta të përsëritura dhe shpesh herë të rënda;
• Rënie e theksuar në peshë;
• Zmadhim i gjendrave linfatike, zmadhim i shpretkës dhe mëlçisë;
• Shfaqje e të nxirave në trup dhe gjakosje me lehtësi;
• Djersitje e shtuar gjatë natës;
• Dhimbje kockash.

Cilët janë faktorët që favorizojnë zhvillimin e leuçemisë?
Faktorët që rrisin rrezikun për të zhvilluar disa tipe të leuçemive janë:
• Anomalitë gjenetike. Disa anomali gjenetike, si sindroma Down, janë të shoqëruara me një rrezik më të lartë për të zhvilluar leuçemi në moshat pediatrike.
• Ekspozimi ndaj disa lëndëve kimike si, benzene, i cili gjendet tek benzina dhe përdoret në industrinë kimike, rrit rrezikun për shfaqjen e leuçemisë.
• Duhanpirja. Duhanpirja rrit rrezikun për të zhvilluar Leuçemi Mieloide Akute.
• Histori familjare me leuçemi. Nëse një pjesëtar i familjes është diagnostikuar dhe trajtuar me Leuçemi, atëherë persona me lidhje të afërt gjaku janë më të rrezikuar për të zhvilluar leuçemi.
• Trajtimi ndaj një kanceri të mëparshëm: Persona që kanë marrë kimioterapi apo radioterapi për të trajtuar një kancer, janë më të rrezikuar që të zhvillojnë me kalimin e kohës, tipe të ndryshme të leuçemisë.

Burimi / www.ata.gov.al

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top