Psikofakt

February 19, 2018 | 14:23

Nga Erlet Shaqe / Dashuria për demokraci që të shpie në tirani…

 

Përse njerëzimi herë pas here mirëpret udhëheqës tiranik dhe autoritarë? Për mijëvjeçarë, filozofët dhe teoricienët politikë janë përpjekur të shpjegojnë përse ne vullnetarisht marrim pjesë në shtypjen tonë duke iu dorëzuar udhëheqëse autoritarë. Dhe sot, rritja kërcënuese e regjimeve autoritare nëpër botë e bën këtë pyetje më të ngutshme se gjithmonë.

Platoni ishte një nga mendimtarët e parë dhe më me ndikim i cili trajtoi problemin e tiranisë. Ai argumentoi tek libri i tij Republika, i shkruar rreth vitit 380 p.e.s, se shtetet demokratike janë të destinuara të bien në kolapsin tiranik. Platoni nuk ishte një tifoz i demokracisë, ndoshta sepse ishte demokracia Athinase ajo që dënoi me vdekje mësuesin e tij të dashur Sokratin. Ai besonte se format e qeverisjes demokratike krijojnë një popullsi të shthurur dhe të padisiplinuar, të cilët janë pre e lehtë për politikanët e qetë që të bindin me fjali të ëmbla ku gjithashtu zotërojnë artin e imponimit që tju plotësohet çdo dëshirë që ata kanë. Në librin Gorgias, i shkruar në të njëjtën kohë me librin Republika, na tregon se politikanët e tillë i tërheqin masat me premtime boshe, në vend që të ushqejnë të mirën publike. “Pjekja e bukëve ka vënë maskën e mjekësisë”, ‘Plato vë në dukje ironike, “dhe se pretendon të njohë ushqimet që janë më të mira për trupin, në mënyrë që nëse një bukëpjekës dhe një doktor duhet të konkurrojnë përballë fëmijëve ose përballë një turme njerëzish me po aq inteligjencë sa fëmijët, për të përcaktuar se cili prej tyre, mjeku ose bukëpjekësi, kishte njohuri profesionale se cili ushqim ishte i mirë dhe i keq, mjeku do të vdiste nga uria”.

Po të kthehemi dy mijëvjeçarë e gjysmë më vonë në fillim të shekullit 20-të, dhe të konsiderojmë punën e sociologut gjerman Max Weber. Weber, si një prej themeluesve të sociologjisë, zhvilloi konceptin e “autoritetit karizmatik” – një cilësi e veçantë e një personaliteti individualist, për shkak të të cilit ai është i distancuar nga njerëzit e zakonshëm dhe trajtohet si i pajisur me fuqi të mbinatyrshme, mbinjerëzore, ose të paktën me kompetenca ose cilësi të jashtëzakonshme “. Udhëheqësit karizmatikë të imponojnë përkushtim dhe konsiderohen si figura profetike nga ndjekësit e tyre. Vështrimet e Weber-it thellojnë edhe më shumë analizën skematike të Platonit. Një tiran në rritje ka një atmosferë të veçantë përreth vetes, pothuajse një aureolë magjike. Ithtarët e tij besojnë se ai mund të bëjë mrekulli dhe të transformojë jetën e tyre. Por si ndodh kjo? Çfarë është ajo që nxit njerëzit racionalë dhe të arsyeshëm që të adoptojnë këto pikëpamje të tilla jorealiste dhe të rrezikshme? Për ta shpjeguar këtë, duhet të gërmojmë më thellë.

Pikërisht në të njëjtën kohë kur Weber-i po zhvillonte teorinë e tij mbi karizmën në Berlin, Sigmund Frojd po mundohej me ide të ngjashme në Vjenë. Mendimi i tij arriti kulmin në librin Psikologjia Turmave dhe Analiza e Egos (1921). Psikologjia e turmave fokusohet në dinamikën psikologjike të pasueshmërisë. Duket, ashtu si shumica e veprave të Frojdit, ka një përmbajtje të komplikuar, por ka dy tema kryesore që dalin në dritë. Së pari, Frojdi argumentoi se ata që janë të tërhequr nga udhëheqësit autoritarë i idealizojnë ata. Udhëheqësi shihet si një qenie njerëzore shembullore, heroike i prerë të përballojë në mënyrë serioze çdo stuhi. Së dyti, ai argumentoi që pasuesit (ndjekësit) identifikohen me udhëheqësin duke e zëvendësuar atë siç e quajti Frojdi me egon ideale. Egoja ideale është një përfaqësim mendor i vlerave udhëzuese të dikujt. Ajo përbëhet nga bindjet për të drejtën dhe të gabuarën, çfarë është e detyrueshme dhe çfarë është e ndaluar. Është busulla jonë morale: në thelb është e njëjtë me ndërgjegjen e dikujt. Duke zënë vendin e idealit të tyre egoist, udhëheqësi autoritar bëhet ndërgjegjja e pasuesve të tij dhe zëri i tij bëhet zëri i ndërgjegjes së tyre. Cilado janë dëshirat e udhëheqësit, sipas përkufizimit, të mira dhe të drejta.

Teza e Frojdit sjell shumë mirë atë që ndodhi në Gjermaninë Hitleriane. Konsideroni shembullin e Alfons Heck. Si i ri, Heck-u kishte qenë anëtar i rinisë Hitleriane. Historiania Claudia Koonz në librin e saj Ndërgjegjja e një Nazisti (2003), shkruan se kur Heck-u shikonte Gestapon që po grumbullonte hebrenjtë në fshatin e tij për ti dëbuar, duke përfshirë edhe mikun e tij më të mirë Heinz-in, ai nuk e pyeti veten: ‘Sa gjë e tmerrshme, ata po arrestojnë hebrenjtë. “Në vend të kësaj, pasi i ishte bërë trushpëlarje nga sistemi nazist me faktet rreth ‘kërcënimit hebre’, ai tha: ‘Çfarë fatkeqësie, Heinz-i është hebre.’ Si i rritur, ai rikujton: ‘E pranova deportimin e tij si të drejtë’.

Fakti që komuniteti i pasuesve identifikohen në mënyrë të përbashkët me udhëheqësin autoritar ka një tjetër pasojë të rëndësishme. Pasuesit si ndjekës apo përkrahës të ideve identifikohen me njëri-tjetrin si pjesë e një “lëvizje”, dhe ata e përjetojnë me veten e tyre si bashkim në një tërësi kolektive. Kjo ndjenjë dehëse e unitetit dhe e nënshtrimit të interesit vetjak për një kauzë më të madhe, është një element shumë i rëndësishëm i sistemeve autoritare. Ajo gjendet në një masë të madhe tek retorika autoritare, siç ilustrohet nga Rajhu i Tretë, apo në diktaturën komuniste të Shqipërisë nga diktatori Enver Hoxha, apo të ngjashme në ditët e sotme në Korenë e Veriut nga Kim Jong.. etj. Ideja se qeniet njerëzore kanë rëndësi vetëm si një mjet gare, dhe se detyra e tyre vetme është të trumbetojnë këtë madhështi transhendente, ishte mjeti kryesor që përdorej në përhapjen e Gjermanisë Hitleriane. Fëmijët gjermanë u udhëzuan të ruanin gjakun e tyre ‘të pastër’ – domethënë, të shmangnin përzierjen. Atyre iu diktua, se gjaku i tyre nuk u përkiste atyre, por racës gjermane – në të kaluarën, në të tashmen dhe në të ardhmen – dhe nëpërmjet kësaj ata do të kishin një jetë të përjetshme.

Hitleri shikohej më pak se një politikan normal dhe më shumë si një profet i prekur nga hyjnitë.

Pjesëmarrja në sistemet autoritare ka mbizotërime të padiskutueshme fetare. Ai përfshin dorëzimin e vetvetes tek një fuqi më e madhe dhe heqjen e kufijve individuale të egos, për hir të pastërtisë. Ajo ngjall jetën e përjetshme, rilindjen dhe shpengimin. Natyra quasi-fetare e ngritjes së Hitlerit është përshkruar në Karizmi i errët i Adolf Hitlerit (2012) nga historiani Laurence Rees:

Moria e gjermanëve që udhëtuan – pothuajse si pelegrinë – për t’i bërë homazhe Hitlerit në shtëpinë e tij në Berchtesgaden; mijëra peticione personale të dërguara Hitlerit në Kancelarin e Rajhut; ikonografi pseudo-fetare të tubimeve në Nuremberg; fakti që fëmijëve gjermanë u mësohej se Hitleri ishte i ‘dërguar nga Perëndia’ dhe ishte ‘besimi’ dhe ‘drita’ e tyre; e gjithë kjo flet për faktin se Hitleri shihej më pak se një politikan normal dhe më shumë si një profet i prekur nga hyjnitë.

Me këtë në mendje, është e nevojshme të kthehemi në monografinë e Frojdit “E ardhmja e një iluzioni” (1927). Megjithëse ka të bëjë kryesisht me psikologjinë e fesë, është gabuar të shpërfillësh kontekstin dhe përmbajtjen e saj politike. Asnjë hebre në “Vjenën e Kuqe” të vitin 1927 (viti në të cilin filluan tubimet e para të Hitlerit në Nuremberg) nuk mund të shqetësohej nga rritja e antisemitizmit politik. Frojdi i tha një intervistuesi më pak se një vit më parë, në vitin 1926:

Gjuha ime është Gjermane. Kultura ime, arritjet e mia janë Gjermane. Unë e konsiderova veten intelektualisht Gjerman, derisa vura re rritjen e paragjykimeve antisemite në Gjermani dhe Austrinë gjermanike. Që nga ajo kohë, preferoj ta quaj veten hebre.

Një iluzion që ai i referohet në tekst është pikëpamja se “raca gjermanike është e vetmja e aftë për civilizim”.

Në atë kohë, torta politike e Austrisë u nda midis krahut të djathtë Social Kristianëve (segmenti i armatosur i të cilëve, ishte Heimwehr, ose ‘rojet e shtëpisë’, ku u financuan nga fashistët italianë) dhe krahut të majtë Social Demokratëve (me një njësi të armatosur e quajtur Schutzbund – shoqata për mbrojtje).

Tensionet midis dy grupeve shpërthyen në 15 korrik 1927, kur majtistët organizuan një demonstratë masive, duke filluar si një përpjekje për të zaptuar Universitetin e Vjenës, i cili ishte vetëm pak minuta larg nga banesa e Frojdit, dhe kulmoi përpara Pallatit të Drejtësisë, ku turma sulmoi dhe i vuri zjarr ndërtesës. Policia hapi zjarr ndaj protestuesve dhe, tre orë më vonë, 89 protestues dhe pesë policë u vranë nëpër rrugë. Po atë ditë, dhe dy ditët që pasuan, do të njiheshin si Schreckentage – ‘ditët e tmerrit’. Për intelektualët vjenez si Frojdi, kërcënimi i politikës autoritare ishte shumë afër shtëpisë.

Duke ndjekur traditën e filozofëve gjermanë Ludwig Feuerbach dhe Karl Marksit, Frojdi argumentoi se besimet fetare janë iluzione, por ai kishte një gjetje unike: ajo që dallon iluzionet nga jo-iluzionet, parashtronte ai, nuk është nëse ato janë të vërteta apo të rreme, por se si ndodhin ato. Iluzionet janë besime që ne i miratojmë sepse ne duam që ato të jenë të vërteta. Besime të tilla zakonisht janë të rreme, por ndonjëherë ato dalin të jenë të vërteta. Supozoni që ju blini një biletë lotarie sepse ju u zgjuat një mëngjes me një bindje të fortë që ju do të fitoni lotari. Dhe supozojmë se, rastësisht, ju në fakt fitoni atë lotari. Edhe pse besimi që ju kishit se do të fitonit lotarinë ishte i vërtetë, ajo prapë do të njihet si iluzioni Frojdian.

Iluzionet më bindëse cilësohen si delire. Deliret janë iluzione të rreme dhe njëkohësisht shumë rezistente për t’i rishikuar në dimensionin racional, për shkak të fuqisë së madhe të dëshirave që i ushqejnë ato. Bindjet fetare janë shembulli kryesor i Frojdit për deliret. Ato janë, shkruan ai, “përmbushje të dëshirave më të vjetra, më të forta dhe më urgjente të njerëzimit. Sekreti i forcës së tyre qëndron në forcën e këtyre dëshirave”.

Ashtu si vetë Perëndia, udhëheqësi është i gjithëdijshëm, i gjithëfuqishëm dhe i gjithë pranishëm.

Dëshirat që përforcojnë besimin fetar kanë të bëjnë me çlirimin nga pafuqia njerëzore. Ne jemi të prekshëm ndaj forcave të natyrës, siç janë sëmundjet, fatkeqësitë natyrore dhe përfundimisht vdekja, si dhe nga veprimet e njerëzve të tjerë që mund të na dëmtojnë, t’na vrasin ose trajtojnë padrejtësisht. Duke pranuar pafuqinë tonë, mendon Frojdi, ne jemi kthyer prapa në një prototip infantil: kujtimet e pafuqisë që ne përjetonim si foshnjë – varësia jonë e plotë ndaj të rriturve që kujdeseshin për ne (ose që nuk janë kujdesur për ne). Njerëzit fetar merren me ndjenjat e tyre të pafuqisë, sugjeron ai, duke u kapur pas iluzionit të një hyjnie të fuqishme mbrojtëse, që do t’u japë atyre një jetë të përtejme.

Ka një lidhje të qarta midis analizës së Frojdit për impulsin fetar dhe forcave psikologjike që luajnë në sferën politike. Politika është, në mënyrë eksplicite, një përgjigje ndaj dobësisë njerëzore. Shpresat dhe frikët tona më të thella deportojnë në arenën politike, dhe kjo na bën ne të prekshëm ndaj iluzioneve politike, të cilat shpesh lidhen me një ngulmim pasionant dhe me një kundërshti të fortë ndaj çdo argumenti logjik, këto përshtaten me karakterizimin e delirit nga Frojdi. Nga kjo perspektivë, sistemet politike autoritare i bëjnë jehonë feve monoteiste. Ashtu si vetë Perëndia, udhëheqësi është i gjithëdijshëm, i gjithëfuqishëm dhe i gjithëpranishëm. Fjalët e tij përcaktojnë horizontet e realitetit. Duhet të lavdërohet dhe ta kënaqim, por kurrë nuk duhet sfiduar. Armiqtë e tij, sipas përkufizimit, janë në lidhje me forcat e së keqes.

Nëse fetë do ekzistonin vetëm që të përmbushnin dëshirat e fantazive, ato do të ishin të gjitha me ëmbëlsi dhe ndriçim. Por ato nuk janë. Premtimi i ëmbël i parajsës është kuptimplotë vetëm kundrejt kërcënimit të ferrit dhe shpëtimi kërkon diçka nga e cila dikush do që të shpëtohet, madje edhe me çmimin e skllavërimit, vuajtjes dhe – në rastin e dëshmorëve fetarë – torturës dhe vdekjes. E njëjta gjë vlen edhe për diskursin politik autoritar. Kjo nuk është e gjitha fushë me lule: por është edhe helmuese.

Për të trajtuar këtë dimension të errët të mendimit autoritar, i kthehemi një psikoanalisti më pak të njohur – Roger Money-Kyrle, i cili vjen nga një familje aristokratike Angleze. Ai u regjistrua në Regjimentin e Forcave Ajror Mbretërore në moshën 18 vjeçare për të luftuar në Luftën e Parë Botërore dhe ku rrëzohet mbi Francën veriore në vitin 1917, kjo i solli dhe fundin e karrierës së tij ushtarake. Pas luftës, ai regjistrohet në Universitetin e Kembrixhit për të studiuar fizikë dhe matematikë, por shpejt vendos të kalojë në filozofi. Si një numër i madh mendimtarësh në Kembrixh të asaj kohe, Money-Kyrle u interesua në psikoanalizë dhe udhëtoi në Vjenë në vitin 1922 për të përfunduar doktoraturën me filozofin Moritz Schlick (kreu i Rrethi-t Vjenez) dhe po ashtu për t’iu nënshtruar analizave me Frojdin. Pas kthimit në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 1926, ai fitoi doktoraturë të dytë, këtë herë në antropologji, dhe përfundimisht u bë një praktikant i psikoanalizës.

Në vitin 1932, Money-Kyrle vizitoi shkurtimisht Berlinin me ftesë të mikut të tij, diplomatit Arthur Yencken (i cili më vonë u vra nga nazistët kur iu vendos një bombë me sahat në aeroplanin ku ai udhëtonte). Yencken e mori atë në një tubim të Partisë Naziste, ku aty folën Joseph Goebbels dhe Hitleri. Money-Kyrle u befasua dhe u shqetësua nga ajo që pa dhe dëgjoi dhe u përpoq të bënte kuptimin e asaj që ndodhi duke shqyrtuar fjalimet dhe dinamikën e turmës përmes një lente psikoanalitike. Rezultati ishte artikulli ‘Psikologjia e Propagandës’ (1941).

Në kohën kur mbërriti në Gjermani, Money-Kyrle ishte fuqimisht nën ndikimin intelektual të psikoanalistes Angleze, Melanie Klein e lindur në Hungari. Klein pohoi se të gjitha qeniet njerëzore janë të përhumbura nga frikëra të thella dhe të tmerrshme që ajo i quajti ‘ankthe psikotike’. Ajo mendoi se këto ankthe, dhe përgjigjet tona ndaj tyre, nxisin sjellje njerëzore me efekte të mëdha – për mirë ose për keq. Në skemën Kleiniane ekzistojnë dy forma primare të ankthit psikotik: ankthi paranojak, i cili është terrori i persekutimit nga forcat e së keqes, forcat e përjetshme, dhe ankthi depresiv, që është ndjenja se dikush është fajtor për shkatërrimin e asaj që ti pëlqen dhe vlerëson. Klein përshkroi gjithashtu atë që ajo e quajti mbrojtje maniake, e cila është mohimi i pafuqisë dhe varësisë tek të tjerët nga deliret e fuqisë, madhështisë dhe vetëbesimit dhe shprehet nga qëndrime triumfale, të kontrollit dhe përbuzjes.

Money-Kyrle përdori skemën e Klein-it për të kuptuar fuqinë e retorikës naziste. Ai arriti në përfundimin se Hitleri dhe Goebbelsi nxitën diçka të ngjashme me një psikozë masive në auditorin e tyre dhe e formësuan atë për qëllime politike. Ai shkroi:

Fjalimet në vetvete nuk ishin mbresëlënëse. Por turma ishte e ekzaltuar. Njerëzit fillonin gradualisht të humbnin personalitetin e tyre dhe shkriheshin në një përbindësh jo shumë inteligjent, por jashtëzakonisht shumë të fuqishëm … [që ishte] nën kontrollin e plotë të figurës në tribunë që shkaktonte ose ndryshonte pasionet e saj aq lehtë sa sikur të kishin qenë veprime të një trupi të vetëm.

Vëzhgimi i Hitlerit dhe Goebbels-it në veprim e çoi Money-Kyrle në idenë se, që propaganda politike të funksionojë, propagandistët duhet të nxjerrin në dukje ndjenjën e pafuqisë në auditorin e tyre (injektimi i helmit) dhe pastaj t’u ofrojnë atyre një zgjidhje magjike (një fushë me lule). Së pari, ata e bëjnë audiencën të ndihet e dëshpëruar – që audienca të ndiejë sikur kanë humbur ose shkatërruar diçka jashtëzakonisht të mirë dhe të çmuar, dhe kanë tradhtuar fatin e madh të popullit Gjerman. Money-Kyrle e përshkruan atë: “Për 10 minuta kemi dëgjuar për vuajtjet e Gjermanisë … që nga lufta. Përbindëshi dukej të kënaqej në një orgji vetë-keqardhje.”

‘Melankolia e shkaktuar kaloi në paranojë, dhe paranoja në megalomania’

Hapi i dytë është identifikimi i një pakice ose grupi të jashtëm si autorë i këtyre vuajtjeve. Ata janë forca e së keqes, duke na persekutuar nga jashtë ose duke na konsumuar nga brenda. Money-Kyrle shkruan:

Pastaj për 10 minutat në vazhdim erdhën shpërthime vetëtimash të tmerrshme kundër hebrenjve dhe socialdemokratëve si autorët e vetëm të këtyre vuajtjeve. Vetë-keqardhja la hapësirë për të urryer; dhe përbindëshi dukej se po transformohej në vrasës.

Hapi i tretë është të ofrohet një kurë maniakale për tmerret e kësaj pafuqie:

Vetë-keqardhja dhe urrejtja nuk ishin të mjaftueshme. Ishte gjithashtu e nevojshme të largohej frika … Pra, folësit u kthyen nga poshtërimi dhe sharjet në vetëlavdërim. Nga një fillim i vogël, tashmë Partia ishte bërë e pamposhtur. Çdo dëgjues ndiente një pjesë të kësaj plotfuqishmërie brenda vetes së vet. Dëgjuesi u mbart në një psikozë të re. Melankolia e nxitur kaloi në paranojë, dhe paranoja në megalomani.

Rritja e kësaj faze përfundimtare, dhe performanca maniakale e Hitlerit ishte një apel ndaj unitetit, të cilin Money-Kyrle mendonte që ishte thelbësore për suksesin e propagandës autoritare, sepse nëse ai nuk kishte asgjë tjetër për të ofruar përveçse vetëtimave, ai s’mund të kishte mbetur zoti që pretendonte’. Duke trumbetuar këtë muzikë të fuqishme, dhe me përfundim pozitiv, Hitleri premton parajsën në Tokë; “Kjo parajsë, gjithsesi, ishte vetëm për Gjermanët e vërtetë dhe Nazistët e vërtetë. Gjithkush që ishte jashtë ishte një persekutues, dhe për këtë arsye një objekt për tu urryer.”

Edhe pse e frymëzuar nga vëzhgimet e retorikës naziste, Money-Kyrle nuk nënkuptonte se analiza e tij mund të zbatohej vetëm për nazistët. Në vitin 2016, në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së, gazetarja Gwynn Guilford ndoqi disa nga tubimet elektorale të Donald Trump dhe ajo përdorte shënimet që kishte realizuar mbi vëzhgimet e saj në këto tubime, për të testuar tezën e Money-Kyrle. Ajo raportoi në një artikull interesant të botuar në revistën online Quartz: “Kam kaluar nëpër shumë shënime të vëzhgimeve që unë kisha hedhur në letër që trajtonin tubimet elektorale të Trump. Pothuajse çdo paragraf përputhet me sekuencën e Money-Kyrle.”

Është apo nuk është e saktë diagnoza psikoanalitike e udhëheqësve të tillë, është gjithmonë e nevojshme një analizë e këtyre burimeve të dëshirave psikologjike për udhëheqësit autoritarë. Duke kuptuar tërheqjen ndaj iluzioneve të tilla autoritare kjo mund të na ndihmojë të marrim masa para kohe, dhe kështu mund të shmanget që kombe të bien në humnerë, ku eksperienca e Shqipërisë e cila akoma spo del dot nga humnera diktatoriale 45vjeçare dhe ajo 26 vjeçare postdiktature.

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com