“Secili prej nesh mund të gjenerojë në dashurinë tjetër, mllefin, mërinë, dëshirën për hakmarrje: kjo është ajo që u shpëton protagonistëve të filmit”, DANIELE LUCHETTI, REGJISOR
“Në një sistem kompleks si familja, mjafton një dridhje e gabuar për të shkatërruar gjithçka. Nëse një ingranazh prishet, një person, të tjerët gjithashtu janë “thyer” përgjithmonë”. Në një intervistë, regjisori italian Daniele Luchetti tregon universin e filmit të tij, Lacci, (Laku) i bazuar në romanin me të njëjtin emër nga Domenico Starnone (Einaudi) i cili hapi Festivalin e 77-të të Venezias. Filmi flet për familjen dhe marrëdhëniet, për “lidhjet” reale dhe metaforike: “Është një film për forcat që na mbajnë bashkuar. Njerëzit nuk janë bashkë vetëm nga dashuria, por edhe për atë që mbetet kur dashuria nuk është më: inati, frika, përpjekja e dëshpëruar për të mbajtur besimin te një pakt”.
Historia fillon në Napoli në vitet ’80: në qendër është martesa e Vandas, një mësuese e pasigurt dhe Aldos, një drejtues radioje. Prindër të dy fëmijëve, marrëdhënia e të cilëve merr fund një natë kur ai i rrëfen që e ka tradhtuar. Vanda e dëbon Aldon nga shtëpia duke shpresuar për një rimendim, por ai nuk kthehet më. Dhe kështu fillojnë seancat, veprimet e dëshpëruara, torturat e vogla morale para fëmijëve të frikësuar dhe të pasigurt. Tridhjetë vite pas ndarjes, çifti janë ende bashkë, duke jetuar ‘në katastrofë’ të një marrëdhënie që ka gjeneruar pakënaqësi dhe frikë tek fëmijët e tyre, tani të rritur. Rëndësia e titullit del menjëherë: ‘laku’.
“Fjala nuk i referohet vetëm skenës kur vëllai dhe motra, në lokal me babanë e tyre, përpiqen të lidhin këpucët e tyre si ai. Evokon diçka më komplekse: lidhëset, në fakt, mund të jenë të dashura, pasionante, por edhe simbol i burgosjes. Ato janë emblema e forcës së gravitetit që na shtyn drejt të tjerëve dhe që ka shumë fytyra”, konfirmon Luchetti. Filmi bazohet në romanin me të njëjtin emër nga Domenico Starnone, një shkrimtar i cili e përcaktoi këtë rrëfim “jo një histori për pabesinë, por për efektet e pajtimeve të rreme, ndërprerjen e realitetit”.
Dhe në sfond, për një pjesë të historisë, janë vitet tetëdhjetë, një epokë e revolucionit të marrëdhënieve në çift: “Ndryshe nga atëherë, në vitin 2020 ndarja është ‘spastruar’. Sot nuk merren në konsideratë as dëmet, që ndonjëherë, mund t’u shkaktojmë të tjerëve për të jetuar, duke ndjekur vetëm dëshirat tona. Në film, personazhet nuk drejtohen nga koha në të cilën jetojnë, por nga shpirtrat e tyre”.
Personazhe të zhytur në një botë marrëdhëniesh në të cilat – pohon Luchetti – “një dridhje e gabuar mund të shkatërrojë gjithçka”. “Njerëzit nuk ekzistojnë nëse nuk janë në lidhje me të tjerët. Secili prej nesh mund të gjenerojë dashuri, inat, dëshirë për hakmarrje. Problemi me këta personazhe është se ata mendojnë se janë të paparë, autonomë, të shkëputur nga tjetri. Vanda dhe Aldo sillen sikur të ishin ‘objekte të izoluara’, veprimet e të cilëve nuk kanë pasoja në fatin e të tjerëve. Por kjo nuk ndodh kurrë, sidomos brenda një familjeje.
Ai familjar është një mekanizëm kompleks: nëse një ingranazh prishet, të tjerët gjithashtu prishen përgjithmonë. Nëse një person thyhet, gjithë të tjerët thyhen. Fati i një individi të vetëm mund të gjenerojë pasoja jo vetëm mbi të dashurit e tjerë, por edhe ndaj brezave pasardhës, thotë regjisori. – Thjesht mendoni për historitë e vetëvrasjeve, rëniet financiare, krizat relative që bota na tregon: ngjarje traumatike, të afta të shkaktojnë një efekt domino. Ky film tregon në një mënyrë të thjeshtë, por jo të thjeshtë, shembjen. Ai tregon efektet e prodhuara nga rrëfimi ‘Unë kam qenë me një grua tjetër’ në tridhjetë vjet të jetës familjare”.
Përgatiti: Orjona TRESA | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 161
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.