FB

September 5, 2026 | 8:30

Familja, qendra ku fillon historia jonë

“Familja konsiderohet njësia themelore brenda së cilës një fëmijë stërvitet për ekzistencë shoqërore” -Rudolph Schaffer

 

Familja nuk është vetëm një fjalë, ajo është qendra ku fillon historia jonë. Është grupi i parë shoqëror ku një individ lind dhe merr frymë, vendi ku përvojat e para mendore dhe ndjenjat e hershme formojnë themelet e qenies sonë.

familjaok

Në përqafimin dhe kujdesin e prindërve, fëmija mëson jo vetëm të ekzistojë, por edhe të kuptojë botën, duke marrë modele të para të marrëdhënieve dhe vlerave që do ta udhëheqin përgjatë jetës. Familja është si një mozaik i gjallë. Lidhjet, emocionet dhe normat e saj ndërthuren për të krijuar një rrjet që mbështet rritjen dhe zhvillimin individual dhe shoqëror.

Nga perspektiva e teorisë së sistemeve, siç e argumenton biologu Ludwig von Bertalanffy, familja është një sistem i hapur dhe dinamik, ku secili ndryshim tek një anëtar ndikon tek të tjerët dhe i shtyn të gjithë drejt ekuilibrit. Ky rrjet ndërveprimesh nuk është thjesht një linjë shkak-pasojë, por një cikël i ndërlikuar ku çdo veprim reflektohet në marrëdhënie të shumta, duke rritur kuptimin e komunikimit dhe fleksibilitetit brenda sistemit. Komunikimi, siç theksojnë Paul Watzlawick, psikolog dhe grupi i Palo Altos, është zemra e këtij sistemi,ai është mjeti që e mban familjen funksionale dhe vetëkorrigjuese. Megjithatë, jeta sjell ngjarje të papritura, lindje, humbje, sëmundje, apo ndryshime të paplanifikuara. Këto ngjarje kritike vendosin familjen në një pikë kthese, ku ajo duhet të ripërcaktojë vetveten dhe të përdorë burimet e brendshme dhe të jashtme për të përballuar tranzicionet. Përmes tyre dalin në pah forcat dhe dobësitë e sistemit familjar, si dhe cilësia e marrëdhënieve që e mbajnë atë të shëndetshme ose të dobët.

Salvador Minuchin, psikoterapist, duke ndërtuar mbi këto koncepte, e sheh familjen si një strukturë të organizuar mirë, me role dhe kufij të qartë, të aftë të ripërshtatet dhe të ndryshojë kur është e nevojshme. Familjet funksionale shfaqin fleksibilitet, mbështesin zhvillimin individual dhe kolektiv, dhe përdorin burimet e tyre në mënyrë të ekuilibruar. Ndërsa familjet e ndërlikuara, me role të paqarta dhe kufij të paqartë, shpesh mbartin ngarkesa emocionale që mund të krijojnë trauma të grumbulluara me kalimin e kohës. Roli i terapistit në këtë rrjet është si ai i një udhëheqësi që ndihmon familjen të shohë vetveten në tërësi, të kuptojë strukturën, sjelljet dhe dinamikat që e formësojnë, duke fuqizuar mentalizimin dhe komunikimin. Ky fokus mbi sistemin dhe jo vetëm mbi individin, krijon mundësinë që familja të përballojë sfidat e jetës, të përqafojë ndryshimin dhe të zhvillojë fleksibilitetin e nevojshëm për të ecur përpara, duke ruajtur identitetin dhe lidhjet që e bëjnë të qëndrueshme dhe të plotë.

Familja, në thelb, nuk është thjesht ajo që shohim, por ajo që ndjejmë, ajo që ruajmë dhe ajo që rritet bashkë me ne, një sistem që lëviz, ndjen, dhe na mëson çdo ditë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top