Pika referimi

August 23, 2017 | 8:39

Fejsbuk apo fuksbuk?!

Ndikimi i botës virtuale i ka dhënë një dimension të ri komunikimit njerëzor. Facebook është rrjeti social më i përhapur në Shqipëri. Një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve, brenda dhe jashtë kufijve kanë një llogari personale në fejsbuk dhe janë përdorues shumë të mirë të këtij rrjeti social. Përdoruesit e fejsbukut në Shqipëri, i përkasin moshave të ndryshme. Pyetjet që lindin janë: Përse shqiptarët janë më të prirur për t’u socializuar virtualisht? Ndërtimi i marrëdhënies publike nga përdoruesit e Facebook për të bërë të pranueshëm dhe rritur reputacionin e tyre. Në çfarë forme vijnë stereotipet dhe klishetë te përdoruesit e fejsbuksave?

DorinahOxhaKomunikimi virtual ka shkurtuar distanca, ka shmangur gjuhën e trupit, atë të vërtetë, që duam ta fshehim me fjalën. Socializimi i shpejtë, pa komplekse dhe më pranë mendimeve, ka bërë që prej disa vitesh edhe në Shqipëri Facebook të përhapej me një shpejtësi marramendëse, njëkohësisht edhe të sofistikohej në shërbime dhe opsione të reja për një komunikim më të zgjeruar social. Facebook-u herë si mjet argëtimi, në mungesë të kushteve për ta mbushur hapësirën e lirë më argëtime më reale dhe herë nga nevoja për t’iu përshtatur zhvillimit social të kohës, ky gjigant transformues, na bën dalje në një shteg të ri të manifestimit të qenies sonë në një botë krejtësisht joreale. Ky fakt shpjegohet me manifestimin e fotove dhe jetës së luksit. Si një tablo ku ne i japim ngjyrat e dëshirueshme, anën tonë më të mirë, atë që do të dëshironim të ishim, e njëkohësisht, këtë tablo e ngjyrosim edhe me ndjesi negative, postime paragrafësh, komente dhe pëlqime. Ndryshe nga realiteti, në tablonë virtuale të quajtur Facebook ne shndërrohemi në Pikaso të vetvetes, bëhemi krijues të krijimit. Një qasje e trishtë kjo, që dashje pa dashje na nxjerr edhe anën tjetër të medaljes, atë të pandërgjegjshmen, që sado ta mbajmë nën frerë si Prometeu klith për lirinë. Shoqëritë e varfra, që kanë kaluar një kalvar vuajtjesh historike, rrjedhimisht janë më të predispozuara në manifestimin e vetvetes në të gjitha format e saj, përfshirë edhe në rrjetet sociale si Facebook.

1Rrjetet sociale gjithashtu kanë lehtësuar edhe komunikimin, përparimin e tij në aktivitete të ndryshme të së përditshmes. Komunikimi i punës lehtësohet, sepse krijohet një perceptim absurd i asaj ‘shtëpizës’ që je gjithnjë i pranishëm dhe që të tjerët të vijnë aty për të të ‘zbuluar’ dhe nuk je ti ai që duhet të kryesh detyrat formale të punës sipas standardeve zyrtare dhe të qenit në ‘shtëpizën-Facebook” çlirohesh nga barrierat e detyrimit. Komunikimi virtual gjithnjë e më shumë po ndikon fuqishëm në manifestimin dhe reklamimin e vetvetes nëpërmjet profileve dhe llogarive personale.

Një nga objektivat e përdoruesve të rrjeteve sociale është krijimi dhe ndryshimi i pikëpamjeve të opinionit publik në lidhje me veten e tyre ose në lidhje me qëllimin e punës së tyre, të ndonjë biznesi etj. Përmes informimit, edukimit dhe ndërgjegjësimit. Ndërtimi i marrëdhënies publike për ta bërë të pranueshme kauzën e përdoruesve të Facebook nxjerr në pah edhe anën e saj negative, si një mjet kamuflimi i së vërtetës nëpërmjet teknikave virtuale. Një ndër to është edhe teknika e kamuflimit për të dalë jashtë komunikimit aktiv apo edhe teknikave të tjera për të ‘gabuar’ opinionin publik.

Facebook si një rrjet social, është gjithashtu edhe një mjet vëzhgimi ‘spiunues’ që herë na tërheq drejt manisë për t’u “vetëspiunuar” e herë drejt manisë për të na “spiunuar” të tjerët. Në Shqipëri gjatë regjimit komunist bëheshe për pesë ditë kurs një fotograf spiun, ndërsa sot mjafton vetëm një klikim që të bëhesh një fuksbuk në fejsbuk.

Komunikimi virtual duke qenë se kufizohet nga prania e asaj që e quajmë gjuha e trupit nga distancat gjeografike përdoruesit e fuksbukut janë më të dëlirë në të shprehur mendimet e tyre kritike, po aq edhe dëshirat e fshehura në të pandërgjegjshmen tonë. Liria e keqpërdorur qëllimisht në rrjetet sociale si Facebook lind problemin kibernetik të cenimit të dinjitetit moral, që vjen si pasojë e klisheve dhe stereotipave për fuksbuksat. Njeriu e sheh veten të pasqyruar te fytyra e tjetrit në të gjitha format dhe mjetet e komunikimit, ndaj jashtë kësaj marrëdhënie, çdo arsye do të ishte absurde. Fuksbuksat, ndryshe spiunët e vetvetes, janë idhujt për të krijuar realitetin me tjetrin herë si nevojë e herë si dëshirë. Hera-herazi përdoruesit e Facebook këmbejnë like (lajka) po aq herë dëshirojnë të mos jenë fytyra e tjetrit, që sipas Emmanuel Lèvinas, është i varfëri për të cilin unë mund të bëj gjithçka dhe të cilit i kam borxh gjithçka.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top