Nga Lira Gjika, pediatre
Mendësia se fëmija “nuk kupton”, “nuk merr vesh”, vazhdon të jetë e ulur këmbëkryq në trajtimin e fëmijës dhe edukimin e tij. Kjo mënyrë e vjetër dhe e dëmshme eviton pikërisht të njohurit e gjuhës së fëmijës, që është një shkencë më vete, por që për fat të keq tek ne kjo shkencë është ende e pazhvilluar. Pasojat e kësaj mungese, i hasim përditë në mënyrën se si trajtohet fëmija duke filluar nga specialistët dhe për pasojë edhe prindërit vazhdojnë në të njëjtën mënyrë. Mjekët kur vizitojnë fëmijën, nuk e përfshijnë edhe atë, kur i shpjegojnë prindërve situatën e tij, por flasin sikur fëmija nuk është aty dhe sikur nuk është ai i sëmuri. Po në të njëjtën mënyrë vazhdojnë edhe prindërit. Flasin me gjithkënd për sëmundjen e fëmijës, por me vetë fëmijën nuk flasin. Të dyja palët e trajtojnë fëmijën të paaftë mendërisht për të kuptuar gjendjen që po përjeton. Asnjë palë nuk përfill ankthin e fëmijës dhe jo pse nuk e duan, por nuk e besojnë dot se ai mund të kuptojë. Kjo mendësi e keqe, i bën si prindërit dhe mjekët, ta lënë vetëm fëmijën përballë ankthit dhe frikës, pasi është ai i sëmuri dhe ai do të përballojë çdo vuajtje dhe pasojë të sëmundjes. Asnjë lloj asistence për ta mbështetur dhe dhënë të drejtë për frikën apo dhimbjet që provon.
Do të mjaftonte një bisedë e thjeshtë, ku të flitej për sëmundjen dhe se nuk ishte vetëm.
T’i tregojnë se frika që provon, nuk është turp, por përkundrazi, tregon se trupi dhe mendja e tij po punojnë për të gjetur energjinë e duhur për t’u shëruar dhe së bashku me mamin, babin dhe doktorin e infermieren do t’ia dalin.
T’i shpjegojnë ashtu siç e shpjegonte dikur Hipokrati i madh, se “i sëmuri, sëmundja dhe mjeku janë tre, i sëmuri po u bë me mjekun e mund sëmundjen. I sëmuri po iu nënshtrua sëmundjes e mund mjekun. Dhe që mjeku te mos mundet duhet të shërojë shpirtin e të sëmurit, i cili realizohet nëpërmjet besimit të doktorit, që kështu trupi të marrë fuqi dhe të shërohet”.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.