Posta

October 21, 2016 | 8:00

Fëmijë agresivë

Jam nënë e dy fëmijëve në klasë të dytë fillore me 20 muaj diferencë mes njëri-tjetrit. Shqetësimi im është se të dy fëmijët janë të papërmbajtshëm në kushtet e një shoqërizimi edhe me persona të tjerë, të rritur apo jo. Çdo gjë e kërkojnë me këmbëngulje dhe për t’ia arritur përdorin edhe dhunën si formën më të mirë shprehëse. Pavarësisht se ngre zërin e u jap ndonjë dackë si mënyrë pak më e ashpër reagimi, asnjëri nuk bëhet i dëgjueshëm e për më tepër kalojnë në agresivitet. Si t’i shpëtoj kësaj vështirësie e t’i bëj fëmijët të kuptojnë ndryshimin midis “Jo-së” dhe “Po-së”?

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Fëmijët mësojnë shumë nga mënyra se si reagojmë ne si prindër dhe nga ambienti përreth. Të afërmit e tyre janë personat që ata kanë shumë kohë në bashkëveprim, ndaj dhe prej tyre mësojnë shumë sjellje, qofshin këto të mira ose sjellje problem. Që të mund të kuptojmë përse fëmijët reagojnë në këtë mënyrë, do të duhet të shohim me vëmendje zinxhirin e sjelljes jo të mirë, si ka nisur dhe çfarë e ka pasuar atë.

Pra, ne duhet mbi të gjitha, të shohim se çfarë e bën sjelljen që të përsëritet edhe pse ju mendoni se duke i ndëshkuar tashmë, sjellja do të duhet të ulej. Po mundohem të shpjegohem kryesisht me shembullin që keni sjellë ju në letër dhe më pas ju mund të veproni edhe me sjelljet e tjera. Nëse fëmijëve u del përpara syve ose u shkon në mendje për diçka të preferuar, pra diçka që ata e kanë dëshirë, por ju nuk keni mundësi ose nuk është koha dhe momenti që ata të realizojnë dëshirën në fjalë, ju fillimisht thoni “jo!”, pastaj ka shumë të ngjarë të thoni “jo!” duke ngritur zërin, dhe më pas, nëse ata këmbëngulin, pse jo dhe duke e realizuar dëshirën e tyre, ju mund t’i jepni edhe ndonjë dackë, sikundër shkruani. Atëherë, rezulton që ju kështu keni bërë ngaherë dhe sjellja sërish është përsëritur, që do të thotë sjellja është mirëmbajtur. Kjo duket qartazi që nuk është mënyra e duhur për të reaguar.

Hipoteza që unë ngre është: “kërkesa për vëmendje” dhe “arritja e artikullit apo aktivitetit të dëshiruar”, pasi sa herë që fëmija këmbëngul, fakti që ju thoni “jo!” fëmija e ka marrë vëmendjen tuaj për të vazhduar procesin drejt arritjes së qëllimit. Fëmija ka mësuar nga e kaluara se kur ka këmbëngulur, e ka arritur qëllimin. Ju i keni dhënë atë që ata kanë dëshiruar dhe sjellja është përsëritur. Sigurisht që një “Jo!” tjetër në të ardhmen nënkupton se vazhdimi do të jetë që mami do të nxehet, por ne ia arritëm t’i marrim vëmendjen dhe më pas të realizojmë pse ajo qëllimin fillestar. Kjo është mënyra se si fëmijët mësojnë sjelljet që bëjnë nëpërmjet shpërblimeve dhe ndëshkimeve.

Ju do të duhet të reflektoni ndryshe: filloni të mbani sjelljen tuaj shpërblyese. Tregojini vetëm një herë me argument që ata nuk mund ta kenë atë që duam pasi është koha për tjetër gjë ose për ndonjë arsye që ata meritojnë ta dinë. Më pas çdo thirrje lutëse, shpërthime zemërimi, grindje apo akte dhune me objektet etj, do të injorohet, do të kalohet në mbajtje të këtij përforcuesi kaq të fortë që është vëmendja. VETËM dhe VETËM kur fëmija të jetë i qetë dhe ta kërkojë në mënyrën e duhur vëmendjen, ju mund t’ia jepni atë menjëherë. Komunikojani, bëjani të ditur fëmijës se çfarë kërkoni prej tij. Nëse sjellja është e papërshtatshme, atëherë menjëherë kaloni në injorim të sjelljes. Kështu ju do të ulni sjelljen problem dhe do të rrisni sjelljen që synoni, që fëmija me mirësjellje t’ju kërkojë vëmendje dhe do të mësojë që nuk mund të realizohet gjithnjë ajo që kërkon.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top