Këshilla & Arsye

May 5, 2018 | 9:10

Fëmijë i pabindur? Psikologia Imo Alikaj: Ndihmojeni fëmijën të menaxhojë dhe shprehë emocionet

femijePërshëndetje! Jam një nënë e një djali tre vjeç dhe kam një problem. Djali im është një fëmijë i pa bindur dhe shumë i praptë; ka filluar të na godasë mua dhe bashkëshortin, të na pështyjë, të hedh gjëra përtokë etj. Nuk e di si të sillem me të, i flas nuk dëgjon, i ngre zërin, po e njëjta gjë. Më kthehet si i rritur, më thotë “budalle”. Nuk di si të veproj se me të vërtetë jam shumë në hall të madh. Nuk e di a do ndryshoj ndonjëherë? Gjithë ditën rri në çerdhe nga ora 7 deri në 16. Theksoj që jam munduar t’i gjej çerdhen më të mirë që ai të bëhet një fëmijë i mbarë e i kulturuar, por jo. Është një fëmijë jashtë mase i zgjuar, flet pa pushim, reciton, këndon. Jemi munduar shumë ta edukojmë, por e pamundur. Kam merak se do vazhdoj gjithmonë kështu. Ju lutem më thoni si mund t’ia dal? Faleminderit.

Msc.Imo Alikaj / Psikologe klinike / Terapiste EMDR (niveli 1) / Terapiste ABA

Msc.Imo Alikaj / Psikologe klinike / Terapiste EMDR (niveli 1) / Terapiste ABA

Përshëndetje e nderuar nënë!

Kundërshtimi është karakteristikë e kësaj moshe. Në këtë moshë fëmijët fillojnë të kundërshtojnë pothuaj për çdo gjë, duke u përpjekur t’i bëjnë të gjitha gjërat siç ata vet i dinë, megjithëse ende nuk janë gati t’i bëjnë. Dhe si rrjedhojë shpeshherë përfundojnë të zemëruar. Në pamundësi për të vetmenaxhuar apo kontrolluar emocionet e tyre, shfaqin kështu edhe shpërthimet e para të inatit dhe zemërimit, që mund të demonstrohen në formën që ju keni parashtruar për djalin tuaj; të bërtasë, të shtyjë, të godasë, të pështyjë, madje edhe të kafshojë.

Kështu që nëse përjashtojmë dhe sigurohemi që nuk ka asnjë event, ngjarje apo ndodhi në familjen tuaj apo në çerdhe prej të cilës djali është tronditur dhe e shpreh këtë tronditje me zemërim në këtë formë, në përputhje me moshën, gjithçka është në rregull me djalin tuaj.

Për të kuptuar nëse sjellja e tij mund të vijë për shkak të një faktori të jashtëm mund të përdorni teknika shumë të thjeshta; duke përdorur vizatimet apo edhe lojërat me kafshët apo me kukulla të vogla. Fëmijët e kësaj moshe kanë nisur të ndërtojnë lojëra imagjinative dhe e veçanta është që në këto lojëra ata projektojnë veten dhe gjithçka të rëndësishme që ju ndodh në shtëpi apo në kopsht.

Nëse tregoheni e vëmendshme, do ta kuptoni nëse në lojë ka diçka që do t’iu bëjë përshtypje. Nëse ndodh kështu, atëherë konsultohuni me një psikologe. Në të kundërt, nëse loja është e qetë dhe normale, atëherë gëzojuni kësaj faze të zhvillimit të fëmijës suaj.

larg-parenting

Por, duhet të keni parasysh që fjalët “mos e bëj këtë”, “e bëre gabim”, “mos u sill kështu” e të tjera fraza që në fakt janë vetëm qortuese, thjesht e konfundojnë djalin tuaj. Sepse ai me këto fjalë të thëna me një ton ndoshta të lartë nuk merr asnjë mesazh se si mund të përmirësohet. Ai nuk di çfarë të bëjë, di vetëm që bëri gabim. Prandaj mundohuni që në komunikimin tuaj me të, të përdorni më shumë fjali që i shpjegojnë dhe i tregojnë si duhet të sillet, p.sh: “bëje kështu”, “ec bukur”, “qëndro i qetë” e të tjera si këto në varësi edhe të situatës. Gjithashtu, nëse do t’ia modeloni edhe ju sjelljen që kërkoni prej tij, do ta ndihmonit shumë.

Ndihmojeni fëmijën tuaj të menaxhojë dhe t’i shpreh emocionet në mënyrë më të përshtatshme.

Ju uroj gjithë të mirat.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top