Në fokus

June 1, 2018 | 9:59

Fëmijë pa fëmijëri… (Fëmijë i rritur para kohe)

«Nga të drejtat e njeriut, fëmijëria është e drejta më themelore për fëmijët.»—«The Hurried Child» («Fëmijë i rritur para kohe»).

Ka të ngjarë që të pajtoheni me mendimin se të gjithë fëmijët duhet të kenë mundësinë të gëzojnë një fëmijëri pa shumë telashe, ku mbizotëron dëlirësia fëmijërore. Megjithatë është një realitet i hidhur i jetës që për shumë vajza dhe djem të vegjël, një fëmijëri e tillë është  diçka e paarritshme. Vetëm mendoni për ato mijëra ose ndoshta miliona ëndrra fëmijërore që shkatërrohen kur fëmijët bëhen viktima të luftës. Përfytyroni edhe gjithë ata fëmijë, jeta e të cilëve është rrënuar nga skllavëria ose abuzimi.

Shumica prej nesh e kanë të vështirë të përfytyrojnë se çfarë ndien një fëmijë kur është i detyruar të jetojë rrugëve, për shkak se ndihet më i sigurt aty, sesa në shtëpi. Pikërisht atëherë kur kanë nevojë më shumë se kurrë për dashuri dhe mbrojtje, këtyre fëmijëve u duhet të mësojnë që të jenë mjaft të regjur për t’u mbrojtur nga njerëzit e pamëshirshëm e mizorë, të cilët janë gati t’i shfrytëzojnë. Shpesh, në kohët tona të trazuara, ndodh që vetë fëmijëria shkatërrohet.

«Do të doja të isha prapë fëmijë»

Karmeni 22-vjeçare kaloi një fëmijëri të mundimshme. Ajo dhe motra e saj u detyruan të jetonin në rrugë, për t’i shpëtuar abuzimit të babait dhe mungesës së kujdesit nga ana e nënës. Pavarësisht nga rreziqet e një jete të tillë, që të dyja arritën të shmangnin disa nga grackat në të cilat bien shumë të rinj kur ikin nga shtëpia.

Megjithatë, Karmenit i ka mbetur brengë në zemër fëmijëria, sepse ajo vërtet nuk mban mend të ketë pasur ndonjëherë fëmijëri. «Nga foshnjëria kam kaluar drejt e në moshën 22-vjeçare, pa kaluar ndonjë periudhë të ndërmjetme,—thotë e trishtuar ajo.—Tani jam e martuar dhe kam edhe vetë fëmijë, por kam shumë dëshirë të bëj gjërat që bëjnë vajzat e vogla, si për shembull të luaj me kukulla. Do të doja që prindërit të më jepnin dashuri dhe të më përqafonin. Do të doja të isha prapë fëmijë.»

Ka shumë fëmijë që vuajnë si Karmeni dhe motra e saj. Ata jetojnë në rrugë dhe faktikisht kanë mbetur pa fëmijëri. Shumë nga ata, për të mbijetuar, përfshihen në krime. Raporte lajmesh dhe statistika tregojnë se fëmijët po përfshihen në krime në një moshë kaq të njomë sa është për t’u habitur. Diçka tjetër e bën edhe më të rëndë problemin: shumë vajza bëhen nëna kur janë ende adoleshente—vërtet, kur janë ende fëmijë për vete.

Krizë e fshehur shoqërore

Nuk është për t’u çuditur që gjithnjë e më shumë fëmijë u lihen për rritje dhe edukim prindërve të tjerë. Një artikull i redaksisë botuar në gazetën Weekend Australian shkruante: «Si pa e kuptuar, ka ndodhur një krizë në institucionin e lënies për rritje dhe edukim. Më shumë fëmijë të familjeve të prishura po lihen pas dore.» Gjithashtu gazeta vërente: «Disa fëmijë që u lihen për rritje dhe edukim prindërve të tjerë kalojnë muaj, madje vite pa pasur ndonjë lidhje me punonjësin social që është caktuar për t’i mbikëqyrur. Të tjerë kalojnë nga një prind, të cilit i janë besuar për përkujdesje, në tjetrin, pa gjetur kurrë një familje të përhershme.»

Në një rast raportohej se një vajzë 13-vjeçare, brenda një periudhe trevjeçare, kishte ndërruar 97 familje që e kishin marrë për ta rritur dhe edukuar—në disa nga këto familje kishte qëndruar vetëm një natë. Tani ajo sjell ndër mend ndjenjat e forta të braktisjes dhe të pasigurisë që e mundonin nga kjo gjë. Shumë fëmijë si ajo, të cilët i janë lënë nën kujdes dikujt, nuk kanë pasur fëmijëri.

Prandaj, nuk është ndonjë çudi që sot specialistët flasin për përhapjen e tragjedisë së fëmijëve pa fëmijëri. Nëse je prind, mund t’i vëresh këto fakte të zymta dhe ta quash veten të lumtur që ke mundësi t’u sigurosh fëmijëve një familje dhe gjërat e nevojshme të jetës. Por ka edhe një rrezik tjetër. Në botën e sotme nuk ndodh gjithmonë që fëmijët të jenë pa fëmijëri. Ndonjëherë ata thjesht rriten para kohe.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top