FB

November 22, 2021 | 10:13

Fëmijët janë fëmijë…

Nga Laureta Roshi, psikoterapiste pozitive, EMDR

Një tjetër fëmijë mbylli jetën, një 13 vjeçar u vetëvra këtë fundjavë, një të shtunë me hënë të plotë trupi i tij mbërriti nga prindërit në Spitalin e Lushnjës i pajetë. “Dyshohet i vetë-varur në banesë”. Lajmi u bë objekt i rreshtave mediatike pas aktit vetëflijues. Inicialet e tij dhe fshati Golem përqendruan vëmendjen ngushëlluese dhe pse se ke njohur ke ndjesinë e mpirjes së zemrës.

Imazhi i munguar i intervistave “lukuni logosh para prindërve të dërrmuar” duket se kilometrat drejt Golemit po i mbajnë pak larg kamerat, po respekton së paku dhimbjen për largimin e një fëmije që mund të ishte bërë doktori i prindërve, miqve të lagjes, infermieri, mësuesi, psikologu, bletërritësi, emigrant i paligjshëm, por do ishte. Çfarë e shtyu një fëmijë në rritje në vetëflijim, ku gabuam me ligjin e pashkruar se ‘Jeta është e shenjtë’.

Si e lëmë këtë shenjtëri të bjerë pak e nga pak, larg përpjekjeve të përbashkëta për të forcuar fëmijët, por edhe për t’i mësuar si ta duan jetën. Sot familja ka nevojë për mbështetje, veçanërisht familjet në zonat rurale që në përditshmëri i dedikohen aktiviteteve prodhuese dhe i përkushtohen pak dëgjimit të zërit të fëmijëve, nevojave dhe brengave të tyre.

Prindër të shkëlqyer nuk ka, ka prindër që duan të bëhen prindër të mirë. Shumë sjellje vetë-lënduese janë rezultat imitimi por pjesa më e madhe është rezultat i vështirësive në menaxhimin e ndjenjave negative, apo mënyrën si trajtohen situatat stresuese. Mungesa e shpresës dhe optimizmit dhe problemet e rritjes nga fëmijëria në adoleshencë e më tej dhe shumë faktorë të tjerë të cilët ne të rriturit sa herë këputet zinxhiri i jetës nga vetë fëmijët përpiqemi ti gjemë një arsyetim objektiv. Mendoj se vetëvrasja e fëmijëve ka shkak të parë mungesën e komunikimit prindëror dhe më gjerë.

Studimet kanë treguar se fëmijët që tentojnë të vrasin veten  besojnë se vdekja është e përkohshme dhe kalimtare, një pjesë e fëmijëve e shohin si hakmarrje ndaj një situate ku emocionet e tyre të pikëllimit i kanë dominuar me vetëvlerësimin e ulët të vazhdueshëm dhe pavlerën e identitetit në mjedisin social ku rriten. 

Sipas hetimeve të para të bëra publike: hetuesit kanë këqyrur përmbajtjet që 13-vjeçari shpërndante në profilin e tij në ‘Tik-Tok’ ku rezulton se ai ka shpërndarë video, ku flitet për vetmi të thellë. I mituri shkruante se “vetmi nuk do të thotë të jesh vetëm, por të kesh një zemër të vetmuar”, “jeta ime është mbushur me errësirë, prandaj unë rri në errësirë”. Ndërkohë në një tjetër video shkruante; “jetë pa lidhje, probleme pa zgjidhje, botë me shumë ngjyra, njerëz me dy fytyra”.

 Fëmijët tentojnë me fantazinë e tyre në moshën 7 dhe 8 vjeç të pyesin mbi vdekjen pasi emocionet e tyre zhvillohen, ndërsa në moshën  9 deri 12 vjeç fëmija ja del mbanë në krijimin e mekanizmave mbrojtës të ruajë një ekuilibër brenda vetes edhe për njohuritë apo frikën nga vdekja, të përballojë disi honin e frikës në heshtje dhe të integrohet me mjedisin e jetës, duke krijuar bindjen se vdekja është e përhershme ai zgjedh sjelljen vetëvrasëse.

Jo rrallë herë detyrimi i fëmijëve për të mbajtur sekrete lojëra të dëmshme, prekje të papërshtatshme nga persona të afërt ose jo,  është kaq dëmtues si për botën e tyre emocionale dhe për sigurinë fizike. Çdo sjellje që fëmija ndërton mbi bazën e frikës është e përkohshme, shkakton zemërim dhe ky zemërim duhet pranuar, pasi është rruga e tyre për të shprehur emocionet e forta që nuk i përballojnë dot vetë. Frika dhe zemërimi i të rriturve nuk i ndihmon fëmijët ta përballojnë gjendjen e tyre, i tulat, i stopon në komunikim i vetë-tërheq dhe i lëshon ngadalë në botën e sjelljeve vetë-lënduese.

Ka një ndërveprim mes faktorëve gjenetikë dhe atyre psikosocialë, ndodh që fëmijët u nënshtrohen problemeve të vetë prindërve, problemeve të tyre psikologjike ose ndodh një humbje e njërit prind. Tentativat e fëmijëve që përfundojnë me vetëvrasje janë shumë pak, por fëmijët e marrin shumë shpesh në konsideratë këtë mendim. Sipas studimeve neuropsikiatrike 16% e fëmijëve 5 deri 12 vjeç e mendon vdekjen si një zgjidhje të problemeve familjare, shkollore, marrëdhënieve. Frekuenca e këtyre mendimeve rritet nëse ka krizë ekonomike familjare, kufiri mes vetëvrasjes së maskuar dhe vetëvrasjes reale është shumë i ngushtë. Në thelb vetëvrasja ka gjithmonë një pamundësi komunikimi me prindërit.

Dashuria dhe kujdesi vijnë natyrshëm, ashtu dhe ne e njohim mjedisin dhe veten përmes rritjes. Të drejtat u japin mundësinë fëmijëve të zhvillojnë dhe përdorin cilësitë njerëzore, vetëdijen, inteligjencën, talentin si dhe të kënaqin nevojat shpirtërore dhe të mirërriten shëndetshëm. Të drejtat janë ato që ne meritojmë ti gëzojmë pavarësisht se kush jemi dhe ku jetojmë.

Përgjegjësitë janë rolet që fëmijët duhet të marrin në momente të caktuara që të respektojnë të drejtat e të tjerëve dhe të gëzojnë të drejtat e tyre. Fëmijët janë Fëmijë.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top