Në fokus

October 7, 2017 | 8:30

FEMRA duhet dashur, jo kuptuar

dashuri

Çdoherë që do flitet për femrën, do ketë kërshëri për ta eksploruar dhe njohur më tepër. Për fat të mirë, e të keq, deri diku femrat e njohin më së miri njëratjetrën. Dhe nga këtu fillon gjurmimi apo kundërshtimi i gjinisë mashkullore. Natyra femërore nuk ka si kult të saj brishtësinë, por instinktin (intuitën), madhështinë për të qenë e vyer dhe besnike e ndjenjës së saj. Ajo mposht veten për të qenë e përulur, për të bërë të tjerët (familjen) sa më të sigurt e të hareshme. Si nuk e gjeni dot këtë femër apo grua të jetë kështu? Mos po më thoni që e hiperbolizove figurën e saj?!

Nga Manjola BAÇI,  M.Sc. Psikologe Klinike

Nga Manjola BAÇI,
M.Sc. Psikologe Klinike

Po bind veten që nuk është zë femre, por mashkulli që po shtrembëron buzët i pasigurt. Nuk jam duke bërë rëndom një krahasim të tillë kundërgjinor, por nëse duhet të përflasim figurën femërore, me patjetër e shohim të përlyer me praninë mashkullore, me uljet-ngritjet e saj përgjatë jetës. Kur themi familje, e kemi një motër, një mbesë, një femër, një partnere, roli i saj është kudo dhe çfarëdo. Sot familja po rrit dhe edukon fëmijë të barabartë, për të treguar qoftë femër apo mashkull që, fëmija është pasuria e dashurisë së dy të dashuruarve, edhe pse kjo lidhje klishe mund të devijojë dhe ta ngatërrojë këtë sintezë rregullatori. Potencialisht, femra ka gurë magjikë. Dëshminë janë përvojat e ekzistencës së njerëzimit. Ajo është dashur të jetë më e përvuajtura. Po, po, figura femërore, por ama këtë trashëgimi lehtësimi e ka lejuar po vetë ajo të ndodhë, duke u dhunuar brutalisht. Për të mbërritur te një skemë duke u skalitur ende, na nevojitet rrugëtimi i saj për të qartësuar formën e duhur dhe që i takon me të drejtë. Si çdo gjë që ka pikënisje, ndaj po e nisim me të tashmen, ajo sesi shihet apo kuptohet figura femërore.

Në fakt, mënyra e të parit të lë përshtypjen e të kuptuarit, ndaj këtu nuk duhet të ngatërrohemi, apo për të mos ju ngatërruar më shumë se kaq, po e nis me shprehjen mbarënjerëzore sot, e cila i shkon aq përshtat shkrimit analitik, sa mbërthen përfundimin e gjithë kësaj historie të nisur dhe ende të papërfunduar.

Femra duhet dashur dhe jo kuptuar, ndaj kjo i jep kuptim kërshërisë së pakuptimtë që kërkon të zbulojë mashkulli. Femra nis të dojë dhe vlerësojë veten në bazë të vlerave të mësuara, kjo e bën të jetë dinamike, spontane, pasionante. Por këto vlera, shoqëria sot i mban si një renditje hitparade-i të pandryshuar. A e vë atë sot nën presion psikologjik për këto kërkesa kaq të larta?! Unë do thoja që stili i jetës familjare të drejton për të evituar apo u përjashtuar nga ky stigmatizim, por kjo ka të bëjë me karakterin dhe ndjesitë sesi do të veprosh dhe çfarë kërkon nga jeta. Kjo skemë ka qenë e hierarkizuar me modele të një femre të unifikuar, jo që sot nuk kërkohet apo nuk është, por ajo na vjen ndryshe.

love

Një gjë është e sigurt, luhatja e gjendjes shpirtërore, tensionim për këtë vrull të përditshëm dhe ngarkesë emocionale kalon gruaja sot. Është ajo që tejçon energji te katalizatorët, që janë familjarët. Duhet kuptuar se çfarë e pengon vajzën, gruan, nënën për të ruajtur dhe mbrojtur rolin e saj. Ajo përballet çdo ditë me mungesa, ndaj e ka të kushtëzuar për të qenë atashuese kërkesa që familjarët, miqtë, kolegët kërkojnë vazhdimisht energjinë e saj. Stimujt janë një nevojë për vazhdimësinë e rolit që femra ka sot në familje e shoqëri. Kur ato i mungojnë, nuk ka ushqim shpirtëror. Kjo nuk vjen si hakmarrje e tyre, por si një shterim nga përhumbja e vetëdijes.

Një e vërtetë e hidhur është që, ende femra e sheh veten e saj të udhëhequr nga burri, ose ndryshe, të drejtuar prej nevojës së tyre. Ashtu siç kemi dhe shembuj që gruaja (femra) ia del mbanë vet për t’u rritur personalisht e profesionalisht pa pritur nga burime të jashtme. Ja pra ku qëndron çrregullimi i këtij sistemi të mendësisë uljet-ngritjet e figurës femërore. Nuk përjashtojnë njëra-tjetrën që të mos ndihen të konfliktuar emocionalisht apo fizikisht. Ajo që bën diferencën e problematikave është perceptimi që ka për atë çfarë e shqetëson dhe si e sheh shqetësimin. Për këtë më duhet të jem më eksplicite. Nuk vlen vetëm specifikisht për femrën, por mënyra sesi ndërlikon vështirësinë, gjendet përballë me dimensionin ulje (të rendimentit, të personalitetit, të gjendjes afektive) etj. Por ndodh edhe kur ndryshon katërcipërisht gjendjen, pa vlerësuar atë çfarë ke, dhe se këto kohë po ndihesh shumë e vlerësuar. Na mjafton vëmendja e vetëdija për të vlerësuar dhe përballuar uljet-ngritjet tona.

Si të mos ndihemi të dështuara për ato ndjesi sesi ndihemi?

1

Besoj se e keni kuptuar çfarë kam dashur të them, përgjatë analizës, që aktorët e tjerë (familjarët, fëmijët, partneri) ndihen të sigurt nga ne, gjinia femërore. Krijon lidhjet atashuese për të inkurajuar apo mbështetur të dashurit e saj. Me këtë kuptoni sesa e rëndësishme je ti, përballë familjes tënde. Ju nevojiten stimuj për vazhduar se, jeni duke bërë gjënë e duhur dhe kërkoni shpërblim shpirtëror. Patjetër që e ke këtë të drejtë! Kërkoje tek ata që ti pret se mund ta japin pa kushte, kështu nuk do pësosh zhgënjim emocional.

Duaje veten për çfarë je, dhe njihi vetes aftësitë që ke! Nëse pëson disfatë apo bie moralisht, shihe si kohë të përkohshme dhe gjej forcë për të rikuperuar energjitë e tua. Të mësojmë të mbrojmë njëra-tjetrën përkundrejt shfrytëzimit, abuzimit, dhunës, të jemi të ndjeshme ndaj ndjesive të inferioritetit, pasi kjo na bën të jemi agresive ku pala tjetër mashkullore e njeh këtë dobësi dhe e sulmon sa herë që i jepet rasti. Që këtu fillon peshorja shpirtërore të pësojë takikarditë e para. Vështirësitë mund të shihen dhe si një zbukurim në të tashmen e suksesshme.

Në fund, për ta parë të gjitha ne këtë gjë, ndiq të përmirësosh perceptimin e asaj që përjeton, dhe kupto që ajo që ndodh do të kalojë duke i dhënë rëndësinë që i takon. Ka një moshë femra kur bën reflektimin e kohës së kaluar, dhe çuditërisht ndihet krenare që ia ka dalë mbanë vështirësive. E thjeshtë, mos prit kaq gjatë, pajtohu me ato çfarë i krijon vetes të ndodhin, për të kuptuar se të duhet përpjekje për të arritur atë çfarë do, si e do, dhe kë do.

Një nga aforizmat e mia të dikurshme dhe që i qëndron kohës është: “Zgjidh ti, jo të të zgjedhin ty!”.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.117

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top