Marrëdhënie

July 22, 2016 | 13:43

Femra tjetër që lumturon partnerin tuaj

Nëse është një femër e magjepsur ose “e frikshme”, nëna e të dashurit tuaj luan një rol shumë të rëndësishëm në marrëdhënien tuaj. Zbuloni tani si mund të mbroni… “territorin” (pronën) tuaj! Nëna e tij di çdoherë ta bëjë të ndihet mirë! Dhe, si rrjedhojë, dëshiron një të dashur që duhet ta trajtojë në të njëjtën mënyrë siç ishte mësuar në fëmijëri. “Marrëdhënia që ka me mamanë e vet është një tregues se çfarë e bën të ndihet i dashur dhe i kujdesur”, – thotë mjeku psikolog Les Parrott, bashkautor i librit “Pyetjet që bëjnë çiftet”. Në një mënyrë të fshehur, kjo marrëdhënie nënë-bir përcakton çfarë e tërheq te partnerja e tij. Nëse ajo i tregon dashurinë, duke i thënë në mënyrë konstante sa i pashëm, i zgjuar, i veçantë është etj., atëherë ka mundësi të jetë tipi që i pëlqen t’i tregoni admirim nëpërmjet fjalëve. Për rastin, në të cilin nëna e ka përkëdhelur me përqafime dhe puthje, atëherë mund t’i thoni “të dua” deri kur ju është mbaruar fjalori – por vetëm prekjet tuaja plot dashuri do t’ia ofrojnë atë që ai dëshiron.

Asgjë nuk është e përkryer…

Pavarësisht se i dashuri ka një marrëdhënie të shkëlqyer me mamanë e tij, vitet që kanë ndenjur bashkë nën të njëjtën çati, mund ta kenë bërë të ndjeshëm disi ndaj sjelljeve, të cilat e kanë bërë të vuajë kur ishte i vogël. “Kujtimet mundet të mbeten aq të gjalla, sa çdo detaj nga e tashmja mund të kthejë në mënyrë të dhimbshme ndjenjat negative nga e kaluara. Për këtë fakt ai mund të veprojë në mënyrë të ekzagjeruar ndaj disa gjërave që ti i bën”, – mendon Karen Sherman, autorja e librit “Martesa magjike! Gjeje, Mbaje dhe bëjë të zgjasë”. Nëse mamaja e tij e zhgënjente, duke marrë pjesë shumë rrallë në aktivitet e tij shkollore, ka mundësi të ndihet keq në qoftë se nuk e pyesni se si ka shkuar mbledhja e rëndësishme që kishte. Do të nënkuptojë se nuk jeni e interesuar për çfarë po ndodh në jetën e tij. Në të njëjtën mënyrë, nëse nëna zakonisht ishte kritike për sa i përket stilit të të veshurit, është e mundur të jetë i ndjeshëm ndaj çdo fjale negative të lidhur me këtë aspekt.

Mospranimi i nënës nuk është “puthja e vdekjes”

Shumica e tipave me mamatë kërkuese kuptojnë se ato nuk do të jenë kurrë të kënaqura tërësisht, pavarësisht sa e kompletuar është partnerja që sjellin në shtëpi. Kështu që mos imagjinoni se çdo gjë është e humbur vetëm se e ëma e tij nuk ju transmeton vale pozitive. Mënyra më e mirë për të kuptuar, nëse kjo përbën në të vërtetë një problem? Reagimi i tij, thotë William Doherty, profesor i sociologjisë pranë Universitetit të Minesottës. Nëse përpiqet që t’ju qetësojë duke ju thënë diçka të tillë: “Kështu sillet me të gjithë në fillim, por jam i bindur se do e kesh pëlqimin e saj në momentin që do njiheni më mirë”, do të thotë se i merr ndjenjat e tua seriozisht dhe nuk dëshiron t’ju fshehë diçka. Nëse sillet sikur asgjë s’ka ndodhur dhe për më tepër ju thotë: “Çfarë? Nuk më duket aspak se është tendencioze me ty”, ki kujdes! Ka shanse të mos jetë kurrë në anën tuaj kur bëhet fjalë për mamanë e tij.

‘Luaj’ në mënyrë të ndershme

Megjithëse nëna e tij nuk është e lehtë për t’u honepsur, ajo përfaqëson marrëdhënien e tij të parë me një femër dhe është më e rëndësishmja. Është normale që mendimi i saj “peshon” rëndë. Prandaj, edhe kur nuk është e arsyeshme, për sa i përket një situate të caktuar, p.sh ta vizitoni çdo fundjavë, nuk është rekomanduar të bëni polemikë me partnerin, të flisni keq për atë ose të përpiqeni ta bindni të anashkalojë dëshirat e saj. Është e mundur që të dalë menjëherë në mbrojtje të saj dhe t’ju fajësojë se e keni vënë në situatë për të zgjedhur një nga ju të dyja. Kështu që përmbahuni nga komente si: “Nuk i duroj dot më pretendimet e saj” dhe mundohuni të tregoni pikëpamjen tuaj në mënyrë pozitive: “Do doja të kemi një fundjavë vetëm për ne të dy”. Kur nuk e detyroni të kalojë në mbrojtje, e ka më të lehtë t’i shikojë gjërat nga perspektiva juaj dhe të zgjedhë në favor të marrëdhënies suaj.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top