Në fokus

November 10, 2016 | 8:24

Femrat inteligjente… në sfidë me meshkujt

1Është e vështirë të jesh femër. Nuk është një ankesë apo një viktimizim: është shoqëria jonë që vazhdon t’i vërë femrat në vështirësi, duke i bërë të ndihen të ndryshme nga meshkujt. Në një zyrë, është më i besueshëm një mashkull. Në një intervistë pune, mund të jetë vendimtar fakti nëse je e martuar apo jo apo nëse ke “ëndrrën” e çuditshme për të pasur fëmijë. Dhe nëse ke fëmijë, atëherë je në telashe. Por ama, jemi të pajisura me shqisën e gjashtë e me një intuitë të pagabueshme. Përballë meshkujve, sigurisht që jemi superiore, pasi një femër është multitasking… Megjithatë ja ku vjen pyetja: diferencat tërheqin apo largojnë? Varet. Meshkujt, edhe pse tërhiqen nga ideja e një femre intelektualisht brilante, mund të ndihen të frikësuar kur kanë përballë tyre një partnere inteligjente. Me sa duket, stereotipet mes gjinive janë ende shumë të fuqishëm dhe në gjendje të ndikojnë, të paktën pjesërisht, llojin e partnerit me të cilin zgjedhim të shoqërohemi. Sipas studimit, meshkujt ndihen në siklet dhe kanë drojë kur duhet të lidhen me femra inteligjente. Dhe në fund, zgjedhin një partnere më pak të mençur.

Meshkujt i tremben femrave inteligjente?

Duket se po, të paktën sipas sugjerimit të një studimi të bërë nga profesorët e “University of Buffalo” dhe “University of Texas” dhe të botuar në revistën “Personality and Social Psychology Bulletin”. Nëse, përveç se jeni të bukura, keni edhe fatin të jeni femra inteligjente, mund të ketë ardhur momenti të dorëzoheni. Ndoshta nuk do të gjeni asnjëherë mashkullin që bën për ju, ose më mirë të themi, ai do t’ju shmangë. Sepse do të trembet nga inteligjenca juaj. Meshkujt, edhe pse joshen nga femrat intelektualisht të plotësuara, i tremben përballjes me to. Për të arritur në këtë përfundim studiuesit i propozuan dy skenarë të ndryshëm 105 meshkujve heteroseksualë. Në të parin, u kërkuan meshkujve të imagjinonin një takim romantik me një femër, duke u ofruar mundësinë të zgjidhnin mes një partnereje pak a shumë të zonjën në zgjidhjen problemave të matematikës. Pjesa më e madhe e meshkujve u përgjigj pa hezituar se preferonin femrat më inteligjente. Deri këtu, s’ka asgjë të habitshme: “Meshkujt, – tregojnë studiuesit, – kanë shfaqur një sjellje pozitive dhe interes të madh romantik kundrejt femrave me inteligjencë të lartë.”. Por, në pjesën e dytë të studimit, situata ndryshoi. Pjesëmarrësve iu kërkua të plotësonin një test inteligjence. Më pas meshkujt pjesëmarrës u informuan se do të takonin një femër që e kishte kaluar testimin me pikë më të larta se ata.

“Meshkujt, – shkruajnë studiuesit, – u shfaqën të ftohtë në vlerësimin e tyre. E vlerësuan një femër më të zonjën se veten më pak tërheqëse e treguan më pak dëshirë për të krijuar kontakt emotiv me të.”

Arsyeja, sipas studiuesve, qëndron në faktin se meshkujt e perceptojnë ndërveprimin me një femër më inteligjente si një kërcënim i rrezikshëm për mashkulloritetin e tyre. Dhe në fund, u duket më komode dhe e sigurt të gjejnë një partnere më pak inteligjente. Nuk fakt, nuk është një rezultat i paparashikuar. Që në vitin 2014, një tjetër studim i botuar në “Journal of Personality and Social Psychology” kishte “demaskuar” këtë lloj frike mashkullore, duke arritur në përfundimin se meshkujt vuanin nga ulja e vetëbesimit përballë sukseseve intelektuale të bashkëshorteve apo partnereve të tyre. Dhe studimi i fundit, edhe pse i bërë me një numër të ulët meshkujsh, duket se e konfirmon këtë teori.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top