Në fokus

September 11, 2017 | 8:40

Fillimi i shkollës… është momenti i shkëputjes

Për ata që kanë fëmijë, shtatori është muaji i ndryshimeve të mëdha. Shpesh ata që e vuajnë më tepër fillimin e vitit shkollor, janë prindërit, sidomos ata që i çojnë fëmijët në klasë të parë. Kemi përzgjedhur këshilla për mamatë nga një mësimdhënëse dhe nga një psikologe në mënyrë që të ndihmojmë fëmijët ta përballojnë sa më mirë këtë aventurë të re.

 

Hyrja në klasë të parë përfaqëson për çdo fëmijë një kalim të rëndësishëm drejt pavarësisë dhe shoqërizimit. Përveç kësaj, ky është hapi i parë që tregon ndarjen nga familja. Shumë prindër mundohen nga pyetje pa fund: ‘A do të ndihet mirë në shkollë?’, ‘A do ta vuajë shkëputjen?’, ‘A do mund të shoqërohet me fëmijët e tjerë?’. Kush i ka pasur fëmijët në kopsht e vuan më pak, por ka nga ata fëmijë që janë rritur me gjyshër dhe hyrja në klasë të parë përfaqëson një ndryshim rrënjësor për ta. Më poshtë do të lexoni disa këshilla për prindërit, në mënyrë që ta përjetojnë sa më mirë këtë ndryshim.

Nuk ka kuptim t’i krijoni vetes iluzionin se ky kalim do të vijë lehtë dhe pa dhimbje. Ndodh të dëgjojmë mamatë të thonë: ‘djali im nuk do të ketë problem, sepse është i shoqërueshëm’ apo ‘është mësuar të luajë me kushërinjtë’… por shfaqja e tekave nga fëmija në një rrethanë si kjo janë normale. Dhe gjëja më e mirë që mund të bëni është t’i pranoni dhe t’i kuptoni.

Është pothuajse e paevitueshme që fëmija të qajë në momentin e shkëputjes. Edhe pse një fëmijë në klasë të parë, është i rritur dhe shumica nuk qan dhe mërzitet, ka nga ata që e shprehin tensionin me të qarë. E qara është një mënyrë për të larguar tensionin. Në çastin e përshëndetjeve kjo gjë edhe mund të ndodhë, ndaj nuk duhet të shqetësoheni, edhe pse në shumicën e rasteve zgjat shumë pak.

Ndodh që fëmija në mëngjes të mos dojë të shkojë në shkollë. Në këto raste mund të ketë nevojë për pak më shumë kohë për t’u ambientuar dhe kjo kërkon më shumë qetësi dhe durim nga prindërit, të paktën dy javët e para.

 

Kindergarten teacher reading to children

Shkolla fillore është një palestër shumë e rëndësishme. Fëmija, ndoshta për herë të parë, nuk ka gjatë gjithë kohës vëmendjen e një të rrituri, ndaj duhet të mësoj të ndajë vëmendjen e mësueses me të tjerët, të ndjekë rregulla të reja, të rrijë në grup me shokët e klasës dhe të presë radhën për të folur apo për t’u përgjigjur. Për këtë arsye ky është një ndryshim shumë i madh në jetën e tij.

Ka fëmijë që kanë reagime të papritura. Disa bëhen papritmas prepotentë, të tjerë shumë të ndrojtur. Disa reagojnë jo mirë. Çfarë duhet bërë? Përgatiteni fëmijën duke i folur për shkollën në mënyrë pozitive dhe konkrete, duke i treguar si quhet mësuesja, duke i shpjeguar konkretisht se çfarë do i duhet të bëjë në shkollë, ritmin e një dite shkolle. Tregojini se edhe ju në moshën e tij keni shkuar në shkollë. Thojini që jeni krenar për të, që po rritet dhe kur të kthehet nga shkolla do të rrijë si gjithmonë me mamin dhe babin në shtëpi. Dhe në ditët e para bëni të mundur që të jetë sa më i qetë. Rutina e përditshmërisë e siguron dhe duhet t’ia bëni të ditur që përveç faktit që do i duhet të shkojë në shkollë për të mësuar, asgjë tjetër nuk do të ndryshojë në jetën e tij.

Nëse hyrja në klasë të parë përkon me ardhjen në jetë të një motre apo vëllai, kur është e mundur organizohuni për t’iu përkushtuar edhe fëmijës së madh, qoftë edhe një orë në ditë, por këtë orë ta kaloni vetëm me të. Megjithatë, mos u bëni të dobët, pasi është mirë të mos ia plotësoni të gjitha kërkesat e tij. Mos ngatërroni përkushtimin me përkëdheljen e tepërt.

Mund të ndodhë që mësuesja t’i ketë tërhequr vëmendjen dhe kjo është një arsye që fëmija të shkojë në shkollë me lot në sy. Mund t’i thoni: ‘e kuptoj që të vjen për të qarë, ndaj nuk ka problem’, por më pas mos vazhdoni me ndjesinë e keqardhjes. E rëndësishme është që fëmija të kuptojë se prindërit i pranojnë ndjenjat e tij, por edhe të dijë se keni besim në aftësitë e tij për t’i përballur me situatën në mënyrë pozitive. Shpesh, në fakt, është nëna ajo që e ka më të vështirë të largohet nga fëmija, sepse te çdo nënë, bashkë me gëzimin që ndjen teksa sheh që fëmija po i rritet, ekziston edhe dëshira që të jetë gjithmonë i vogël, ndaj mënyra se si do ta trajtojë situatën varet vetëm nga ajo. Janë ndjenja normale. Ajo që ka rëndësi është që të bëni të mundur, që si për nënën ashtu edhe për fëmijën, kjo situatë të shndërrohet në një moment rritjeje.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top