Për babain tim, në ditëlindjen e tij – Nga Alketa Burimi
Te brezi i prindërve dhe gjyshërve tanë shqiptarë ka shumë për të kujtuar e nderuar. Edhe kur na ndajnë mënyra të ndryshme të të menduarit, kemi ende çfarë të mësojmë nga ata që mbajtën mbi supe familjen, shpesh duke lënë për më vonë dëshirat e veta. Me shembullin e përditshëm, na përcollën ndershmërinë, respektin, përgjegjësinë dhe dinjitetin. Në këtë qëndron edhe suksesi i tyre si prindër: te vlerat që mbollën brenda nesh dhe që vazhdojnë të na udhëheqin. Falë tyre jemi këta që jemi sot.
Këtë letër po e shkruaj përtej oqeanit, ku fati më solli të ndërtoj jetën time. Sot, në ditëlindjen e babait, malli më ktheu te kujtimet dhe te fjalët që, kur e kisha pranë, më dukej se mund t’ia thosha një ditë tjetër. Ia kushtoj atij dhe, përmes tij, prindërve e gjyshërve që dhanë aq shumë nga vetja për ne. Ndoshta, mes këtyre rreshtave, një vajzë a një djalë gjen diçka nga babai i vet — dhe nga fjalët që ende nuk ia ka thënë.
Ai nuk ishte mësues,
as filozof,
as një emër i madh.
Por për mua ka qenë
dhe mbetet
mësuesi i jetës:
njeriu i mirë
dhe i mençur.
I dashur Baba,
Sot po të shkruaj fjalët që nuk t’i kam thënë kurrë. Ndoshta sepse më dukej se ti i dije, ashtu siç unë kuptoja aq shumë nga heshtja jote. U rrita nën vështrimin tënd të qetë, që nuk kërkonte prej meje veçse të isha e mirë. U bëra grua. Sot jam edhe nënë. Dhe ti nuk më the si duhej të jetoja. Më dhe shembullin tënd: atë mënyrë të butë të qëndrimit në botë, pa mburrje, pa etje për lavdi — si një pemë e madhe që të bën hije pa ta zënë dritën.
Mirësia jote, urtësia, fisnikëria më kanë shoqëruar kudo. Edhe larg teje, në ditët kur jeta më është dukur e shkretë, kam gjetur brenda vetes diçka nga qetësia jote. Më kujtohet kur vije të më shihje në dhomën time. Para se të hyje, kolliteshe lehtë. Unë e njihja atë tingull.
Sot e kuptoj sa kujdes kishte edhe në atë çast të vogël: ishe babai im, e megjithatë prisje te pragu. Pastaj hyje, dhe dhoma mbushej me praninë tënde të ngrohtë. Nuk nevojiteshin shumë fjalë.
Kam dëgjuar burrat e botës të flasin, por shpesh, mes gjithë zërave, kam kërkuar qetësinë tënde. Kam parë ballin tënd të rrudhej nga jeta, por pranë teje shpresa ime gjente prehje.
Ti nuk kishe fjalë të mëdha. Ato që thoshe, i jetoje.
Mbaj mend, kur isha e vogël, nuk i kuptoja gjithnjë bisedat e të rriturve. Por e ndieja kur zëri yt merrte zjarr. Mjaftonte të flitej për moralin, për dinjitetin, për atë që e mban njeriun të drejtë përballë vetes — dhe ti, aq i butë, ndizeshe si vullkan.
Të dilte në zë gjithë Mallakastra.
Sot e kuptoj çfarë mbroje atëherë me aq zjarr: atë që jeta mund ta vërë në provë, por që njeriu nuk duhet ta shesë.

Në udhëtimet e dikurshme me tren, bëje miq mes njerëzve të dijes — mjekë, profesorë. Biseda ju afronte, dhe rruga bëhej më e shkurtër.
Ti nuk kishe tituj. Jeta të kishte kërkuar herët të mbaje mbi supe barrën e familjes, të rritje motrat e vëllezërit. Për veten mbetej gjithmonë një kohë tjetër — që nuk vinte.
Por Zoti të kishte dhënë pasaportën e mençurisë.
Dhe ti dije të dëgjoje tjetrin, ta kuptoje, t’i lije vend. Prandaj trashëgiminë tënde e gjej ende në gjërat e vogla: te një fjalë që e peshoj para se ta them, te zemërimi që përpiqem të qetësoj pa lënduar askënd, te përpjekja për të kuptuar edhe atëherë kur më dhemb.
Sa shumë dije të duroje, Baba, pa e kthyer lëndimin në lëndim për tjetrin. Nuk të kam dëgjuar kurrë të shash. Edhe kur zëri të merrte zjarr, nuk të shpëtonte një fjalë e keqe.
Më tingëllon ende në mendje shprehja jote e prerë:
“Bija ime… Njeriut, po i plasi cipa në ballë, nuk ka turp, nuk di të skuqet.”
Dhe ty, edhe sot, të skuqet faqja nga një fjalë që rëndon, një fjalë që vetë nuk do ta thoshe kurrë. Në atë skuqje njoh ende pastërtinë tënde dhe bukurinë e shpirtit tënd.
Jeta të vuri përballë padrejtësisë, varfërisë, ditëve të rënda. Ti e mbajte emrin të pastër. Dhe unë e di se jo gjithmonë ka qenë e lehtë.
Sot na ndan largësia. Ndonjëherë na rrallohen edhe fjalët. Por zemra ime di ende të mbështetet në kraharorin tënd — si atëherë, kur isha fëmijë dhe mund të flija pa frikë.
Në ditëlindjen tënde, po t’i them më në fund këto fjalë.
Faleminderit për lirinë që kishte kujdesi yt. Për gjithçka mbajte pa na e rënduar zemrën. Për njeriun që ke qenë dhe je.
Nëse sot ka diçka të mirë në mënyrën si e prek jetën, ajo mban edhe gjurmën tënde.
Gëzuar ditëlindjen, Baba i dashur!
Me mallin e vajzës që do të mbetet gjithmonë vajza jote, Kela.
(Kështu më thërret babai që kur isha e vogël.)
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

