Aktualitet

January 10, 2023 | 9:09

Flasin gjuhëtarët: Shqipja të bëhet me detyrim në administrata

Punonjësit e administratës duhet të dinë mirë të shkruajnë gjuhën shqipe, çka duket se e bën të nevojshëm testimin e tyre në momentin e rekrutimit. Gjuhëtarët thonë se problematikat aktuale në përdorimin e gjuhës shqipe në dokumentet zyrtare e bëjnë të nevojshëm zgjerimin e programit mësimor të gjuhës shqipe jo vetëm në arsimin bazë, por edhe në shkollën e mesme.

Rreziku i deformimit të gjuhës shqipe duket se ka bërë të nevojshëm testimin e punëkërkuesve për njohuritë në këtë  fushë.

Një nga dokumentet me më shumë probleme në drejtshkrim është ai i dorëheqjes së ish-drejtorit të policisë së shtetit Ardi Veliu. Veç fjalëve të pa shkruara mirë, në të është përdorur shkronja e në vend të ë.

Gjuhëtari Xhevat Lloshi thotë se shqipëria duhet të ruajë standardin e punonjësve, duke i testuar nëse arrijnë të shkruajnë sic duhet një kërkesë të thjeshtë.

“Përpara se të të pranojnë për intervistë, të kërkojnë që ti të paraqesësh në një fletë kërkesat e tua. Aty merret dhe shqyrtohet. Nëse ky njeri s’di të bëjë një kërkesë për të hyrë në punë, çfarë do të bëjë ai për kërkesat më të vështira që do të ketë më pas,” tha ai.

Probleme hasen edhe në dokumentet tip në institucione, për të cilat, Lloshi thotë se duhet të redaktohen fillimisht nga ekspertë gjuhësie.

“Për shkrimin e dokumenteve unë mendoj që zyrat shtetërore janë të detyruara të përdorin normën standarde sepse ndryshe dokumenti bëhet i pavlefshëm. Mund ti drejtohen institutit të gjuhësisë dhe letërsisë dhe ti thonë: “Kemi këto 5 faqe, ju lutem shumë të na bëni redaktimin,” tha ai.

Përmirësimi i kësaj situate duhet të nisë që prej kurrikulave në shkollën 9 vjeçre dhe në gjimnaz duke zhvilluar më shumë orë të gjuhës shqipe.

“Nuk është nevoja jo vetëm që të lidhet gjuha me mësimet e letërsisë, por nuk është nevoja që mësimet e letërsisë të kenë kaq shumë vend në shkollë. Gjuha është e rëndësishme. Letërsia është një formë e artit,” tha ai.

Në kongresin e arsimit, të mbajtur në 13 shtator të 2022 kualifikimi për gjuhën shqipe ishte një nga idetë që u hodhën për diskutim, por duket se deri tani ka mbetur vetëm si i tillë.

 

 

 

 

 

 

 

 

Burimi/Oranews

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top