Mirëqenie

December 29, 2017 | 9:25

Flet mjekja gastrohepatologe, Ada Myrto: Diarreja, kur duhet të drejtoheni te mjeku

Diarreja është një nga ankesat më të zakonshme shëndetësore. Shpesh përcaktohet si një gjendje kalimtare, por njëherazi kategorizohet edhe si potencialisht e rrezikshme për jetën. “Me diarre akute nënkuptojmë defekim më shumë se tre herë në ditë me feçe me konsistencë më të ujshme se normalja dhe që zgjat më pak se 14 ditë”, bën me dije mjekja gastrohepatologe Ada Myrto.

Mjekja gastrohepatologe Ada Myrto

Mjekja gastrohepatologe Ada Myrto

SHKAKTARËT

Ka një mori faktorësh apo shkaktarësh që mund të shpien në diarre. Kujdesi ndaj higjienës vetjake mbetet me rëndësi në parandalimin e saj. Por nga ana tjetër, nxitës janë edhe disa shkaktarë që lidhen me kushte të caktuara. Konkretisht, ata që udhëtojnë, janë më të predispozuar. Mosha po ashtu ka ndikim. Fëmijët dhe të moshuarit mbeten dy kategoritë më të rriskuara. “Shumica e rasteve me diarre akute shkaktohen nga viruse, baktere dhe parazite. Diarreja akute është më e shpeshtë te fëmijët, moshat e thyera, te personat që udhëtojnë, tek ata me imunitet të ulur dhe ata që jetojnë në kushte jo higjienike (mos larja e duarve pas defekimit, kontakti me feçet para ushqyerjes, ushqimet jo të kontrolluara, apo të ruajtura në kushte jo të përshtatshme higjienike, mosmbajtja e ushqimeve në frigorifer në temperaturë të ulët, konsumimi i ujit të kontaminuar). Shkaktarët e diarresë zakonisht transmetohen në rrugë fekale-orale. Përveç këtyre faktorëve, në shfaqjen e diarresë akute ndikojnë dhe faktorë që kanë të bëjnë me personin e prekur sikurse, mosha, higjiena vetjake, aciditeti i stomakut, peristaltika e zorrëve, mikroflora e zorrës, imuniteti. Te personat që udhëtojnë shkaku më i shpeshtë është E.Coli, i cili prodhon një toksinë që shkakton më pas diarrenë”, pohon më tej doktoresha. SHENJAT Shqetësimet që jep diarreja janë të lidhura jo me shkaktarët. Në disa raste ajo shoqërohet me të vjella dhe temperaturë, çfarë, sipas Myrtos, lë të nënkuptohet se shkak janë bërë toksinat. “Në shfaqjen klinike të diarresë kur problemi qëndron në zorrën e hollë, feçet janë me vëllim të madh, të ujshme dhe shpesh shoqërohen me keqpërthithje të lëndëve. Në rastet kur shkaku i diarresë gjendet në zorrën e trashë, feçet janë me vëllim të vogël, mund të jetë i pranishëm gjaku si dhe ndjesia e menjëhershme për të defekuar. Pacientët, te të cilët shkaktarë janë toksinat (lëndët dëmtuese të prodhuara nga bakteret), kanë simptoma kryesore: të përziera, të vjella, diarre të ujshme, rrallë kanë temperaturë të lartë. Të vjellat që fillojnë rreth 6 orë pas marrjes së një ushqimi, që mendohet si shkaktar, sugjerojnë kryesisht për helmim nga stafilokoku aurës. Në qoftë se diarreja dhe të vjellat fillojnë orë pas marrjes së një ushqimi që mendohet si shkaktar, presupozohet që fajtor është një virus. Parazitë si giardia lambia mund të japin diskomfort abdominal, fryrje barku, gazra dhe me rrallë diarre akute. Infeksionet me të rënda me baktere sikurse salmonella, shigela, shfaqin dhimbje të forta abdominale, temperaturë subfebrile, diarre. Ndonjëherë dhimbjet janë aq të forta sa imitojnë një situatë që ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale”.

1

TRAJTIMI

Rastet e lehta të diarresë akute mund të zgjidhen pa trajtim. Por nëse shqetësimet vazhdojnë edhe pas dy ditësh, atëherë duhet të drejtoheni te mjeku për trajtim të specializuar. “Diarreja akute është kryesisht me origjinë infeksioze dhe në pjesën më të madhe të rasteve zgjidhet pa ndërhyrjen e mjekut para se t’i vendoset diagnoza. Diagnoza vendoset duke përjashtuar shkaktaret e mundshëm të diarresë te pacienti, duke pyetur në mënyrë të detajuar historinë e sëmundjes. Duhet pyetur pacienti nëse përdor ndonjë medikament, sikurse antibiotik, antiacid, alkool. Në qoftë se ka përdorur ushqime me karbohidrate të patretshme, produkte qumështi, fruta deti, lëngje frutash apo kafeinë në sasi të madhe. Zakonisht, simptomat largohen brenda 48 orëve, por nëse pacienti vazhdon të ketë ethe, temperaturë, dhimbje të forta abdominale, gjak dhe mukus në feçe, nëse pacienti duket i lodhur, lëkura dhe gjuha e thatë, ka etje, tension të ulët arterial, puls të dobët, konfuzion mendor, atëherë duhet t’i drejtohet mjekut”, shpjegon doktoresha. Ekzaminimet më të shpeshta që duhet të kryhen te ky grup pacientësh, sipas saj, janë: gjak komplet, feçe gjak okult, feçe koprokulturë, feçe parazit. Rekomandohet dhënia e lëngjeve në rrugë orale, pije, lëngje frutash, ujë, supa, krekë me kripë. “Tek ata që shfaqin më shumë simptoma, japim likide dhe kripëra intravene, terapi me solucione izotonike (trisol)”. Sa i takon dietës, mjekja gastrohepatologe shton se ushqimi është shumë i rëndësishëm që pacienti të kthehet sa më shpejt në gjendje normale. “Rekomandohen lëngje frutash, ushqime si, banane, lëng mollë, patate, oriz, krekers, tost, supa. Duhet të evitohet apo të ulet përdorimi i kafeinës, alkoolit, qumështit”./Panorama

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top