Posta

November 5, 2016 | 6:00

Fobi nga lidhjet e dashurisë

Jam 29 vjeçe, e realizuar profesionalisht dhe në marrëdhënie me të tjerët, kam besim te vetja… Por më trembin lidhjet e dashurisë. Sapo njihem me dikë që më pëlqen, filloj të dyshoj për ndjenjat e tij, opinionin që ka për mua dhe prirem t’i jap fund lidhjes. Nuk dyshoj për aftësinë time për të qenë në çift, por ndjej ankth nga njohjet e reja… L. Durrës

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Mendimi rreth mënyrës se si ne si qenie njerëzore e njohim veten, të tjerët dhe botën me të gjitha hallkat e saj, ndodh fillimisht nëpërmjet DYSHIMIT. Nëse nuk dyshon, nuk qasesh të njohësh. Parë kështu, ti je në rrugën e duhur për të njohur atë çka kërkon nga tjetri. Ndoshta trembesh edhe sepse ke krijuar disa pritshmëri për atë se si duhet të jetë personi me të cilin do të krijosh një marrëdhënie më intime dhe të ndash fragmente të jetës që nuk i ndan me të tjerët dhe ku personaliteti yt është më i “zhveshur”. Në letrën tënde më duket sikur ka disa gjëra që mund të evidentohen: -Së pari, do të ftoja të shikoje frikën që mund të kesh nga dështimi, nga refuzimi, nga persekutimi i një perfeksionizmi jo racional për t’u pëlqyer të tjerëve. Duhet të kesh parasysh: ka njerëz që mund të na duan shumë, të tjerë që nuk na duan dhe të tjerë akoma që na urrejnë. Sigurisht, njeriu lind me nevojën për të dashur dhe për të qenë i dashur nga tjetri, por jo të gjithë mund të na duan siç mund t’i duam ne… Kur më jepet mundësia përdor shprehjen: “më mirë vetëm, sesa i shoqëruar keq”. -Së dyti, duket se në komentin tuaj ka vend për të thënë se ju interpretoni dhe profetizoni duke e finalizuar mendimin e tjetrit që ka për ju, pa pasur një përgjigje nga vetë i zoti i punës. Është e rëndësishme të komunikoni me partnerin për të kuptuar se çfarë mendon për ju. Dashuria është shumë komplekse dhe secili prej nesh ka mënyrat e tij/saj se si e shfaq atë. Ndoshta do të duhet të braktisësh disi kontrollin që kërkon të kesh edhe mbi atë se SI DUHET të jetë tjetri. Provoni, PA NGURUAR, t’i jepni mundësi vetes për të qenë më spontane në lidhje në marrëdhënien në çift, të relaksoheni në njohjet e reja.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top